EMISIONI VETTING
Një nga sfidat më të rëndësishme që kanë patur qeveritë shqiptare pas rënies së komunizmit ka qenë transporti, konkretisht sistemi hekurudhor.
Ka qenë një sfidë sepse nëse deri para viteve ’90, Shqipëria kishte hekurudha që mbulonin transportin e njerëzve dhe mallrave. Dyzet vite më pas asnjë qeveri nuk ka arritur jo vetëm ta zgjerojë rrjetin, por ka sjellë degradimin e hekurudhave.
Por teksa rrugët dhe portet janë nën radarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë, sektori hekurudhor është një tjetër plagë, e cila shkakton hemorragji të fondeve publike, e cila i ka shpëtuar skanerit të SPAK-ut.
Faktet po tregojnë se investimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe të shoqërisë publike “Hekurudha” sha janë pretekste për të tenderuar fonde publike për kompanitë pranë oborrit qeveritar.
Nga hulumtimet e “Vetting” rezulton se investimet më të rëndësishme për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës kanë tejkaluar afatin, ndërsa shteti shqiptar ka marrë një tjetër kredi për punime shtesë, një premtim i pambajtur nga zv.kryeministrja Belinda Balluku. Kjo ka sjellë rritjen e kostos nga 70 milionë euro që ishte oferta fituese e shoqërisë italiane INC S.P.A në 92 milionë euro, pothuajse sa oferta e dy kompanive e tjera që u skualifikuan.
“Vetting” ka zbuluar se ish Drejtorat e zv.kryeministres Balluku dhe persona që kanë punuar për njerëzit e saj më të afërt nëpërmjet kompanive fantazmë dhe pa eksperiencë marrin tendera nga Hekurudha, kontrata publike të cilat janë me shkelje ligjore. Madje kemi zbuluar se këto kompani nuk kanë zbatuar detyrimet e kontratave dhe Hekurudha Shqiptare i ka anashkaluar duke sjellë dëme ekonomike, që pasqyrohen edhe te falimenti i kompanisë publike.
Katër vite më parë, në shkurt 2021 në një konferencë për shtyp Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi se kishin arritur të firmosnin kontratën me kompaninë Italiane INC S.P.A. për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë-Rinas. Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga deklarata e zv.kryeministres Balluku dhe përsëri punimet nuk kanë përfunduar.
Projekti parashikonte rehabilitimin e linjës ekzistuese dhe do të përmirësonte cilësinë e lëvizjes së qytetarëve dhe do të zvogëlonte distancën me 22 minuta nga Tirana në Durrës, ndërsa për Rinasin vetëm 12 minuta. Madje ministrja Balluku tha publikisht se do të punësoheshin 2200 punonjës ndërkohë që kursimet nga përdorimi i trenave në krahasim me automjetet private do të ishte 55 milionë euro në vit.
‘Falenderoj partnerët tanë për grantin prej 36.65 milionë euro për projektin e detajuar dhe delegacionin e BE në Tiranë që kanë përkrahur këtë projekt që në gjenezat e tij”- do të deklaronte Ministrja Balluku duke falenderuar bashkëpunëtorët e huaj.
Mateo Colangeli, përfaqësuesi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të deklaronte se BERZH do ta mbështeste këtë projekt dhe se ky investim do të kishte një ndikim pozitiv në ekonominë e Shqipërisë.
“Jemi të lumtur që jemi pjesë e këtij investimi të parë në rijetësimin e rrjetit hekurudhor shqiptar. Një rrjet i mirë funksionues është mirë për ekonominë përparësia e parë në vazhdim do të jetë lidhja me këtë projekt e stacionit të ri në qendër të Tiranës që po financohet me grant të BERZH”, do të shprehej Mateo Colangeli.
Realisht projekti për hekurudhën ka qenë një barrë financiare, e cila deri më sot nuk ka kontribuar për zhvillimin e vendit dhe nuk ka ulur kostot e qytetarëve për transportin. Madje pa frikë mund të thuhet se janë shpërdoruar para, të cilat mund të ishin përdorur në sektorë si Shëndetësia dhe Policia, për personel dhe pajisje pasi janë pikat më kritike për vendin.