Ballina Rajoni Përbërja e Qeverisë së Serbisë – aty është edhe shqiptari që nuk...

Përbërja e Qeverisë së Serbisë – aty është edhe shqiptari që nuk e njeh Kosovën shtet

27
0

Kuvendi i Serbisë me 153 vota pro votoi qeverinë e re të drejtuar nga Gjuro Macut. Në mesin e ministrave të kabinetit të ri qeveritar është edhe shqiptari që nuk e njeh Kosovën shtet- Demo Berisha – për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialog Social.

Demo Berisha, një shqiptar me origjinë nga Peja dhe ish-oficer i ushtrisë jugosllave, është një emër i njohur për opinionin publik për shkak të qëndrimeve të tij të hapura kundër pavarësisë së Kosovës.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë dje se propozimi i Demo Berishës për ministër është një goditje e rëndë për shqiptarët dhe i papranueshëm e i turpshëm, pasi ai nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut, por simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe Luginës së Preshevës.

Demo Berisha deklaron se është i lindur në Pejë dhe tani jeton në Vojvodinë, por nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe se atdheu i tij është Serbia. Në një intervistë për televizione të Vojvodinës (RTV Panonia dhe kanal 9), ai thotë se shkollën fillore e ka kryer në Kosovë, ndërsa, pastaj ka vazhduar në Sarajevë, ku ka kryer shkollën ushtarake, pastaj në Novi Sad.

Ai thotë që ka qenë pjesëtar i ushtrisë jugosllave dhe ka përfunduar karrierën e tij në ushtrinë e Serbisë, duke punuar një kohë të gjatë në policinë ushtarake.

Emrat e tjerë të kabinetit të ri qeverisës

Sinisha Mali është zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Financave; Ivica Daçiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme; Adrijana Mesaroviq, zëvendëskryeministre dhe ministre e Ekonomisë; Dragan Glamoçiq, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave; Sara Pavkov, ministre e Mbrojtjes së Mjedisit; Aleksandra Sofronijeviq, ministre e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës; Dubravka Gjedoviq Handanoviq, ministre e Minierave dhe Energjisë; Jagoda Lazareviq, ministre e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme; Nenad Vujiq, ministër i Drejtësisë; Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale; Bratislav Gashiq, ministër i Mbrojtjes; Marko Gjuriq, ministër i Punëve të Jashtme; Nemanja Staroviq, ministër për Integrime Evropiane; Dejan Vuk Stankoviq, ministër i Arsimit; Zlatibor Lonçar, ministër i Shëndetësisë; Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, ministre për Punë, Punësim, Veteranë dhe Çështje Sociale; Jelena Zhariq Kovaçeviq, ministre për Kujdesin Familjar dhe Demografi; Zoran Gajiq, ministër i Sportit; Nikolla Selakoviq, ministër i Kulturës; Milan Krkobabiq, ministër për Kujdesin e Fshatit; Bela Balint, ministër i Shkencës, Zhvillimit Teknologjik dhe Inovacionit; Husein Memiq, ministër i Turizmit dhe Rinisë; Boris Bratina, ministër i Informacionit dhe Telekomunikacionit; Darko Glishiq, ministër për Investime Publike; Novica Tonçev, ministër pa portofol; Gjorgje Miliçeviq, ministër pa portofol; Usame Zukorliq, ministër pa portofol; Nenad Popoviq, ministër pa portofol; Tatjana Macura, ministre pa portofol.

Kush është kryeministri i ri serb?

Kryeministri i ri serb Gjuro Macut është profesor ordinar i mjekësisë interne dhe endokrinologjisë në Fakultetin e Mjekësisë – Universiteti i Beogradit.

Në praktikën klinike është zëvendësdrejtor i Klinikës për Endokrinologji, Diabet dhe Sëmundje Metabolike të Qendrës Klinike Universitare të Serbisë, si dhe shef i Departamentit të Tumoreve Endokrine në të njëjtën klinikë.

Karriera e tij profesionale përfshin një përvojë shumëvjeçare në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve endokrine, me fokus të veçantë në endokrinologjinë riprodhuese dhe neuroendokrinologji.

Macut ka kundërshtuar protestat e studentëve që kanë shpërthyer në Serbi pas tragjedisë në Novi Sad, më 1 nëntor 2024.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu