Një incident ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier, ku oficerët e policisë dhe BKH-së janë përplasur me punonjësit e ndërtuesit Shkëlqim Kapllanajt, i afërm i Agron Kapllanaj, ish-kryebashkiak i Ballshit dhe ish-eksponent i Partisë Demokratike.
Në një reagim Kapllanaj ka dhënë versionin e tij lidhur me ngjarjen duke pohuar se në parkimin e zyrave të subjektit politik që ai përfaqëson ka shkuar një mjet i pa loguar rreth orës 18:00 dhe ka ngritur një dron.
Ky veprim sipas tij ka ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës.
“Kur ka shkuar roja i objektit për të kërkuar shpjegime se përse po ngrenë dronin nga parkimi i zyrave të tyre një prej agjentëve i ka thënë se ‘po kërkojnë të blejnë një pronë’, ndërsa më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda”, pretendon Kapllanaj.
Agjentët janë larguar pas këtij debate tregon Kapllanaj, por janë ndjekur nga disa zyrtarë të subjektit politik dhe dy të afërm të tij dhe mes tyre ka nisur një përplasje.
Kapllanaj pretendon se nuk kanë pasur informacion dhe nuk iu është thënë se ishin agjentë të BKH dhe nga këta të fundit sipas tij është nxjerrë edhe arma në formë kërcënimi.
Pas incidentit të ndodhur mbrëmë në Fier me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Operacionales, policia arrestoi tre persona.