Rritjet e vazhdueshme të pagës minimale në Shqipëri nuk kanë arritur që ta nxjerrin vendin nga lista e të fundit në Europë, sidomos kur bëhet fjalë për fuqinë blerëse.
Eurostat ka raportuar të dhënat e para për pagën minimale në Europë për vitin 2025.
Në Shqipëri paga minimale ka arritur në 405 euro, teksa paga prej 40 mijë lekësh konvertohet në euro. ironikisht, paga është më e lartë në euro se në gjysmën e dytë 2023, kur llogaritej në 376 euro, ndonëse në atë periudhë ishte po 40 mijë lekë (rritja e fundit është bërë në prill 2023).
Edhe me ndihmën e kursit, paga minimale mbetet më e ulët se Serbia, që e ka çuar në nivelin e 619 euro dhe Malit të Zi prej 670 euro. për Maqedoninë e Veriut raportimi i fundit është 6 mujori i parë 2021, në 360 euro.
Edhe pse është rritur, paga në Shqipëri vlen më pak, për shkak të kostos së lartë të jetesës. Grafiku i Eurostat (në fund) tregon se bazuar në fuqinë blerëse, paga minimale ishte më e ulëta në Europë në fillim të vitit 2025.
Eurostat shpjegon se matja sipas barazisë së fuqisë blerëse PPP, tregon se sa njësi monetare kushton një sasi e caktuar mallrash dhe shërbimesh në vende të ndryshme.
Përdorimi i PPP-ve për të kthyer shpenzimet e shprehura në monedha kombëtare në një monedhë të përbashkët artificiale, standardi i fuqisë blerëse (PPS), eliminon efektin e diferencave të nivelit të çmimeve midis vendeve, të krijuara nga luhatjet në kursin e këmbimit të monedhës.
Këto të dhëna nxirren duke krahasuar nivelet e çmimeve për një shportë mallrash dhe shërbimesh të krahasueshme që janë zgjedhur të jenë përfaqësuese të modeleve të konsumit në vende të ndryshme.
Europa
Më 1 janar 2025, 22 nga 27 vendet e BE-së kishin një pagë minimale kombëtare. Ka 5 vende të BE-së pa një pagë minimale kombëtare: Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia. Pagat minimale mujore ndryshojnë shumë në BE: nga 551 € në Bullgari në 2 638 € në Luksemburg.
Midis 10 vendeve kandidate dhe kandidate potenciale [1], 7 kanë një pagë minimale kombëtare (Mali i Zi, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Turqia dhe Ukraina) ndërsa Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia dhe Kosova jo.
Bazuar në pagat e tyre minimale mujore bruto kombëtare të zbatueshme më 1 janar 2025, të shprehura në euro (€), vendet e BE-së në fjalë mund të klasifikohen në 3 grupe të ndryshme (shih Figurën 1, vendet jo anëtare të BE-së tregohen veçmas):
Mbi 1 500 euro në muaj: Ky grup përfshin Luksemburgun, Irlandën, Holandën, Gjermaninë, Belgjikën dhe Francën. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1 802 € në Francë në 2 638 € në Luksemburg.
Nga 1 000 € në 1 500 € në muaj: Ky grup përfshin Spanjën, Slloveninë, Poloninë, Lituaninë, Portugalinë dhe Qipron. Pagat e tyre minimale kombëtare ishin midis 1 000 € në Qipro dhe 1 381 € në Spanjë.
Nën 1000 € në muaj: Ky grup përfshin Kroacinë, Greqinë, Maltën, Estoninë, Çekinë, Sllovakinë, Rumaninë, Letoninë, Hungarinë dhe Bullgarinë.
Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 551 euro në Bullgari në 970 euro në Kroaci.
Për referencë, paga minimale federale në Shtetet e Bashkuara është 1 210 € në muaj.