Edi Paloka, kandidat për deputet në Tiranë dhe përfaqësues i Partisë Demokratike, ka reaguar ashpër ndaj aktivitetit të hapjes së fushatës elektorale nga Partia Socialiste, duke e cilësuar atë si një “shfaqje të shpifur dhe tallëse për qytetarët”.
Në një intervistë televizive, Paloka u shpreh se skenat e fushatës ishin një komedi politike, ku figura të rëndësishme të PS-së, sipas tij, ishin të detyruar të merrnin pjesë. Ai përmendi ish-kryeministrin Pandeli Majko, për të cilin tha se “u detyrua nga Rama të kërcente”, ndonëse sipas tij, Majko “nuk ka kërcyer kurrë në jetën e tij”.
Paloka komentoi edhe për zv/kryeministren Belinda Balluku, duke thënë me ironi se “asaj i takon të kërcejë dhe të hidhet përpjetë, sepse milionat në xhep e bëjnë ta bëjë atë veprim”. Më tej, ai tha se pjesëtarët e tjerë të PS-së që morën pjesë në aktivitet “ishin në pikë të hallit”.
Në vijim të kritikave, Paloka e krahasoi këtë skenë politike me praktikat e diktaturës, duke përmendur Stalinin dhe mënyrën se si ai i përfshinte anëtarët e byrosë në shfaqje për qëllime propagandistike. Sipas tij, ngjarje të tilla janë të papranueshme në një politikë serioze dhe nuk do të ndodhnin kurrë në Partinë Demokratike dhe me liderin e saj, Sali Berisha.
“Ajo shfaqja ishte jo vetëm tallëse për shqiptarët, por edhe për ata që kishin dalë aty. Pandeli Majko, dy herë kryeministër, e detyroi Rama të kërcente, Pandi që s’ka kërcyer kurrë në jetën e tij. Belindës i takon të kërcejë se i bëjnë milionat në xhep të hidhen përpjetë. Ata të shkretët e tjerë ishin në pikë të hallit,” – u shpreh Paloka.