Ballina Aktualitet Mesazhi i Kryepeshkopit Joan për Pashkën: Ngjallja e Krishtit na forcon dhe...

Mesazhi i Kryepeshkopit Joan për Pashkën: Ngjallja e Krishtit na forcon dhe na jep të gjithëve besim

33
0

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani uroi sot besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës.

Në një mesazh drejtuar besimtarëve ortodoksë, Imzot Joani tha se “Pashka është përkujtimi i Ngjalljes së Zotit Jisu Krisht dhe e vërteta themelore e besimit dhe e jetës sonë. Nëse nuk do të kishte pasur Ngjallje, nëse nuk do të ishte mundur vdekja, atëherë predikimi dhe besimi ynë i krishterë do të ishte i kotë, thekson apostulli i madh, sepse vetëm nëpërmjet Ngjalljes së Zotit, natyra jonë njerëzore mori rëndësinë dhe kuptimin e saj të vërtetë”.

Kryepeshkopi Joan përkujtoi edhe Kryepeshkopin Anastas, i cili u nda nga jeta në janar të këtij viti.

“Këtë Pashkë ne nuk e kemi mes nesh Kryepiskopin tonë të dashur Anastas. Por zemrat tona ngushëllohen duke ditur se ai tani ndërmjetëson për ne pranë Zotit, sepse Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve. Besojmë se vdekja nuk është fundi, por fillimi i një jete të re në Perëndinë. Në shpresofshim në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi më të mjerët e gjithë njerëzve”, tha Imzot Joani.

Kryepeshkopi Joan u shpreh se “ngjallja e Krishtit na forcon dhe na jep të gjithëve besim, na jep jetë prej Jetës së Tij, një jetë e shenjtë, një jetë që mposht edhe vetë vdekjen, një jetë pa mbarim, ku pushteti tokësor i vdekjes nuk ka më fuqi”.
Kryepeshkopi Joan e vuri theksin edhe tek luftërat në botë.
“Por, ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e kësaj jete. Në botë ka padrejtësi dhe luftëra, varfëri dhe mundim, sëmundje dhe vdekje, që shpesh mund ta çojnë njeriun në dëshpërim. Egoizmi dhe lakmia i kanë helmuar dhe deformuar marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, duke i tjetërsuar dhe duke i vetmuar nga njëri-tjetri. Largimi nga vlerat, nga dashuria, drejtësia, dhembshuria dhe, sidomos, nga prania Zotit në jetën tonë të përditshme, krijon një errësirë shpirtërore, duke e mjegulluar mendjen njerëzore dhe duke e çoroditur kuptimin e jetës. Errësira shpirtërore është pengesa më e madhe për të hyrë në jetën dhe çlirimin e vërtetë. Por, sa më e madhe të jetë errësira, aq më shumë duhet drita. Në këtë ditë të shenjtë, të gjithë jemi të ftuar të marrim pjesë në këtë gëzim, sepse vetëm duke e përjetuar në jetën tonë dritën çliruese të Ngjalljes, qenia jonë mund të transformohet dhe të arrijë dimensionin e saj të plotë”, theksoi Kryepeshkopi Joan.
Kryepeshkopi Joan u shpreh se “nëse do të ndizet drita e ngjalljes në jetën tonë, atëherë edhe marrëdhëniet ndërnjerëzore do të ndriçohen”.
“Ndoshta sot, më shumë se kurrë, bota jonë ka nevojë për mesazhin e Pashkës, sepse Ngjallja nuk është thjesht një ngjarje e kaluar, por një përvojë e vazhdueshme për çdo kohë, për çdo brez dhe për çdo njeri, e cila jep shpresë, dritë dhe gëzim në jetën tonë dhe nuk na lejon të mbytemi në detin e hidhërimit. Pavarësisht se sa të vështira mund të jenë problemet tona, Ngjallja e Krishtit, na premton një të ardhme krejtësisht të ndryshme.
Ngjallja e Krishtit nuk është një ngjarje dhe një kremtim që ka të bëjë vetëm me Atë, por edhe me ne, sepse Ai na bëri pjesëtarë të Ngjalljes së Tij nëpërmjet plotësisë së natyrës së Tij njerëzore. Ngjallja e Tij prek dhe transformon të gjithë njerëzit, duke i dhënë ekzistencës së njeriut një jetë të re dhe duke u bërë treguesi i plotësimit përfundimtar të natyrës sonë njerëzore. Ai që sot u ngjall, – shkruan shën Grigor Theologu, – do të më përtërijë në shpirt dhe do të më veshë me njeriun e ri. Për Pashkë jemi thirrur të përqafojnë njëri-tjetrin dhe, për shkak të Ngjalljes jetëdhënëse të Krishtit, të falin njëri-tjetrin në çdo gjë, që të mund të thërrasin me një zemër të pastër: Krishti u Ngjall”, tha Kryepeshkopi Joan.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu