Në datën 8 nëntor të vitit të kaluar, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për një objekt rezidencial, të quajtur Garda Tower. Kulla 33 kate e lartë do të ndërtohet në hyrje të Liqenit Artificial të Tiranës, pranë ish Gardës së Republikës.
Kompanitë që kanë marrë lejen për ndërtimin e saj janë Artech Group dhe Hasalami shpk. Artech Group është një kompani që zotërohet nga dy ortakë, Lejkë dhe Gjergji Habilaj. Ndërsa Hasalami shpk zotërohet nga Devis Hasalami. Ky është djali i Mehmet Hasalamit, drejtorit të Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit në Miniera dhe Industri, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Zoti Hasalami më parë ka qenë dhe kandidat për deputet i Partisë Socialiste, ndërsa aktualisht nuk e ka problem të shpreh hapur bindjet e tij socialiste në rrjetet sociale, ku promovon fushatën e partisë në pushtet.
Por bindjet dhe lidhjet politike të zotit Hasalami janë vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër ka të bëjë me fondet publike.
Partia Demokratike e ka denoncuar disa herë publikisht dhe drejtëpërdrejt me emër Mehmet Hasalamin si një përfitues i madh tenderash publikë dhe madje koncesionesh.
“Një drejtor i lartë në administratën kleptokrate të Edi Ramës, merr rrogën që i paguhet nga takspaguesit dhe sikur shqiptaret t’ja kishin borxh, fut në xhep edhe 4 miliard lekë nga kontratat me kompaninë e tij private dhe disa miliona euro nga koncensionet. Mehmet Hasalami quhet drejtori, dhe ai është në krye të Drejtorisë së Programeve të Zhvilliminë Miniera dhe Industri, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë,” deklaroi në një konferencë të posaccme për shtyp, zëdhënësja e departamentit Anti Korrupsion në Partinë Demokratike.
Zoti Hasalami ka interesa në disa kompani private, projektimi, ndërtimi apo kompani në fushën e energjisë, përmes të cilëve ai përfiton fonde masive publike. Madje ai zotëron edhe koncesione hidrocentralesh, si hece-t Veleshica 1 dhe Veleshica 2, ku është bashkëortak me Hamz Islamajn e kompanisë BE-IS nga 50 për qind.
Tashmë paratë e taksapaguesve që Hasalami ka marrë nga buxheti i shtetit do të shkojnë për ndërtimin e kullës së tij të lartë. Një tjetër pykë që ngulet mu në zemër të parkut të Liqenit Artificial.
Në fakt, rasti Hasalami nuk është një devijim i izoluar. Maxhoranca aktuale është e zhytur thellë në pusin e konfliktit të interesit, ku zyrtarë të lartë publikë përfitojnë fonde buxhetore, drejtëpërdrejtë me emrin e tyre ose në mënyrë të kamufluar nga kompanitë që kontrollojnë realisht përmes prestanomeve.
Ky është një sistem i impleksur keq me kleptokracinë dhe faktet publike për këtë janë të shumta në dosjet hetimore të SPAK./kapital