Ballina Dossier Qëndrimi i Austrohungarisë ndaj kryengritjes shqiptare të vitit 1910

Qëndrimi i Austrohungarisë ndaj kryengritjes shqiptare të vitit 1910

26
0

Nga Lush Culaj

Politika e turqve të rinj ndaj kulturës kombëtare shqip­ta­re, ndalimi i veprimtarisë së klubeve, të shkollave shqipta­re, i botimit të gazetave dhe librave shqip, i kishte shqetësuar shumë shqiptarët. Ndikimi negativ i pushtetit në çështjen e alfabetit shqiptar ishte vërtet ndërhyrje e hapur në të drejtat e shqiptarëve që ishin të garantuara me kushte­tu­të. Të vetë­dijshëm se zhvillimi i vetëdijes kom­bë­tare të shqiptarët ki­shte marrë hov, turqit e rinj bënë çmos që ta ndalojnë këtë zhvillim kombëtar të tyre.

Në rrethanat e krijuara, në fund të marsit të vitit 1910 në viset e Kosovës filluan veprimet e para të armatosura. Qendra e kryengritjes u bë Juniku.

Pra pranvera e vitit 1910 i gjeti shqiptarët e Kosovës të organizuar në grupe të armatosura për të filluar luftën ku­ndër regjimit xhonturk.

Të vetëdijshëm se nuk mund të gjenin aleatë të jash­tëm në luftën e tyre kundër Perandorisë Osmane, udhëhe­qësit e kryengritjes së Kosovës bënë përpjekje që të paktën të siguronin krahët nga synimet shoviniste të shteteve fqi­nje.

Krijimi i shteteve kombëtare do të realizohet me vë­sh­tirësi dhe përmes një procesi të gjatë rritjeje politike dhe ushtarake, por pikërisht për shkak të zbatimit të një projekti të tillë do të lindin probleme të vështira për përcaktimin e territoreve që i përkisnin secilit nga shtetet të reja kombë­tare dhe atyre tashmë të krijuara. Serbia shfaqte interesim për krijimin e një aleance ballkanike për t’iu kundërvënë sy­ni­meve të Austro-Hungarisë.

Serbia ishte pothuajse i vetmi shtet sllav i Evropës Ju­g­­lindore, i cili u deklarua pothuajse haptas që në fillim ku­­ndër kryengritjes së re shqiptare. Në përcaktimin e këtij qëndrimi luajtën rol dominues dy momente kryesore: filli­misht raportet me Perandorinë Osmane, Bullgarinë dhe me Austro-Hungarinë; dhe, së dyti, ishte edhe çështja e autono­mi­së shqiptare. Në anën tjetër, diplomacia bullgare synon­te të lidhej me qarqet politike shqiptare për ta përdorur luf­tën e tyre në favor të qëllimeve të saj. Diplomacia e Beogra­dit u përpoq ta bindte atë të Sofjes se ishte në interesin e tyre t’i liheshin Turqisë duart e lira për ta shtypur kryengri­tjen shqiptare. Dyshimi se kryengritja shqiptare mund të shfrytëzohej nga Austro-Hungaria si pretekst për ndërhyrje në Evropën Juglindore përbënte arsye shtesë që Serbia të tregohej e rezervuar ndaj kryengritjes së vitit 1910 në Ko­sovë.

E preokupuar me interesa të veçanta rajonale, ndonë­se e pozicionuar në ketë periudhë kohore për ruajtjen e status quos, Austro-Hungaria i kushtonte vëmendje të ve­çan­të dhe i kundronte me kujdes zhvillimet në trevat shqi­pta­re. Si Austro-Hungaria, ashtu edhe Italia, po i dyfisho­nin përpjekjet diplomatike që t’i përvetësonin shqiptarët. Ndërsa Rusia këmbëngulte pranë Stambollit për ta çuar deri në fund ekspeditën ushtarake në Shqipëri, ministri i Punëve të Jashtme të Vjenës e këshillonte Stambollin që të mos shko­nte shumë larg me masat e dhunshme ndaj shqiptarëve. Qëndrim pothuajse të njëjtë mbajti edhe diplomacia gjerma­ne. Përmes rrugëve diplomatike të kontakteve me Stambo­llin, Vjena dhe Berlini tërhoqën vërejtjen për masat e tep­rua­­ra shtypëse. Ato i dhanë të kuptonte Stambollit se ndjek­ja e këshillave ruse për ashpërsimin e skajshëm të konfliktit me shqiptarët do t’i dobësonte të dyja palët dhe do të ishte në favor të shteteve fqinje të shqiptarëve, të cilat kishin pretendime territoriale ndaj trojeve shqiptare, gjë që nuk e dëshironin as Vjena e as Berlini.

Qëndrimi ndaj kryengritjes shqiptare të vitit 1910 qëndrim i përdorimit të forcës, apo qëndrim diplomati e di­nak i ndau qeveritarët dhe ushtarët osmanë në dysh. Mbë­shtetësit e dorës së fortë përfaqësoheshin nga ministri i Luftës, Mahmut Shefqet Pasha, ministri i Brendshëm, Talat Pasha dhe grupi i gjeneralëve me Xhavit Pashën në krye, të cilët këmbëngulnin për përdorimin e të gjitha mjeteve për ta asgjësuar kryengritjen brenda një kohe sa më të shkurtër, me çka do t’i jepej fund Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe çështjes shqiptare. Arsyeja për këtë, sipas tyre, ishte shma­ngja e ndërhyrjes të faktorit të jashtëm, në radhë të parë të Austro-Hungarisë dhe të Italisë, si fuqitë më të interesuara për çështjen shqiptare.

Siç shihet, në marrëdhëniet brenda trekëndëshit Serbi-Turqi-Bullgari patjetër që implikohej edhe faktori austro-hungarez. Ndonëse në këtë periudhë në marrëdhëniet serbo-austro-hungareze deri diku ishte ulur tensioni, në qarqet qe­ve­ritare të Beogradit mbizotëronte mendimi se ekzistonte rreziku nga Austro-Hungaria. Kryengritja shqiptare mund t’i shërbente asaj si casus belli për të ndërhyrë në Evropën Juglindore dhe në këtë mënyrë t’i drejtonte ngjarjet sipas obje­ktivave dhe interesave të veta. Beogradi sikur u çlirua paksa nga ky ankth, kur u bë e ditur se ndërmjet Austro-Hu­n­garisë dhe Rusisë ishte arritur pajtimi i plotë për ruajtjen e mëtejshme të status quos në Evropën Juglindore.

Në fillim të muajit shkurt 1910 edhe diplomacia e Sofjes analizonte dy variante për pajtim pikëpamjesh ndër­mjet dy fuqive të blloqeve kundërshtare, Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Sipas variantit të parë, Austro-Hungaria arriti ta bindte Rusinë që çështjet e kontestueshme në Evropën Jug­lindore t’i zgjidhnin me marrëveshje të ndërsjella.

Austro-Hungaria e vlerësonte shpërthimin e konfliktit të armatosur në kazanë e Prishtinës si rrjedhojë e masave sistematike shtypëse të qeverisë së Stambollit ndaj kërke­save kombëtare të shqiptarëve. Ajo gjykonte se pengimi i zhvillimit të kombit shqiptar i shkonte për shtati politikës shoviniste të shte­teve sllave që pretendonin viset shqiptare. Austro-Hun­ga­ria nuk dha, në të vërtetë, kurrfarë shenjash se e mbë­shteste kryengritjen shqiptare, për çka akuzohej vazhdi­misht nga Rusia dhe Serbia, por ajo ishte kundër ma­sa­ve të dhunës të ushtrisë osmane ndaj kryengritjes në Ko­so­vë, për të cilën qeveria osmane duhej të gjente gjuhën e kom­promisit me shqiptarët e t’i zgjidhte mosmarrëveshjet me ta me mjete paqësore.

Beogradi konsideronte se lëvizja shqiptare dhe krijimi i Shqipërisë si shtet mund të arrihej nëpërmjet faktorit të jashtëm, e në veçanti nëpërmjet politikës së Vjenës, e cila kër­konte ta eliminonte ndikimin e Romës si rivale në Ev­ropën Juglindore. Për dallim nga politikanët e tjerë serbë, të cilët te populli shqiptar nuk shihnin kurrfarë ideje ko­m­bëtare dhe hidhnin poshtë autonominë e tij, shefi i diploma­cisë serbe, Millovanoviqi tek autonomia shqiptare shihte formën e një shteti të ri në truallin e Evropës Juglindore, veçse të mos ishte nën tutelën e Austro-Hungarisë, e cila do ta plandoste Serbinë për tokë. Megjithatë, kryediplomati serb nuk dëshironte bashkëpunimin dhe mbështetjen te po­p­ulli shqiptar, veçse te disa persona, politikanë të pakënaqur e aventurierë, që sorollateshin nëpër Evropë me kuletën e Fuqive të Mëdha për ta mbrojtur çështjen shqiptare. Pra, diplomacia serbe nuk tregonte gatishmëri që përballë qëlli­meve të Vjenës të bashkëpunonte dhe të merrte në konside­ratë edhe faktorin shqiptar.

Politika e Romës e kundërshtonte shtrirjen e Austro-Hungarisë në bregdetin shqiptar, por, nga ana tjetër, nuk do të ishte kundër që aty ta vinte këmbën njëri ndër shtetet ballkanike. Nga pikëpamja ekonomike dhe politike për Romën do të ishte më e përshtatshme që ky shtet të ishte Serbia dhe kjo pikërisht për ta penguar Austro-Hungarinë. Pastaj Italia mbase do të pajtohej me propozimin e Austro-Hungarisë për krijimin e Shqipërisë së pavarur, gjë që do të ishte zgjidhje shumë e pakëndshme për Serbinë. Megjithatë, diplomacia serbe mund t’i ofronte diplomacisë italiane teza për paqëndrueshmërinë e Shqipërisë si shtet i pavarur. Për këtë arsye të dy fuqitë aleate doemos duhej ta mbanin atë nën protektorat të vazhdueshëm, që, në të vërtetë, do të ish­te një lloj mbikëqyrjeje. Mirëpo, në këtë rast Austro-Hunga­ria do të ishte gjithnjë e më e fuqishme, kështu që do ta eliminonte Italinë posa t’i vinte rasti i parë.

Italia, duke qenë se ishte e interesuar për ruajtjen e status quos në Shqipëri dhe në pjesën evropiane të pera­ndorisë, ajo angazhohej ta parandalonte përshkallëzimin e kryengritjes në Vilajetin e Kosovës. Rrjedhimisht ajo lejo­nte mundësinë e shuarjes së shpejtë të saj, por njëherazi ishte kundër përdorimit të dhunës, e cila mund të shkak­tonte një kryengritje me përmasa të përgjithshme e do të jepte shkas për intervenimin e Austro-Hungarisë, rivales së saj kryesore në Shqipëri, që realisht mund t’i cenonte intere­sat e saj strategjike në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Për realizimin e këtyre qëllimeve, konsulli i përgjith­shëm italian në Selanik, Primo Levi, pasi mblodhi të dhëna të nevojshme në Shqipërinë Veriore, shkoi në Stamboll për të kërkuar nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha një ndër­hyrje kolektive te Porta e Lartë, si masë parandaluese për shmangien e një kryengritjeje gjithëshqiptare në Vilajetin e Kosovës. Meqenëse për këtë hap nuk ishin të një mendjeje përfaqësuesi i Rusisë dhe i Francës, Italia kërkoi nga Petër­burgu që të angazhohej për ta penguar Vjenën në ndonjë hap mundshëm të “rrezikshëm” në Shqipëri.

Në maj të vitit 1910, pas përshkallëzimit të mëtej­shëm të masave të dhunshme të Shefqet Turgut Pashës, përfaqësuesit e Austro-Hungarisë, të Gjermanisë dhe të Ita­li­së ranë në një mendje të ndërmerrnin një hap të përbashkët te Porta e Lartë për ta bindur atë që të mos e përkeqësonte gjendjen në Shqipëri.

Sukseset e kryengritjes shqiptare në Grykë të Kaça­nikut i shqetësuan tej mase qarqet drejtuese të Beogradit dhe të Sofjes, edhe pse ia kishin dhënë pëlqimin e Portës së Lartë për veprim energjik kundër shqiptarëve, për të mbytur në gjak kërkesat “separatiste”shqiptare.

Beogradin, pa dyshim se, e shqetësonte jehona që shty­­­pi vjenez i bënte kryengritjes, po edhe ndërhyrja e drejt­përdrejtë e Austro-Hungarisë te Perandoria Osmane për të mbajtur një qëndrim më elastik ndaj shqiptarëve.

Informacionet dhe interesimet austro-hungareze për kryengritjen shtohen në vlugun e kryengritjes në datat 30 prill-1 maj, kur gjenerali osman Shefqet Turgut Pasha, i ve­ndosur në Shkup, që në mes të prillit, filloi ofensivën për t’i shkatërruar kryengritësit shqiptarë te Gryka e Kaça­nikut.

Natyrisht që kryengritjen e vitit 1910 në Kosovë do ta përkrahte edhe grupi parlamentar shqiptar në Parlamentin e Stambollit. Për këtë arsye, Ismail Qemali, duke qenë në dijeni për interesimin e Austro-Hungarisë për zhvillimin e ngjarjeve në rajon, ia përcjell ambasadorit austro-hungarez, Pallaviçinit, kërkesën që deputetët shqiptarë e parashtruan në Parlamentin osman, duke i informuar përfaqësuesit e Vje­nës në Stamboll se me kërkesat e tyre shqiptarët synonin të siguronin “një ndërtesë më vete”, çka nënkuptonte auto­nominë e Shqipërisë.

Pikërisht këto përpjekje shqiptare arrinin ta bindnin gjithnjë e më shumë edhe diplomacinë austro-hungareze se nuk kishte dilema rreth rritjes së peshës të faktorit shqiptar në Evropën Juglindore dhe vëmendjes së veçantë që i duhej kushtuar atij. Mbështetur në këtë fakt ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Erental, ia jepte instruksionet e nevojshme, më 21 prill 1910, ambasadorit të vet në Sta­mboll, Pallaviçinit. Diplomacia vjeneze grumbullonte të dhëna të shumta krahas personaliteteve intelektuale shqip­tare të kohës edhe për krerët e kryengritjes në terren.

Vjeshta e vitit 1910 solli ngjarje të reja në arenën ndërkombëtare dhe në Perandorinë Osmane. Pas përtëritjes së traktatit të Lidhjes Trepalëshe, u botua lajmi sensacional mbi arritjen e marrëveshjes ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë për ndarjen e sferave të ndikimit politik dhe ekono­mik në Ballkan, sipas së cilës të parës i njihej gjithë Maqe­donia deri në Selanik, ndërsa të dytës i njiheshin Mali i Zi dhe Shqipëria.

Ndërkaq, diplomacia vjeneze ndiqte me kujdes poli­tikën e Rusisë ndaj Evropës Juglindore, ku shihej qarta­zi se ajo po mbështeste shtetet sllave në dëm të interesave shqi­ptare.

Kryengritja u shtyp edhe për shkak se shqiptarët u ndodhën përballë një ushtrie të madhe në numër, në arma­time e në pajisje luftarake dhe e drejtuar nga oficerë të zgje­dhur. Kryengritja nuk e pati mbështetjen e politike të shte­teve fqinje, kurse edhe Fuqitë e Mëdha e vazhduan politi­kën tradicionale të ruajtjes së status quos. Megjithatë, in­te­­resi i Fuqive të Mëdha në raport me shqiptarët dhe çësh­tjen shqiptare po shtohej dita-ditës dhe pa dyshim në pozi­cionin më favorizues shfaqej Austro-Hungaria.

Nga viti 1909 e deri në vitin 1918 Austro-Hungaria gradualisht filloi të ndërhynte dhe kishte si qëllim krijimin e një Shqipërie autonome, e cila do të ishte e varur nga ajo në pikëpamje ekonomike, kulturore dhe politike. Shqipëria au­to­nome, nën influencë të Austro-Hungarisë, duhej të ishte aleati i saj kundër pansllavizmit dhe garancia për lundrimin e lirë nëpër ngushticën e Otrantos. Si legalizim i kësaj poli­tike të diplomacisë vjeneze vepronte kultursprektorati mbi katolikët shqiptarë.

Nga përshkrimi i rrethanave më lart, mund të konsta­tohet se qëllimi i politikës austro-hungareze, ndonëse kishte interesa të veta në këtë periudhë kohore, nuk ishte pushtimi i territoreve shqiptare, por pengimi i Serbisë për të siguruar dalje në det përmes Bosnjë-Hercegovinës, me çka do të pe­n­gohej shtrirja e sferës së ndikimit rus në pjesën perë­ndimore të Gadishullit Ballkanik. Gjykuar nga këto rretha­na, diplomacia austro-hungareze ishte e interesuar për një autonomi shqiptare nën ombrellën e Stambollit. Ky qën­drim i kësaj diplomacie ndërlidhej me faktin se krijimi i një shteti shqiptar, por shumë të brishtë, do të ishte pre e syni­meve shoviniste të shteteve sllave, e në radhë të parë Serbi­së me të cilat udhëhiqte Rusia.

Diplomacia austro-hungareze ishte e vetëdijshme se një hendek i thellë e ndante popullin shqiptar nga fqinjët e tij grabitqarë. Kjo është aq e vërtetë sa një prijës shqiptar në kryengritjen e vitit 1910 do të theksonte se shqiptarët do të pranonin më mirë të shkatërroheshin nga qeveria turke sesa të binin nën sundimin e serbëve.

Pa dyshim se një qëndrim i tillë i diplomacisë vjeneze konsistonte me faktin se duhej ta shmangte, sa ishte e mu­ndur, ndikimin e diplomacisë së Romës te shqiptarët. Mirë­po, ishte gjë e pashmangshme çështja se rivaliteti ndërmjet Vjenës dhe Romës të shtohej, pasi secila palë përpiqej të shto­nte ndikimin e vet te shqiptarët.

Në vazhdën e kësaj politike kontributi i Austro-Hun­garisë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë ishte i veça­ntë, e gjithashtu të veçanta ishin edhe përpjekjet diploma­tike për mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Pra, përderisa interesat ruse dhe sllave ishin për pen­gimin dhe mosekzistimin e shtetit shqiptar, interesat austro-hungareze ishin për formimin e një shteti etnik shqiptar në Evropën Juglindore, qoftë si shtet i pavarur, qoftë edhe si një shtet nën protektoratin e Austro-Hungarisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu