NATO është e shqetësuar se Rusia së shpejti mund të vendosë armë bërthamore në hapësirë, sipas një raporti të botuar sot në gazetën gjermane Welt am Sonntag.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se NATO është në dijeni se Rusia po shqyrton vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë.
Ai i quajti aftësitë e tanishme hapësinore të Moskës të vjetruara dhe të pakrahasueshme me ato të Perëndimit, shkruajnë mediat e huaja.
“Prandaj”, tha Rutte, “zhvillimi i armëve bërthamore në hapësirë mund të lejojë Rusinë të përmirësojë aftësitë e saj, gjë që është një burim i madh shqetësimi”.
Bëhet e ditur se të ashtuquajturat armë anti-satelitore nuk janë të drejtuara drejt Tokës por satelitëve, por shkatërrimi i tyre mund të shkaktojë kaos në planet, sepse funksionimi i shumë sistemeve varet prej tyre.
Rutte paralajmëroi për një shkelje të mundshme të Traktatit të Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, i cili detyron vendet nënshkruese për përdorimin paqësor të hapësirës.
Traktati është ratifikuar nga shumica e vendeve, duke përfshirë Rusinë dhe SHBA-në.
Ndër tjera, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se vitet e fundit konkurrenca në hapësirë është bërë dukshëm më intensive dhe se mjedisi atje nuk ka qenë kurrë kaq i mbushur me njerëz, i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm.
“Kjo nuk vlen vetëm për zonën komerciale, por ndikon edhe në mbrojtjen, dhe rrjedhimisht sigurinë në përgjithësi”, shtoi Rutte.
Ndryshe, sipas një raporti të lajmeve, NATO vendosi në vitin 2021 që klauzola e mbrojtjes reciproke sipas nenit 5 zbatohet edhe për sulmet nga dhe në hapësirë.
Neni 5 thotë se një sulm i armatosur ndaj një ose më shumë vendeve anëtare të NATO-s konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve.