Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së Avni Deharit, kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se garantimi i funksionimit kushtetues të institucioneve është një nga përgjegjësitë themelore të saj si Presidente.
Në letrën dërguar Kuvendit, Osmani thekson se Kushtetuta dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë një interpretim që lehtëson, e jo pengon, themelimin dhe funksionimin e institucioneve shtetërore. Ajo citoi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin K072/20, sipas të cilit normat kushtetuese duhet të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve që burojnë nga vota e qytetarëve.
Presidentja përmendi gjithashtu edhe rastin K0119/14, ku theksohet detyrimi i deputetëve për të gjetur mënyra që Kuvendi të funksionalizohet, si dhe përgjegjësia e kryesuesit të seancës për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Duke u mbështetur në këto vendime, Osmani rikujtoi se praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese ka karakter detyrues, dhe është përgjegjësi e përbashkët të kontribuohet në funksionalizimin e institucioneve demokratike që burojnë nga vullneti qytetar.