Inteligjenca artificiale do të jetë pjesë në Premier Ligë. Përmes saj do ti vihet në ndihmë arbitrave për pozicionet jashtë loje, por po ashtu do të pasqyrohet edhe në ekrane për shikuesit
Pas muajsh testimesh, vonesash dhe komentesh të ndryshme, teknologjia gjysmë-automatike për pozicionin jashtë loje, do të përdoret për herë të parë në Premier League këtë fundjavë. Qëllimi i sistemit është të përshpejtojë dhe të rrisë saktësinë në vendimet për pozicionin jashtë loje, pas një sërë polemikash që kanë shoqëruar VAR-in në javët e fundit.
SAOT përdor rreth 30 kamera të vendosura në çdo stadium, të cilat ndjekin topin dhe mbi 10,000 pika të trupit të 22 lojtarëve në fushë me një frekuencë prej 100 frame në sekondë. Kjo bën të mundur përcaktimin automatik të momentit të pasimit dhe pozicionit të saktë të çdo lojtari. Vendimi konfirmohet nga zyrtarët e VAR-it dhe më pas shoqërohet me një animacion 3D për t’u shfaqur në ekrane dhe për publikun televiziv.
Sistemi ka për qëllim të shmangë subjektivitetin në zgjedhjen e momentit të pasimit dhe të linjave manuale. Ndryshe nga rastet e tjera të ndërhyrjes së VAR-it SAOT përdoret vetëm për offside – që është një çështje më faktike sesa interpretative.
Megjithatë, teknologjia nuk është e pagabueshme. Gjatë një ndeshjeje të FA Cup mes Bournemouth dhe Wolves, u regjistrua një ndërprerje rekord prej 8 minutash, pasi teknologjia nuk funksionoi siç duhej në një zonë të ngarkuar me lojtarë, dhe arbitrat u detyruan të ktheheshin te linjat manuale.
Premier League pretendon se këtë sezon ka pasur 100% saktësi në vendimet për offside, ndërsa koha mesatare e vendimeve me VAR është ulur nga 64 në 39 sekonda për ndeshje.
Pavarësisht kësaj, nuk parashikohet një kufi kohor për ndërhyrjet e VAR-it, pasi sipas trupës së arbitrave PGMOL, disa situata komplekse kërkojnë kohë për të analizuar të gjitha elementet para se të merret një vendim përfundimtar.
SAOT nuk e zgjidh të gjithë problemin e VAR-it, por për offside pritet të sjellë më shumë qartësi, efikasitet dhe më pak vonesa në vendime.