I joshur prej kohësh nga Arabia Saudite, në fund Momo Salah vendosi t’i qëndrojë besnik Liverpool-it. Në fakt flitej prej kohësh se egjiptiani do të largohej, kjo pasi ishte futur në vitin që i përundonte kontrata, por në fund ekipi i kuq lëvizi duke i ofruar një kontratë me të vërtetë speciale. Mediat angleze kanë zbuluar se Salah firmosi një kontratë 2-vjeçare, deri në 2027 nga ku do të përfitojë 29 milionë euro në sezon, afro 60 milionë euro në dy vite.
Kjo ishte një ofertë super për një 32-vjeçarë çka bëri që Salah në fund të qëndrojë në Liverpool. Prej tetë vitesh, Salah është kthyer në idhullin e tifozëve, madje edhe në këtë moshë mbetet lider absolut teksa ka realizuar 32 gola në 45 ndeshje, 27 prej të cilave vetëm në Premier League.
Salah shpreson që të vijojë të shkruajë historinë e tij me ekipin e kuq, i vetëdijshëm se së bashku mund të fitojë trofe: “Është fantastike, këtu kam kaluar vitet më të bukura të karrierës time, kam luajtur për tetë vite, shpresoj të bëhen 10-të. E shijoj shumë jetën këtu, e shijoj shumë futbollin. Familja ime ndihet shumë mirë këtu, e pritën me shumë entuziazëm këtë lajm, mbi të gjitha vajza e madhe pasi ka miqtë këtu, shkollën, gjithçka. Atmosfera në familje ishte shumë pozitive pas kësaj firme”, u shpreh Salah në një intervistë për faqen zyrtare të klubit.