Prej disa ditësh në Parkun Olimpik po punohet pa ndërprerje për përgatitjen e zarfeve me fletë votimi për diasporën.
Dërgesa e parë do të bëhet sot. Në fillim vuloset fleta e votimit, vendoset në një zarf, më pas vendoset në zarfin e KQZ-së, bashkë me një udhëzues se si do të votojnë, si dhe një listë me kontaktet e korrierëve që mund të thërrasin pasi të kenë kryer procesin e votimit.
Janë disa qarqe si Kukësi, Dibra, Vlora e të tjera, për të cilat ka përfunduar përgatitja e materialeve dhe ato dërgohen menjëherë me postë. Zgjedhësit në vendet e Europës mund t’i kenë në shtëpi për 48 orë.
“Janë qarqet që kanë numër të vogël votuesish. Është e këshillueshme që brenda tri ditëve të kryejnë procesin e votimit dhe të telefonojnë”,-shprehet Celibashi.
Zarfet me fletët e votimit pritet të nisin të rikthehen në KQZ nga mesi i javës që vjen, por numërimi i tyre do të bëhet më 11 maj. Këto janë zgjedhjet ku për herë të parë u jepet mundësi të votojnë shtetasit shqiptarë jashtë territorit të Shqipërisë dhe që në këtë proces janë regjistruar rreth 250 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës.
Në ambientet e Parkut Olimpik janë 120 persona që po punojnë me tre turne në qendrën për votimin nga jashtë, në mënyrë që të bëhen gati zarfet me materiale zgjedhore që do t’u dërgohen votuesve të regjistruar në diasporë. Me përjashtim të pak fletëve të votimit në Fier, ka përfunduar vulosja e 245 mijë fletëve dhe futja e tyre në zarfin e parë A. Këtë të diel puna vazhdon me një proces zinxhir, ku çdo votuesi në diasporë i shkon një zarf i personalizuar. Fleta e votimit e qarkut nga ku vjen qytetari, pasi është vulosur dhe futur në një zarf të anonimizuar A, futet pastaj në një zarf më të madh B, i cili mban të dhënat e koduara të çdo zgjedhësi. Më pas kompania postare e merr zarfin B, e fut në zarfin e verdhë të postës, bashkë me një udhëzues, një listë me kontakte të kompanisë nëpër botë, si dhe një zarf tjetër postar për kthimin e votës.
Kompania postare bën mbylljen e zarfit me kodet e adresës, dhe pastaj i merr në dorëzim ato për t’i shpërndarë në 85 shtete të botës. Aktualisht janë përgatitur rreth 10 mijë sete, dhe dërgesa e parë pritet të bëhet ditën e sotme, duke shënuar për herë të parë për Shqipërinë, “votat e hershme”, pasi praktikisht nga e marta e tutje, dikush mund të votojë pa pritur 11 majin.
Ata që janë refuzuar, apo nuk janë regjistruar në KQZ, vijojnë ta kenë emrin në listën e zgjedhësve në Shqipëri dhe mund të vijnë fizikisht të ushtrojnë të drejtën e votës. Për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, procesi i votimit nis këtë javë, pasi diaspora që ndodhet në Greqi e Itali do të marrë që sot fletën e votimit nëpërmjet postës. Ndaj PS dhe PD po përpiqen që në këto orë të fundit, para se diaspora të votojë, të bindin shqiptarët që jetojnë jashtë vendit për të marrë mbështetjen e tyre. Fushata në diasporë për forcat politike shqiptare ka nisur faktikisht më herët, pasi gjatë fazës së regjistrimit të emigrantëve edhe Edi Rama edhe Sali Berisha kanë zhvilluar takime në dy shtetet ku jetojnë më shumë shqiptarë, në Greqi e Itali.
Në zgjedhjet e 11 majit shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të votojnë për herë të parë. 246 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë në më shumë se 85 shtete të botës do të marrin fletën e votimit brenda pak ditësh për të shprehur vullnetin e tyre se cila parti duhet të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme. KQZ ka këshilluar emigrantët ta plotësojnë fletën e votimit brenda 3 ditëve dhe ta nisin nëpërmjet postës, në mënyrë që vota e tyre të mbërrijë në kohë në Shqipëri, pasi çdo zarf që arrin në Shqipëri pas orës 19:00 të 11 majit nuk do të numërohet.
*****
KQZ miraton ngritjen e qendrave të votimit në 11 IEPV
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi një seancë publike, gjatë së cilës shpalli vendimet mbi një sërë shqyrtimesh administrative të denoncimeve të depozituara nga forca politike dhe organizata të ndryshme. KQZ vendosi pushimin e shqyrtimit administrativ për denoncimet ndaj kryetarëve të Bashkive Klos dhe Durrës, kryetarit dhe sekretarit të Këshillit Bashkiak Klos, si dhe kryetarit të deleguar për Bashkinë Tiranë. Ndërkohë, u vendos vijimi i hetimit administrativ për denoncimin nr. 53 ID ndaj kryetarit të deleguar për Bashkinë Tiranë; denoncimin nr. 57 ID, datë 06.03.2025, ndaj kryetarit të Bashkisë Roskovec; Denoncimin nr. 58 ID ndaj kryetarit të Bashkisë Elbasan.
Për denoncimet: nr. 60 ID të Organizatës “Drejtësia Sociale”, ndaj ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, dhe nr. 67 ID të Partisë Demokratike, ndaj Kryeministrit, Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Kryetarit të Bashkisë Divjakë, u vendos përfundimi i hetimit administrativ, ndërsa vendimi do të shpallet në seancën e radhës.
Gjithashtu, u shty shqyrtimi për: Denoncimin nr. 59 ID të Organizatës “Qëndresa Qytetare”, ndaj një sërë funksionarësh të lartë dhe vendorë. Po ashtu në mbledhjen e sotme u vendos t’u lihet kohë subjekteve zgjedhore 24 orë kohë për vendosjen e shënimit “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të … (vijon me emrin e subjektit zgjedhor)”, materialeve propagandistike dhe në rast të mos zbatimit të këtij detyrimi ligjor, do të urdhërohet Policia Bashkiake për heqjen e materialeve të subjekteve zgjedhore: “Partia Socialiste e Shqipërisë”, në Durrës, Tiranë, Dibër, Gjirokastër, Elbasan;
“Partia Socialdemokrate e Shqipërisë”, në Dibër, Tiranë; Koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, në Korçë, Tiranë, Delvinë, Dibër; “Koalicioni Euroatlantik”, në Elbasan; Partia Djathtas 1912″ në Delvinë. Sot, iu dha autorizimi 11 KZAZ-ve për krijimin e Komisioneve të Qendrave të Votimit të Posaçme dhe emërimin e anëtarëve të tij.