Për herë të parë në karrierën e tij të gjatë politike, kryeministri Edi Rama e ka futur veten në kryeqytet si kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 Majit, por jo në garë të hapur por në vendin super të sigurt i pari në listën e mbyllur.
Pavarësisht kësaj, “një mision të ri” e cilësoi kreu i PS vendimin për të garuar në Tiranë, teksa zhvilloi mbrëmjen e sotme një takim me mbështetësit në zonën e Kasharit.
“Rasti e solli që të jem deputet i Tiranës, nuk kam qenë asnjëherë jam këtë herë dhe për shkak të kësaj detyre. Po thosha se duket qenë se kjo e deputetit të Tiranës është mision i ri për mua dhe për shkak të ndjekjes së fushatës kam shkuar në shumë pjesë të Tiranës që nuk i kam parë, dhe kam parë ndryshime të jashtëzakonshme, është diçka krejt tjetër nga si ka qenë. Duke qenë se atëherë kur ne e nxorëm Tiranën nga një kënetë e jashtëzakonshme, e paimagjinueshme, dhe filloi qyteti të zhvillohej, perceptimi im ka mbetur mbrapa në raport me shumë pjesë të qytetit që janë integruar plotësisht”, tha Rama.
Për të treguar se Tirana që ai njihte si kryebashkiak është rritur dhe ka avancuar shumë në këto 12 vite që ka shërbyer si kryeministër, Rama mori shembull Astirin, i cili është kthyer në një nga qendrat e reja të kryeqytetit.
“Do habiteni po t’u them se më parë Astiri për shembull nuk ekzistonte. Në këtë transformim të madh kam parë shumë gjëra që duhet t’i adresojmë. Në këto kushte sot, ky qytet ka potencial për tu bërë më i mirë për qytetarët e vetë. Njëherë e një kohë Tirana kishte një qendër dhe të gjithë vërtiteshin rreth saj, qyteti është bërë më i madh dhe jeta është ndarë në shumë pjesë, qyteti ka dhe qendra të tjera, ku ka komunitetet që jetojnë rreth asaj qendre. Kam parasysh Kombinatin, Kasharin dhe zonën e Astirit që kanë krijuar një bazë të rëndësishme forcash pune, energjie, plot jetë dhe që kanë nevoja që nëse i adresojmë siç duhet, cilësia e jetës bëhet shumë herë më e mirë. Ne do të angazhohemi shumë për këtë”, deklaroi Rama.