Nga Abdurahim Ashiku
Meditime duke lexuar librin në dorëshkrim: “Gjoli Skavica kërcënon Dibranët e përgjumur” të Dr. Prof Selman Mëziut
Kam një “thes letrash” me Selman Mëziun.
Trokas e gërmoj sa herë më mbulon melankolia dhe më merr malli për vendlindjen.
Gjerb germa si të gjerb kokrra kafeje të sapo nxjerra nga dollapi i pjekjes.
Më shijojnë.
Më ngrenë në këmbë.
Më thërresin të ecë, të vrapoj gjurmëve që kam lënë në jetë.
Kam disa “thasë letrash” me shokë, miq, dashamirë…
Sot po udhëtoj në këmbë të Malit të Luznisë, Muhurrit, Çidhnës, Dardhës, Reçit…
Fushave që luajnë jesirë me tallazet e Drinit,
herë e hanë e herë i hanë…
Derisa Skavica do ti marrë e nuk do ti shoh as Selmani, as unë, askush.
Hurdha e Manës – tre pashë diametër do zhduket në Hurdhën e Skavejcës – tre milionë pash perimetër.
Selmani nuk më le rehat. Mediton si askush tjetër për Luginën e Drinit, atë të bërë cung, të vetmen copë të Drinit-Drin. I përshkruan ato vende si të varkojë mbi dallgët shkumëbardha, si të jetë atje e jo 2000 kilometra larg – syrgjyn gjallë.
Kësaj here më dërgoi jo një thes por një kosh kashte gruri me letra, një udhëtim hapakrahësh në të dy anët e Drinit nga Mireshi ku lind e deri në Skavicë kur mbytet.
Libër e quan ai…
Enciklopedi e quaj unë…
E lexova.
Me laps në dorë e me kujtime të hershme lundërtarë në qelizat e trurit tim.
Më është bërë zakon që sa herë lexoj ndonjë libër apo ndonjë dorëshkrim, kërkoj veten time, kjo veçanërisht kur flitet dhe shkruhet për dashurinë time, tashmë 28 vjet syrgjyn gjallë.
Nuk e di pse, kur Selmani shkruante për Mollën e Luzni-Muhurrit, për zhveshjen nga pylli e erozionin shkatërrues, u ktheva gjashtë dekada më parë kur si student u mora për katër vjet me radhë me studimin e erozionit ujor me një impiant në kodrat e Saukut dhe mbrojta diplomën me titullin “Erozioni në kushtet e Tiranës”.
Në hyrje të studimit shënoja…”Mijëra hektarë toka të reja që po hapen edhe në zonat më malore të vendit, atje ku për shekuj me radhë ka ekzistuar bimësi natyrale, është e natyrshme që do t’i nënshtrohen veprimeve të erozionit, në qoftë se për këto toka nuk do të merren masa për pengimin e tij…”
“Fshatari shqiptar e ka luftuar erozionin me aq sa ka ditur, me aq sa i kanë transmetuar breznitë dhe i ka mësuar përvoja e tij. Por megjithatë, mundësia për një luftë të organizuar në shkallë kombëtare nuk ka qenë e mundur”
“ Sipas të dhënave kadastrale të Ministrisë së Bujqësisë, në vendin tonë, si rezultat i erozionit, një pjesë e konsiderueshme e sipërfaqes së tokës shkatërrohet, duke arritur në disa vite edhe shifra të mëdha (2459 hektarë në 6-mujorin e parë të vitit 1963”…
(A.Ashiku: “Erozioni në kushtet e Tiranës” temë diplome -1966)
Si drejtues i sektorit të qendrës të Ndërmarrjes Bujqësore të Dibrës udhëhoqa projektin që pjerrësirat e thepisura të Ravnave t’i mbillnim dendur me lajthi Visoku për të marrë kokrrat e çmuara dhe për të mbrojt tokën nga gërryerjet.
Kur u ngjita mbi Begjunec dhe ndjeva bukurinë e brezareve që e kthyen Kuplonin në një pemëtore të kohëve moderne, qershi e vishnje që mbështeteshin mbi tarraca me lajthi, bëra reportazhin “Kuplon, vjeshtë e parë ‘92”…
Më fal Selman që dola nga zgjedha e shkrimit. Nuk më lë kulari i kujtimeve. E kam pa bashkë në qafë dhe plaga më dhemb po aq sa i dhemb edhe Selmanit kur fletë për erozionin ujor.
Muhurrin e dua…
E dua sepse rrënjët e mia, nga ana e nënës janë atje, në fshatin më të lartë të tij, në Bulaç, fisin e njohur Zhuzhe…
E dua sepse ditë të parë të punës dhe firmë të parë në borderonë e jetës sime kam lokalitetin e Muhurrit, agronom i të cilit kam qenë nga marsi deri në tetor të vitit 1960.
E dua se nga ai pozicion kam patkuar një nga një fshatrat e malit të Muhurrit, Luznisë dhe Katër-Grykëve. Jam njohur me njerëz, me vende, troje, histori qëndresash ndër shekuj, ekonominë e begatë fryt i duarve dhe mendjes së bujqve që në dije dhe kulturë mateshim me dije universitare.
E dua, se atje kam pas hapësirën e një faqeje gazete të “Zërit të Rinisë” ku ndër të tjera zë vend historia e gjallë e mësueses së parë të Muhurrit Sanie Berisha, mësuese që bashkë me 4 shoqe të saj hapi një fletë të madhe të emancipimit të vajzës dibrane.
Ajo shkruante: “Detyrën si mësuese, në fshatin tim të lindjes e prita me gëzim. Në ato momente kujtova rrugën që kisha ndjek, dorën që më drejtoi e sigurt në rrugën e jetës dhe u betova që ta kryej me nder detyrën e ngarkuar.
Që nga ato ditë filloi për mua puna e vërtetë. Vocërrakët fshatarë të mi, më rrethonin dhe prisnin të ndigjojnë nga unë një diçka të re. Në sytë e tyre unë shihja si në ekran andrrat që kishin marrë rrugën e mbarë. Përveç detyrës si mësuese gjatë këtij viti unë kreva edhe detyrën e përgjegjëses të vatrës së kulturës.
Familja e cila më rriti, me mund, asht e gëzueme për fatin tim.
Ata fshatarë që shikonin me mosbesim rrugën time, tash e shikojnë punën time me admirim…”
Libri: “Gjoli Skavica kërcënon Dibranët e përgjumur” është një enciklopedi njerëzore, emra të përveçëm që Selmani i ka takuar në përshkrimin e tij enciklopedik, emra njerëzish, fshatrash, fisesh, personalitetesh me të cilët bashkohet pa ekuivok në betejën për t’i thënë JO SKAVICËS, PO VENDLINDJES. Lexuesi, i humbur në lexim, do të takojë shumë njerëz që i ka njohur në jetë, personalitete popullore që ka pi kafe e ka dëgjuar rrëfimet e tyre, shumë fshatra që për ti njohur ka ecur me orë të tëra në këmbë, kroje (eh si më vjen në pamje e në buzë Kroi i Zi”!), lugina, lëndina, pyje ahu, dushku e pishe, blloqe të mëdhenj frutore e kanale ujitës që piketoheshin me karabinë gjermane…
Unë udhëtova me të.
U çlodha…
Duke radhitur këto fjalë në fjali, nga rafti i bibliotekës së vogël në mërgim nuk mund të rrija pa shfletuar një libër, një libër udhëtimi “Nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit”…
Johann Georg von Hahn: 1811-1869
“Prijës i studimeve shqiptare në fushë të etnologjisë, gjuhësisë e historisë…
Pionier në zbulime që… pa kontributin e madh të tij nuk kuptohet shkenca për etnokulturën, gjuhën dhe historinë e shqiptarëve”.
Ai më merr me vete e unë nuk mund të rri pa shkuar me të në Sohodoll, Boravjan e Brezhdan…
“…Sa më tepër që shkonim përpara në këtë fushë, aq më të frytshme dhe të kultivuara shëmbëllenin këto vise, aq më të gëzuara dhe të begatshme ishin tablotë që shpaloseshin syve tanë. Ne arritëm tek fshatrat Sohodoll dhe Borovjan që ndesheshin me njeri tjetrin dhe qendrat e të cilëve kishin një pamje krejtësisht të ngjashme me atë të qyteteve. Këtu pamë shtëpi të larta dykatëshe, të renditura pranë njëra tjetrës dhe të rrethuara nga mure të lyera me gëlqere, rrugë të shtruara me kalldrëm e me kanalizime të gjera. Dyqane bakejsh, madje një thertore të vogël ku ishin varur dhi të rrjepura, përqark tyre një brez të gjerë vreshtash, të cilët ngjiteshin lart deri në shpatin lindor që kishte një pendencë të butë dhe përtej tyre toka të punuara që mbërrinin deri në kreshtën e maleve – një pamje kjo shumë e rrallë në Shqipëri. Aty-këtu ndeshëm me grupe bujqish që vilnin rrush, megjithëse sezoni i vjeljes tashmë kishte kaluar. Dy prej tyre na dërguan rrush dhe të dy herët ata që na e sollën refuzuan të hollat që u ofruam. Pjesa e fundit e rrugës për të shkuar në shtëpinë e Has Begut kalonte pranë një vije uji me tre mullinj, pranë së cilës ishin mbjellë pemë dhe kaçube, që ishte e pasur me pamje piktoreske.
Brezhdani, qendra e Has Begut, ndodhet në afërsi të Drinit. Ajo është e rrethuar nga mure të larta dhe për llojin e saj përbën një ndërtesë impozante. Banesat e sundimtarëve turq, si rregull, prej një fasade të vetme trekatëshe, të dy fundet e secilës dalin përpara në trajtë kiosku. Salla në mes të këtyre dy kioskave që është me ballë nga oborrit përmban galeri të gjera të hapura në drejtimin e oborrit, të cilat komunikojnë me të gjitha dyert e dhomave….
(Johann Georg von Hahn – “Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit” f. 184-185
Selman Mëziu, me punimin shkencor e enciklopedik: “Gjoli Skavica kërcënon Dibranët e përgjumur” i ka vënë kazmën digës së korrupsionit më të madh të kohës sonë, i ka dhënë shpresë dibranëve që lugina e Drinit të Zi të jetë ashtu si e krijuar Zoti…
Në fletën e fundit, në meditimin poetik “Kur flas me Drinin” Ai shkruan…
Hedhim vështrimin lakmitar mbi relievet e zbukuruara nga natyra dhe meditojmë.
Kërkojmë të ngjallim dashuri njerëzore.
Kërkojmë të mbjellim dashuri trojesh, vendlindje.
Kërkojmë që brezat, që do vijnë, të vetëmbrohen, të shijojnë arkitekturën e peizazheve mrekulluese.
Duam të zgjojmë ndërgjegjen e sfilitur, e mekur, e dërmuar nga kohët e bilibashëve qeveritarë.
Vështirë e kemi që këto pak banues të mbetur t’i bindim që mjedisi natyror, nën mëshirën e ujërave të Drinit, duhet të lëviz e ndryshojë shtratin, sa herë të ketë fuqi e të dëshirojë.
Jo ta vetë ngujojmë!
Abdurahim Ashiku,
Gazetar, studjues
DIBRANËT JANË ATJE PËR TI THËNË JO SKAVICËS
E kush thotë se dibranët kanë ikë?
Atje janë,
Me rrënjë,
me degë,
me plëng e shtëpi,
me varre e miqësi…
Shikojeni këtë fotografi dhe
Binduni…
Shtëpi të reja, dy katëshe, VILA
Si në jalli ngritë janë,
me themele guri,
Drini si përlanë.
Tokat, pëllëmbë për pëllëmbë,
mbjellë janë,
pemët lule kanë,
fruta rrisin,
asgjë si ndan.
Shihni këtë fotografi:
Dhe binduni se Dibra
Atje është,
atje do të jetë,
ndër shekuj,
si ka qenë
gjithmonë…