Qeveria finlandeze njoftoi sot se kufiri lindor me Rusinë do të qëndrojë i mbyllur deri në një njoftim të dytë, si masë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe rendin publik. Vendimi vjen në vazhdën e rritjes së tensioneve mes dy vendeve, sidomos pas anëtarësimit të Finlandës në NATO.
Helsinki e mbylli kufirin me Rusinë në fund të vitit 2023, pasi u shënua një rritje e ndjeshme e fluksit të emigrantëve nga vende si Siria dhe Somalia. Qeveria finlandeze akuzon Rusinë se po përdor emigracionin si një mjet presioni dhe hakmarrjeje, duke e cilësuar këtë si “instrumentalizim të migracionit”. Kremlini i ka mohuar këto akuza.
“Në bazë të përvojave të mëparshme, ekziston ende mundësia reale që kjo situatë të përsëritet dhe madje të përkeqësohet”, thuhet në deklaratën zyrtare të qeverisë.
Finlanda ka miratuar gjithashtu një ligj emergjence, që i lejon të refuzojë kërkesat për azil për personat që tentojnë të hyjnë ilegalisht nga kufiri lindor me Rusinë dhe t’i kthejë ata mbrapsht, duke forcuar më tej masat për të frenuar hyrjet e paautorizuara.
Autoritetet finlandeze kanë bërë të ditur se do të monitorojnë rregullisht situatën dhe se regjimi i mbylljes së kufirit do të ndryshojë vetëm nëse nuk konstatohet më kërcënim serioz për sigurinë kombëtare apo rendin publik.