Treguesit që lidhen me turizmin, si numër vizitorësh dhe net-qëndrimesh në strukturat akomoduese shënuan rritje të ndjeshme në muajin shkurt. Sipas të dhënave të INSTAT, italianët dhe shtetasit nga Kosova dominojnë prurjet.
Rreth 72 mijë turistë të huaj vizituan vendin në shkurt me rreth 32% në krahasim me shkurtin 2024. Në janar – shkurt 2025 e vizituan vendin 142 mijë vizitorë jorezidentë, me rritje vjetore 38%.
Sipas INSTAT, në shkurt 2025, shumica e vizitorëve jorezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Italia (22%), Kosova (16%), dhe Gjermania (7%). Mbretëria e bashkuar dhe Franca kontribuuan përkatësisht me 6% dhe 4% të vizitorëve, ndërsa 45% e tyre ishin nga vende të tjera.
Këto të dhëna reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Europës. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 16,5%, krahasuar me 16,7% në shkurt 2024.
Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin shkurt 2025, strukturat akomoduese shënuan një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe net-qëndrimeve, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Vizitorët gjithsej u rritën me 29,9%, ku ata jorezidentë shënuan një rritje prej 32,2% dhe rezidentë 26,4%. Net qëndrimet gjithsej u rritën me 34,2%, ku ato jo-rezidentë u rritën me 35,4%, ndërsa ato nga rezidentët me 32,0%.
Rritja më e madhe e vizitorëve jorezidentë u shënua në zonat jobregdetare (+29,0%) dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+29,1%).
INSTAT llogarit dhe publikon treguesit mujor të statistikave të akomodimit që përbëjnë ofertën turistike në vend, duke përdorur metodën e vrojtimin tërësor të mbledhjes së të dhënave pranë strukturave akomoduese.
Metodologjia synon grumbullimin, prodhimin dhe publikimin e të dhënave cilësore në përputhje me Rregulloren e Bashkimit Europian (BE) nr. 692/2011 të statistikave Europiane të turizmit dhe amendimeve të saj./Monitor