Ballina Editorial Kultura e dhunës në transmetim të drejtpërdrejtë

Kultura e dhunës në transmetim të drejtpërdrejtë

16
1

Nga Erl Kodra 

Në një pikëpamje, ne marrim nga televizioni fiks atë që ne duam më shumë; dhunën verbale dhe përçmimin ekstrem të kundërshtarit. Shikoni formatet e të gjitha debateve politike që zhvillohen në të gjitha televizionet tona; shikoni Blend Fevziun, Eni Vasilin, Sokol Ballën, Grida Dumën; shikoni se si kacafyten të ftuarit dhe përçmojnë njëri-tjetrin – gati për t’i shqyer gurmazin.

Shikoni Edi Ramën se si përçmon dhe fyen kundërshtarët e tij, gjuhën e dhunshme gjoja të mbushur me metafora – në fakt një zhargon i dhunshëm – që nuk kursen askënd: të mbushura me zhaba dhe zhapinj, me llum dhe të pëgëra.

Kultura e dhunës në diskursin publik ka qenë prezente që në vitet e diktaturës, ku vet shteti ishte dhunuesi më i madh i jetëve të shqiptarëve. Dhuna është e shtrirë sa gjatë gjerë në të gjithë shoqërinë, në fshat dhe qytet, në lagje dhe brenda familjes. Shumë rrallë ndodh që në botën e qytetëruar të vriten njerëzit për të njëjtat shkaqe që vriten në Shqipëri:

“Pse më shikon o p.. motre” – dhe bam, plumbi ballit.
Por e marrtë dreqi, a është kjo një arsye për të vrarë një njeri?!

Pastaj çfarë prisnit kur e mbyllët për disa muaj një bullist të dhunshëm dhe gojështhurur?! Nuk kishte nevojë të ishe psikolog për të kuptuar se të paktën gjysma e atyre që ishin mbyllur në atë shtëpi ishin të papërshtatshëm për të qenë të izoluar. Njerëz me ngarkesa emocionale, komplekse, e ndonjëherë me dëshira të pashprehura për protagonizëm agresiv – dhe televizionet i ushqyen, i trajtuan si gladiatorë në një arenë për zbavitjen tonë. Dhe tani çuditemi për dhunën?

Duhet shpresuar fort që kjo histori të mbyllet këtu. Por me sa duket, nuk do të mbyllet. Sepse të nesërmen do të vijë një tjetër format, një tjetër luftë spektakli, një tjetër “kanditat për dhunë” që do të promovojë edhe njëherë atë që në thelb është: banalitet i keqarsimuar për argëtim.

Dhe së fundi: disa miq po më “kritikojnë” pse unë kam parë Big Brother-in. Qetësohuni – nuk e kam ndjekur unë Big-un, por Big-u më ka ndjekur mua. Nuk shkova dot në Opera mbrëmë. Shqiptar jam edhe unë. S’kam ndonjë vaksinë kundër absurdit kolektiv.

1 Koment

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu