Ndërsa kanë mbërritur edhe votat e para nga Diaspora për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, mësohet edhe numri i emigrantëve që e kanë kryer këtë proces deri tani.
497 persona kanë votuar deri më tani dhe e kanë dorëzuar fletën e plotësuar në postë. Fletët e para kanë ardhur mbrëmë në Rinas, ku po mbahen në zonë sigurie.
Pritet avioni i sotëm në 17:00 dhe pas proçeseve doganore zarfet e para do të mbërrijnë tek Parku Olimpik “Feti Borova”, në orën 19:00.
Zarfet grumbullohen në zonë sigurie dhe nuk hapen deri pasi të mbarojë procesi i votimit më 11 maj. Do të ketë kuti të grumbulluara sipas 12 qarqeve dhe nuk do ketë vonesa numërimi, pasi do ngrihen 12 tavolina numërimi, po sipas qarqeve.
Sipas procesit, DHL do t’ja dorëzojë thasët KQZ-së, e cila, pasi t’i hapë pakot një nga një e t’i nxjerrë nga zarfi plastik i verdhë, do të skanojë barcodet e zarfeve B.
Në sistemin elektronik do të shfaqen emrat e zgjedhësve që kanë kthyer fletën.
Në fund: Zarfet B, do të ndahen në kuti sipas qarqeve. Votat nuk do të hapen, deri më 11 maj kur të nisë votimi në Shqipëri.