Ballina Politika ‘Politika, njësoj si biznesi’, Shehaj: Duhen larguar hajdutët derisa gjen të ndershmin

‘Politika, njësoj si biznesi’, Shehaj: Duhen larguar hajdutët derisa gjen të ndershmin

59
0

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka zhvilluar një tjetër takim në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, këtë herë në një berberhane. Gjatë një bisede të drejtpërdrejtë me pronarin dhe një klient, Shehaj u përball me skepticizmin qytetar ndaj politikanëve, por zgjodhi të japë një përgjigje me një shembull praktik nga përditshmëria.

Klienti shprehu dyshimin se, për shkak të mosbesimit të krijuar nga politikanët e tjerë, e ka të vështirë të ketë besim edhe te Shehaj. Në përgjigje, Shehaj tha se një person që zbulon dikë duke vjedhur në punë, nuk duhet të vazhdojë me arsyetimin se “të gjithë vjedhin”, por ta largojë dhe të provojë sërish me një tjetër, derisa të gjejë dikë të ndershëm.

“Ti je sipërmarrës apo jo. Kur punëson dikë dhe zbulon që të vjedh, çfarë bën? Thua që të gjithë qenkan hajdutë? Jo! E heq dhe merr një tjetër. Nuk e di çfarë do bëjë ai tjetri, por ky më vodhi, ky largohet”, tha Shehaj.

Në vijim të bisedës, kreu i Partisë Mundësia theksoi se në Shqipëri ekziston një shtresë e madhe njerëzish që punojnë dhe sakrifikojnë çdo ditë, pa pritur ndere nga politika. Ai shtoi se misioni i tij është pikërisht të përfaqësojë këtë pjesë të shoqërisë.

“Ka një Shqipëri që punon. Ka një Shqipëri që sakrifikon. Dhe kur i vjen ndonjë politikan e i thotë: ‘Më voto se do të ndihmoj’, i thonë: ‘Jo mër, s’ta dua! Se unë ia dal me forcat e mia!’”, u shpreh ai.

Agron Shehaj dhe Partia Mundësia, që garon për herë të parë në zgjedhje me numrin 10, kanë kthyer vizitat në biznese të vogla në një shtyllë të rëndësishme të fushatës, duke synuar të përfaqësojnë sipërmarrësit dhe punëtorët si zëri i “Shqipërisë që punon”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu