Ballina Dossier Dokumentari që rrëfen gjyqin special dhe fillimin e terrorit komunist! Shkatërrimi i...

Dokumentari që rrëfen gjyqin special dhe fillimin e terrorit komunist! Shkatërrimi i intelektualëve dhe eliminimi i kundërshtarëve politikë!

9
0

“Gladius” titullohet dokumentari, premiera e të cilit u shfaq mbrëmjen e së mërkurës në “Destil Creative Hub”.

Dokumentari është një rrëfim tronditës mbi gjyqin special të vitit 1945 dhe fillimin e terrorit komunist në Shqipëri. Autorët e tij, Viron Roboçi dhe Besmira Pelushaj sollën një qasje të re mbi një nga ngjarjet më të errëta të pasluftës në Shqipëri.

Për realizimin e këtij dokumentari autorët shfrytëzuan edhe fondin e arkivit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare. “Gjyqi (jo) Special” siç është edhe nëntitulli i veprës, eksploron realitetin tronditës të një procesi të orkestruar politikisht, të njohur si “gjyqi special”, i cili u zhvillua në kinema ‘Kosova’, ku sot është godina e Teatrit Popullor menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. “Gladius” ngre një paralelizëm të fuqishëm mes ndeshjeve te gladiatorëve në Romën e lashtë dhe këtij gjyqi që shërbeu si një spektakël i dhunshëm me dënime të paracaktuara për 60 intelektualë të kohës, me qëllim eliminimin e tyre dhe intimidimin e pjesës tjetër të elitës politike, veprimtarëve dhe çdo individi me influencë. “Gladius” ndërthur materialet arkivore, pamjet autentike dokumentare dhe inskenimet artistike, duke i dhënë zë procesit të shpejtë dhe të padrejtë që çoi në ekzekutimin e 17 personave dhe në ndëshkimin me 715 vite burg në total, për të akuzuarit e tjerë. Asnjë nga 17 të ekzekutuarit nuk ka ende sot një vend varri. Dokumentari u realizua me mbështetjen e “Fondacioni Konrad Adenauer” (KAS Albania) në bashkëpunim me “United Rights Foundation”.

NGJARJA

Gjyqi Special për Kriminelët e Luftës dhe Armiqtë e Popullit, ishte një gjykatë komuniste në pranverën e vitit 1945, në Republikën e sapokrijuar Socialiste të Shqipërisë. Një gjyq farsë, i mbajtur në një sallë kinemaje, i cili zgjati 44 ditë, nga 1 marsi deri në 13 prill 1945, për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Dënimet ishin të paracaktuara, të bazuara në dëshmi të rreme dhe prova të sajuara. Synimi? Shkatërrimi i intelektualëve dhe eliminimi i kundërshtarëve politikë. Në përfundim; 17 të pushkatuar, 60 të dënuar dhe 715 vite burg në total. Gjyqi special ndaj 60 ish-funksionarëve u zhvillua në Tiranë më 1 mars deri më 13 prill 1945.

Trupa gjyqësore e konsideronte veten si pjesë të qeverisë dhe mbi emërtesën e saj shënohej fjalia “Qeveria demokratike e Shqipërisë”. Historiku i formimit të gjyqit nisi në kongresin e Përmetit. Me vendimin nr.8, datë 28.5.1944, të Këshillit Nacionalçlirimtar, pranë kryesisë së saj (KANÇit) formohej një komision për “zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës”. Për këtë arsye, sipas “Buletinit të Luftës Nacionalçlirimtare”, datë 16.12.1944 u formua Komisioni qendror për zbulimin e kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit” kryetar i të cilit ishte ministër i Drejtësisë Manol Konomi. Gjyqi special u krijua me vendimin nr.26, datë 15.12.1944 të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar me synim dënimin e “kriminelëve të luftës”, shqiptarë apo të huaj.

Kriteri i përzgjedhjes së “kriminelëve të luftës” ishte sipas rregullores mbi gjyqet ushtarake (duke e kuptuar këtë gafë, më pas e quajtën “ligji” nr.41, datë 14.1.1945, “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”). Me vendimin nr.2, datë 26.1.1945 të Këshillit të Ministrave, u caktuan anëtarët e gjyqi special. Gjyqi special i dha fund punimeve të tij duke shpallur vendimin më 13 prill 1945. Gjykata i akuzonte në bazë të neneve 15, 16 e 18 të ligjit nr.41, datë 23.1.1945 “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake” (“ligj” i dalë pas arrestimit të të pandehurve) si “kriminelë lufte” ose “armiq të popullit”. Në vendim, veprimtaria e 60 të pandehurve cilësohej “antikombëtare, antipopullore”, në përputhje me qëllimet e “klikave reaksionare”, para dhe pas 7 prillit 1939.

AKUZAT

Gjykata akuzonte se të pandehurit kishin bërë “vrasje, varje, internime, masakrime dhe plaçkitje”, pavarësisht se nuk kishte mundur të sillte asnjë provë rreth tyre. Por nisur nga fakti se Qemal Vrioni ishte dorëzuar brenda afatit, “përfitonte lehtësime” duke u dënuar me burg të përjetshëm. Po ashtu Tefik Mborja pas largimit nga funksioni qeveritar ishte tërhequr e “kishte simpatizuar lëvizjen”, duke sjellë si pasojë dënimin e tij “lehtësues” me 30 vjet burgim. Dënoheshin me burgim të përjetshëm e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Kostaq Kotta, Xhavit Leskoviku dhe Koço Tasi dhe “kriminelët e luftës Ibrahim Biçakçiu, Xhevat Korça, Refat Begolli, Bajram Pustina, Shuk Gurakuqi. Dënoheshin 30 vjet burgim e punë të detyruar “kriminelët e luftës ose armiqtë e popullit”: Sokrat Dodbiba, Mihal Zallari, Et’hem Cara, Ndoc Naraçi, Anton Kosmaçi, Lazër Radi, Sami Koka, Sulejman Vuçiterni. Dënoheshin 20 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Mihal Sherko, Fiqri Llagami, Akile Tasi. Dënoheshin 15 vjet burgim e punë të detyruar: “Armiqtë e popullit ose kriminelë lufte” Gjergj Bubani, Rrok Kolaj, Bilal Nivica, Ismet Kryeziu, Jakov Milaj. Dënoheshin 10 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Rrok Gera, Nedin Kokona, Rifat Tartari, Ih’san Libohova, Vangjel Goxhomani.

Dënoheshin 5 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Emin Toro, Zef Benusi, Mahmut Golemi, Zija Bejleri, Manush Peshkëpia. Dënoheshin 3 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Zenel Prodani, Sami Visoka. “Armiku i popullit” Zef Shiroka dënohej me 2 vjet burgim, por meqë ishte tërhequr nga politika dhe meqë ishte sjellë mirë kur ishte ministër, dënimi i pezullohej në 5 vjet dënim me kusht, brenda së cilës duhej të mbante qëndrim të mirë politik. Për “armiqtë e popullit” Dedë Jakova, Abedin Xhiku, jepej dënimi me 1 vit burg, i cili pezullohej në 5 vjet dënim me kusht. Për të pandehurit Abdurrahman Telqiu dhe Luigj Filaj, për mungesë provash u vendos lirimi i tyre e deklarimi i pafajësisë. Për të gjithë të pandehurit, kërkohej heqje e të drejtave civile e politike. Brenda së njëjtës ditë, 17 të ekzekutuarit me vdekje i kanë drejtuar Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, kërkesën për faljen e jetës. Kërkesa është e përbashkët, e shkruar me pak rreshta. Ajo nuk ka asnjë shënim. Për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje nuk është mbajtur procesverbal. Prokurori Bedri Spahiu (që më pas u bë dhe prokuror i përgjithshëm, e më pas “Armik i popullit!”), lëshoi akuzën vdekjeprurëse duke thënë në mënyrë të prerë dhe me ton ushtarak:

“Të pandehur! Veprimtaria juaj e këtyre viteve ka përbërë tradhti ndaj fateve të popullit dhe atdheut. Ju keni përdhosur cilësitë e larta patriotike të vendit duke e njollosur emrin tuaj me atë të tradhtarit…!” Këtë akuzë ai e bëri duke u drejtuar nga i pandehuri Kol Tromara. Për çudinë e të gjithëve, Kol Tromara jo vetëm s’u frikësua, por me qetësi iu kthye prokurorit: “Se kush është tradhtar, këtë herët a vonë do ta mësojë populli”. (prill 1945)

PROCESI

Në mbledhjen nr.4 të datës 13.4.1945 të Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar, u diskutua mbi faljen e jetës së të dënuarve nga gjyqi special. U zhvillua ky diskutim: -Bedri Spahiu kërkon që të mos merret parasysh lutja e tyre, por të dënohen ashtu si ka vendosur gjyqi. – Prof.Gjergj Kokoshi thotë se vendimet janë me vend. Kryetari (Omer Nishani) thotë se refuzimin tonë ta justifikojmë me arsyen se dënimi është dhënë prej një gjyqi, vendimet e të cilit janë të prera. Prof.Sejfulla Malëshova thotë se gjyqi ushtarak vendimet ia dërgon Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe ajo ia dërgon Kryesisë. Kjo procedurë duhet të ndiqet edhe në gjyqin special. Manol Konomi shpjegon se kurdoherë të dënuarit kanë të drejtë të luten. “Grace” nuk është rekurs. Spiro Moisiu thotë se po të mos jepet përgjigje, kuptohet se aprovohet vendimi i gjyqit. Prof.Gjergj Kokoshi insiston në faktin se duhet dhënë një përgjigje. Me unanimitet vendet që të refuzohet lutja dhe përgjigja t’i dërgohet prokurorisë së gjyqit special.

Mbledhja mbyllet në orën 20.00. Ky është vendimi i qeverisë së parë komuniste që posa kishte hyrë në Tiranë. Në atë kohë në Shqipëri s’kishte as prokurori dhe as gjykatë, por mjaftoi një vendim qeverie për të ngarkuar si kryetar të këtij procesi të jashtëzakonshëm, Koçi Xoxen (me katër klasë fillore) dhe prokuror të tij, Bedri Spahiun (pa asnjë njohuri jurisprudence!). Ishin plot 60 personalitete: ushtarakë, intelektualë, ministra, gazetarë, ballistë, zogistë dhe të tjerë të akuzuar si “kuislingë”, të cilët u përballën me akuzat e prokurorit Spahiu si tradhtarë të kombit. 17 vetë, mes tyre edhe Bahri Omari, e pritën me gjakftohtësi dënimin me vdekje. 41 prej tyre u dënuan nga 2 deri në 101 vjet burg, ndërsa dy u liruan në sallën e gjyqit.

Me grupin në të cilin do të gjykohej edhe Bahri Omari, nuk ishin më shumë se 7-10 vetë. Ishte fundi i ‘45-ës, kur ata, të arrestuar që prej një viti, do të përballeshin me akuzat e parapërgatitura të prokurorit. Gjyqi do të fillonte në orën 09:00 të paradites, pikërisht në kinema ‘Kosova’, ku sot është godina e Teatrit Popullor.

Prokurori i caktuar për të përfaqësuar akuzën në proceset speciale ndaj njerëzve që vendoseshin në bankë si kuislingë, e kishte disi të vështirë punën, pasi ai nuk mund të nënvleftësonte aftësitë intelektuale të atyre që akuzonte.

KOMISIONI

Me vendimin nr.8, datë 28.5.1944, të Këshillit Nacionalçlirimtar (marrë në kongresin e Përmetit), pranë Kryesisë së saj (KANÇ-it) u formua një komision për “zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës”, në rolin e një njësie eprore qendror të hetimit, i cili do lidhej me organe të tjera në prefektura ose nënprefektura që i konsideronte të varësisë. Emërimi i anëtarëve të komisionit i lihej në dorë qeverisë dhe konsiderohej pjesë e saj. Pra, në gjyq, qeveria përfaqësonte akuzën. Sipas “Buletinit të Luftës Nacionalçlirimtare”, datë 16.12.1944, “Komisioni qendror për zbulimin e kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit”, kishte këtë përbërje: Manol Konomi-ministër i Drejtësisë, kryetar, Bedri Spahiu-ministër i Asistencës Sociale, Ali Shtëpani-anëtar i Këshillit të KANÇ-it, Qiriako Haritoanëtar i Këshillit të KANÇit, Nako Spiru-president i Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare (BRASH), Koçi Xoxe -drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (u largua), Faik Shehu – anëtar i Këshillit të KANÇ-it (u largua), Pjetër Deda (u largua), Muharrem Bedini (u largua). Referuar akuzave të paraqitura, komisioni qendror figuron me emrat e M.Konomit, B.Spahiut, Q.Haritos, N.Spirut dhe A.Shtëpanit. Komisioni paraqiste vetëm akuzën dhe përgjithësisht nuk zhvillonte hetime. Komisioni kryesor për gjyqin special (dhe rastet e tjera këtu) ishte ai i Tiranës. Referuar dosjeve të trashëguara të kohës, ai përbëhej nga: Simo Zhupa-kryetar, Delo Balili-anëtar, përfaqësues i ushtrisë, Selim Stërmasi-anëtar, përfaqësues i Frontit Nacionalçlirimtar, Nikolla Profo-anëtar, përfaqësues i Frontit Nacionalçlirimtar. Malo Frashërianëtar, përfaqësues i Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut. Por praktika tregon se për raste të veçanta si ajo për të pandehurin Bahri Omari, janë zhvilluar edhe hetime të posaçme nga Josif Pashko dhe Selman Brahimi.

ARRESTIMET

Pa mbaruar mirë lufta, në tetor 1944, komunistët nisën arrestimet e kundërshtarëve politikë, sipas përcaktimeve të funksioneve dhe bindjeve politike dhe jo të veprave që ata kishin kryer. Kësisoj gjithë ai gjyq i zhurmshëm, nuk vërtetoi asnjë vrasje personi, çka ishte dështimi më i madh i gjithë procesit. Të pandehurit ishin spikatur në këto kategori për funksionet e tyre të mëparshme: Ushtarakë, drejtues policie, xhandarmërie, politikanë, deputetë, ministra, prefektë, kryetarë bashkish, etj., të administratës së mesme e të lartë, anëtarë ose simpatizantë të organizatave jokomuniste. Fillimisht të pandehurit e mundshëm ishin izoluar në depon e ujësjellësit të Tiranës. Më 20.11. 1945 u hap burgu i ri në Tiranë. Qarkorët e Partisë Komuniste si shtriga, në bazë të listave mbi kundërshtarët e regjimit filluan të bëjnë vrasje, burgosje, arrestime. Shqipëria, një vend i vogël, kurrë nuk kishte pasur kaq nevojë për burgje e vende ku duheshin futur kundërshtarë të regjimit komunist.

Ishte e para herë në historinë e vendit që në burg hynte inteligjencia e në pushtet urdhëronte injoranca. Më 28.12.1944 Komiteti Central i Partisë Komuniste Shqiptare nxori udhëzimin “Për krijimin e komisioneve për zbulimin e kriminelëve të luftës, komisioneve për zbulimin e kriminelëve të luftës, komisioneve të asistencës sociale, komisioneve për shqyrtimin e fitimeve të luftës nga tregtarët dhe në lidhje me punën që duhet të bëjnë këto komisione”. Hetimi nuk pati kurrfarë cilësie. U bë me të shpejtë dhe lidhej kryesisht me funksionin publik të personit. Si “prova” në dosje u vendosën dokumente të zakonshme që përveç cilësisë zyrtare të personit nuk tregonin gjë tjetër që të lidhej me krime lufte, vrasje, dhunime, etj./ Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu