Një avion i vogël me gjashtë persona në bord u rrëzua të shtunën pasdite në një fushë me baltë rreth 80 kilometra në jug të Albany-t në Nju Jork, duke shkaktuar të paktën një viktimë të konfirmuar, sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA) dhe Zyrës së Sherifit të Qarkut Columbia.
Avioni, i tipit Mitsubishi MU-2B, u rrëzua rreth orës 12:15 pasdite me orën lokale në zonën rurale të Copake, pranë kufirit me shtetin Massachusetts. Sipas autoriteteve, aeroplani ishte nisur për në Aeroportin e Columbia County, afër qytetit Hudson, NY.
Zyrtarët nuk kanë konfirmuar ende numrin e plotë të të lënduarve apo viktimave të mundshme. Ekipet e emergjencës po përballen me vështirësi për shkak të terrenit të lagësht dhe borës që ka përfshirë zonën.
Shkaku i rrëzimit nuk është bërë ende i ditur. Hetuesit nga Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB) pritet të mbërrijnë në vendngjarje dhe të japin më shumë informacion gjatë së dielës.
Dy ditë më parë një helikopter turistik u rrëzua në lumin Hudson, duke i marrë jetën të gjashtë personave në bord. Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes, pranë Pier 25, midis rrugëve West dhe Canal, një zonë e njohur turistike në Manhattan.
Sipas autoriteteve, në bordin e helikopterit të tipit Bell 206 ndodheshin piloti dhe një familje turistësh nga Spanja, dy të rritur dhe tre fëmijë. Fatkeqësisht, askush nuk mbijetoi nga aksidenti.