Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore është pezulluar nga posti me kërkesë të Prokurorisë së Beratit.
Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Sipas organit të akuzës, drejtori i AMP-së, Florian Sulejmani, ka transferuar oficerët e policisë gjyqësore në kundërshtim të plotë me ligjin.
“Në çmuarjen e prokurorisë dhe konfirmimin e gjykatës, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, se nga ana e personit nën hetim janë transferuar oficerët e policisë gjyqësore në kundërshtim të plotë me nenin 10 pika, pika 1, shkronja “c” dhe nenin 22 të Ligjit nr.25/2019 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë Gjyqësore”, dhe nenin 62 pika 5, të të Ligjit Nr. 128/2021 ‘’Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore’’,”- njoftoi Prokuroria.
Gjithashtu, sipas organit të akuzës, ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës.
“Masa sigurimit është e përshtatshme me nevojën e sigurimit. Gjithashtu, kjo masë ndaluese garanton një raport të drejtë midis rëndësisë së faktit dhe sanksionit që parashikohet për veprën penale konkrete me llojin e masës së sigurimit”, informon organi i akuzës.