Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të premten me Presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio, në kuadër të “Forumit Diplomatik të Antalias”, ku diskutuan për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy shteteve.
Ky takim vjen në një kohë kur Serbia ka pretenduar se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – një pretendim i bërë publik nga ish-ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, më 3 mars 2020.
“Në Antalya, pata kënaqësinë të takohem me Presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio. Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, si dhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”, shkroi Osmani në Facebook.
Ajo shtoi se janë shkëmbyer ftesa për vizita zyrtare në shtetet respektive për të thelluar lidhjet miqësore dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi.
Ky zhvillim sfidon drejtpërdrejt narrativën e Serbisë, që e kishte përfshirë Sierra Leonen në listën e vendeve që gjoja kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Njohja nga Sierra Leone ishte zyrtarizuar më 11 qershor 2008, ndërsa Serbia pretendonte të kundërtën që nga marsi i vitit 2020.
Gjatë qëndrimit në Turqi, Osmani është takuar edhe me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan për të cilin tha se është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses.
Po ashtu, Osmani ka takuar edhe presidentin e Sirisë, Ahmet al Sharaa (Ahmed al Shirau), me të cilin ka biseduar për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Presidentja Vjosa Osmani, teksa po qëndron në Antalia të Turqisë, ka takuar ministrin e Jashtëm të Kenias, njëherësh Kryesekretarin e Kabinetit Presidencial, Musalia Mudavadi.
Ky takim vjen pak kohë pasi shteti i Kenias vendosi të njohë pavarësinë e Kosovës. Osmani tha se Mudavadin e ka falënderuar për hapin e ndërmarrë për njohje të Kosovës, i cili tha se “kontribuon për paqen e stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë”.
“Diskutuam për fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët, të cilat do t’i konkretizojmë gjatë vizitës zyrtare në Kenia dhe përgjatë rrugës sonë të përbashkët si aleatë dhe partnerë”, shkroi Osmani për takimin me ministrin e Jashtëm të Kenias.