Kultura e re e festivaleve e pozicionon Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të eventeve kulturore.
Kështu deklaroi për ATSH-në, Anisa Pollo, Drejtoreshë e Politikave Kulturore në Ministrinë e Ekonomisë dhe Kulturës, teksa foli për rolin gjithëpërfshirës të festivaleve dhe ndikimin e tyre në përmirësimin e eksperiencave turistike.
Pollo u shpreh se, po krijohet një kulturë e re festivalesh që nuk janë vetëm për muzikën, por edhe për panele, diskutime dhe panaire.
“Këto aktivitete e pozicionojnë Shqipërinë në një hartë ndërkombëtare të eventeve kulturore, duke ofruar për çdo vizitor më shumë për të parë dhe përjetuar”, theksoi Pollo, teksa vuri në dukje se, për këtë fakt statistikat flasin vetë.
“Falë mbështetjes së projekteve të tilla, po shihet një rritje në punësim dhe përfitime të tjera ekonomike. Muzika nuk është vetëm argëtim, por edhe zhvillim,” përfundoi Pollo.
Në ditën e dytë të Muse-X, qendra e Tiranës u elektrizua deri në orët e para të mëngjesit nga ritmet e muzikës elektronike, performuar nga disa prej emrave më të njohur të kësaj rryme muzikore ndërkombëtare.
Muse-x zhvillohet nga data 11 deri 13 prill në sheshin “Italia” në Tiranë. Ky multifestival dedikuar industrisë së muzikës dhe arteve kreative organizohet nga MEKI, Bashkai Tiranë, Fondacioni “Dritëro Agolli”.