SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin Mark Gilaj, i akuzuar për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë kultivimin e drogës, drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal dhe mbajtjen pa leje të armëve.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj Gilajt rëndojnë akuzat për:
-Kultivim i bimëve narkotike në bashkëpunim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal,
-Drejtim të grupit të strukturuar kriminal,
-Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak,
-Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive.
Hetimet zbuluan se më 25 korrik 2024, në një sipërfaqe livadhi pranë fshatit Selcë të Malësisë së Madhe, u zbuluan 11,358 bimë narkotike të mbjella në tre parcela me një sipërfaqe totale prej 6,956 m². Bimët e llojit Cannabis cattiva kishin një lartësi nga 40 deri në 100 cm.
Gjatë kontrollit, policia arrestoi në flagrancë Gilajn dhe, në një kasolle të ndërtuar në zonë, sekuestruan një pushkë model 56, një armë gjahu “SALSIMAZ”, dhe disa fishekë luftarakë.
Sipas SPAK, Gilaj ka pasur rolin udhëheqës dhe financues në këtë aktivitet të paligjshëm, duke bashkëpunuar me persona të tjerë në formën e një grupi të strukturuar kriminal. Për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij, hetimet do të vijojnë nëpërmjet ndarjes së procedimeve penale të lidhura me këtë çështje.