Ballina Bota Porto Riko në errësirë totale, ndërprerje masive e energjisë

Porto Riko në errësirë totale, ndërprerje masive e energjisë

23
0

Një ndërprerje masive e energjisë elektrike paralizoi të gjithë territorin e Porto Rikos të mërkurën, vetëm pak ditë para festimeve të fundjavës së Pashkëve, duke lënë në errësirë 1.4 milionë klientë dhe duke përkeqësuar situatën në një prej periudhave më të ngarkuara turistike të vitit.

Sipas zëdhënësit të kompanisë Luma Energy, Hugo Sorrentini, e cila menaxhon shpërndarjen e energjisë në territorin amerikan, vetëm rreth 12% e konsumatorëve kishin rikuperuar energjinë deri në mbrëmje. Më shumë se 328,000 qytetarë mbetën gjithashtu pa furnizim me ujë, përfshirë edhe spitale dhe aeroportin ndërkombëtar.

Ndërprerja erdhi në një moment kritik, pasi hotelet dhe resortet ishin pothuajse në kapacitet të plotë, me mijëra turistë që vizitonin ishullin për Pashkë. Autoritetet lokale u përpoqën të qetësonin vizitorët, duke sqaruar se shumë prej hoteleve dhe bizneseve ishin të pajisura me gjeneratorë rezervë.

“Është e papranueshme që kemi një dështim të kësaj përmasash në sistemin e transmetimit të energjisë,” deklaroi guvernatorja Jenniffer González, e cila ndërpreu pushimet për t’u kthyer menjëherë në ishull.

Zyrtarët njoftuan se deri në 90% e konsumatorëve pritet të rifitojnë energjinë elektrike brenda 48 deri në 72 orë, por shkaku i ndërprerjes së fundit ende nuk është përcaktuar. Kjo është vetëm një nga një sërë ndërprerjesh të rënda që kanë prekur Porto Rikon në vitet e fundit, duke shtuar pakënaqësinë ndaj kompanive energjetike.

“Është një katastrofë totale,” tha Orlando Huertas, 68 vjeç, ndërsa pinte një pije me një mik në një bar lokal. Ai kritikoi ashpër qeverinë për dështimin në përballimin e ndërprerjeve të shpeshta dhe ripërsëriti thirrjen për anulimin e kontratave me kompanitë Luma dhe Genera PR – kjo e fundit mbikëqyr prodhimin e energjisë.

Ndërkohë, jeta në kryeqytet dhe rrethina u paralizua: shumë biznese, përfshirë qendrën tregtare më të madhe, u detyruan të mbyllnin dyert; ndeshjet e bejsbollit dhe basketbollit u anuluan; trafiku u bllokua dhe qindra njerëz u detyruan të ecnin nëpër mbikalime për të lëvizur mes ndërprerjes së sistemit të transportit urban. Zhurma e gjeneratorëve dhe tymi në ajër krijuan një atmosferë të rënduar./ AP

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu