Ballina Dossier Historia e panjohur e Derës së Kapidanit të Oroshit: Vrasja e tre...

Historia e panjohur e Derës së Kapidanit të Oroshit: Vrasja e tre djemve të Lleshit të Zi, nga djali i vëllait të tij

16
0

Gjithnjë në jetën time në vendlindje dhe New York, më ka shqetësuar origjina e hershme e zhvendosjeve apo shpërnguljeve të të parëve të mi nga Mirdita dhe vendosja në pjesën perëndimore të Kosovës. Kështu gjatë shekujve të historisë, kemi përqendrimin e banorëve katolikë në Kosovë me prejardhje jo shumë të largët nga Mirdita, të cilët quhen Fandë. Mbi këto banorë ardhacakë të së njëjtës kombësi, gjuhe, zakone e tradita, por të larguar për arsye ekonomike apo gjakmarrjeje do të shkruajnë, udhëtarë të huaj, kronistë, klerikë katolikë të shkolluar, albanologë, studiues e diplomatë të ditur të kohës.

Një ndër autorët, që trajton si personazh real banorët e Fandës, është edhe gjeniu me origjinë mirditor “poeti kombëtar” At Gjergj Fishta (1870-1940). Disa vargje poeti ua përkushton banorëve të njohur të Fandës, në kryeveprën e mirënjohur “Lahuta e Malcis”.

Mirdita, gjatë shekujve të kaluar ka nxjerrë burra të shquar që me jetën dhe veprën e lavdishme, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare dhe më së shumti në Shqipërinë e Veriut.
Shpesh herë njerëzit kanë qenë të interesuar të njohin nga afër ecurinë interesante të Derës së Madhe të Gjomarkut, të mirënjohur si “Dera e Kapidanit të Mirditës”, që nga zanafilla (shek. XV) e deri më sot, duke u mbështetur nga të dhënat historike, gojëdhëna popullore dhe literatura e pasur sot.

Dera e Kapidanit të Mirditës me vullnesën e popullit kanë udhëheqë Mirditën, me urti, maturi, politikë e jetë normale për komunitetin shqiptar, me sjellje të denjë burrërore dhe një guxim të madh në mbrojtje të interesave të popullit, duke punuar me përkushtim për bashkimin e fiseve, vëllazërimin dhe bashkëpunimin reciprok të familjeve, nxitjen dhe përkrahjen e idealeve kombëtare, kundër pushtuesve të huaj, që gjatë shekujve kanë shkelur trojet shqiptare.

Në këtë udhë pozitive, në të mirë të krahinës zëmadhe të Mirditës, ka udhëheqë Dera e Kapidanit që nga shekulli XV. Gjomarku I-rë, i ftuar nga populli, për t’i udhëhequr si krye-prijës i tyre, u është shprehur hapur dhe në mënyrë demokratike Mirditës se: “Nëse më pranoni për udhëhjeksë, un dhe pasardhësit e mijë do ta sundojmë e do ta drejtojmë popullin e Mirditës pa kurrfarë të drejte të dhetash, taksash, gjobash, xhelep, etj., por vetëm në bazë të së drejtës kanunore dhe do të respektojmë të drejtën familjare e pronës private të caktueme me gurë e kufi. Ju premtoj gjithashtu se kam me vuejtë, me sakrifikue, me u djegë, me luftue e me dekë për Mirditë e bashkë me mirditas” (fq. 60).

Gjatë viteve gjithnjë më ka shqetësuar seria e pyetjeve enigme, se cila është prejardhja e Principatës apo Derës së Gjomarkut, a kanë ato lidhje me Derën e Dukagjinve, qysh nga periudha e lavdishme e Gjergj Kastriotit të kohës së Arbërit, si paraqitet shtrirja gjeografike e tyre, cila është ecuria e qëndresës kundër Portës së Lartë Otomane gjatë shekujve të sundimit turk në Arberi, jeta dhe sundimi i Kanunit të maleve kreshnike, pse respektoheshin këto kode më së shumti në Shqipërinë e Veriut, luftërat e njëpasnjëshme që kanë zhvilluar Mirditorët për të ruajtur Autonominë e saj, lufta titanike kundër komunizmit dhe shërbëtorëve të saj, organizimi i rezistencës së armatosur nëpër malet e Veriut të Shqipërisë, aktiviteti i pasur patriotik i Kapidanit të Mirditës në diasporën Evropiane, aktiviteti i Kapidanit të Mirditës Ndue Gjon Marku dhe drejtimi i “Bllokut Indipendent”, në SHBA etj., etj.?!

Këtyre pyetjeve dhe shumë të tjera, që i përkasin gjashtë shekujve të fundit të mijëvjeçarit të dytë (shek.XX), u jep përgjigje objektive juristi i mprehtë, aktivisti e patrioti i palodhur shqiptar Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku, përmes librit jetëshkrimor me titull: “Mirdita, Dera e Gjomarkut, Kanuni”, botuar në Nju Jork (New York) në vitin 2002.

Me Palin dhe më pas me Lekë Dukagjinin, vijon vargu i djemve, që zë fill me djalin Gjon Mark Kolë Pali (Marku i parë) me të cilin u bart dhe merr emrin Dera e mirënjohur e Gjomarkut. Kështu djemtë bëhen trungu, ndera dhe zemra e Mirditës. Pema e familjes së Principatës së Mirditës si Dera e Gjomarkajve ose Kapidani i Mirditës, vijon me Marka Gjoni I-rë, që është djali i Gjon Markut II-të, të vrarë prej turqve, duke i lënë vendin barkut të parë të pasardhësve që zë fill me Preng Lleshin I-rë.

Më pas vijnë Dodë Prenga, Bibë Doda. Përveç këtij të fundit që ka lënë trashëgimtarë, Principata e Mirditës – japin drejtim dhe zhvillim pemës së Derës të Gjomarkut. Dhe më pas vijon brezi i meshkujve që vijnë nga barku II-të dhe III-të, duke ruajtur e trashëguar më tej nderen e fisme dhe emrin e mirë të Derës së Gjomarkut ose Kapidanit të Mirditës brez pas brezi.

Respekti dhe autoriteti trashëgohet dhe përcillet me mirënjohje nga të gjithë banorët autoktonë të Mirditës, jehona e famës së Principatës së Mirditës pasurohet me përvojë dhe histori të lavdishme, që ruhet e regjistruar thellë në kujtesën e historisë së krahinës me merita të shumanshme burrërie, trimërie, bujarie, besnikërie, të ushqyer nga tradita e hershme e Kanunit të Maleve të Lekë Dukagjinit.

E parë në planin e mbijetesës origjinale me të gjithë elementët e ruajtjes të pastër të traditës të mirëfilltë shqiptare, kjo Dinasti, ka mundur të mbijetojë ndaj furtunës së egër të pushtuesve barbarë turq, serbo-malazezë dhe regjimit antishqiptar e ateist komunist.

Autorë të ndryshëm, si: albanologë, udhëtarë e vizitorë të huaj, francezë, italianë, anglezë, austriakë, hungarezë, serbë, malazezë, grekë, maqedonas, kroatë, sllovenë etj., kanë cekur në fletët e historisë, duke lënë të shkruar përshkrime udhëtimi, relacione dërguar Vatikanit, takime me banorë mirditorë, historitë e dioqezave dhe jetën e aktivitetin baritor të udhëheqësve të devotshëm shpirtëror të kishës katolike, historinë dhe traditën e Principatës së Mirditës.

– Dera e Gjomarkajve – Kapidani, marrëdhëniet ekonomiko-sociale dhe urë-lidhjet kulturore e zakonore të krahinës me simotrat e tjera brenda territorit të Arberit, lëvizjet mekanike të popullsisë në drejtim të qendrave të reja të banimit dhe shpërnguljet në drejtim të zonave më pjellore e të përshtatshme për ekonominë bujqësore, blegtorale dhe artizanate, të cilat kanë qenë ushtruar si traditë në tërë krahinat shqiptare, etj.

Nëse do të citonim disa nga autorët më të njohur asokohe, mund të shtonim se shumë të rëndësishme kanë mbetur shënimet dhe vlerësimet shumë domethënëse të shkruar nga albanologu i mirënjohur asokohe francezi Amy Bue, i cili në veprën “La Turque d’Europa” (Paris, 1880), ndër të tjera thotë se krahina, ka përfaqësues të denjë që njihen dhe respektohen nga të gjithë dhe ajo është Dera e njohur e Dinastisë së Kapedanëve të Mirditës.

Principata ka gëzuar dhe gëzon respekt e autoritet, mbasi përdor me përpikëri burimet e traditës vendase që mbështetet tek ligjet e njohura ndër brezni të Kanunit të Lekë Dukagjinit, që rregullon jetën e brendshme të banorëve me shtrirje në të gjithë Shqipërinë e Veriut e deri në Kosovë.

Meshtari që njihte shumë mirë doket e zakonet shqiptare dhe jetën e Kapidanit, ka qenë Don Stefano Gaspari, një prift katolik shqiptar, i dërguar prej Vatikanit (Selia e Shenjtë) në Shqipëri në vitin 1671, ku në shënimet e tij përshkruan me hollësi gjendjen e mjerë të klerit katolik në krahinë.

Kleriku midis të tjerave cekë edhe marrëveshjen me pesë pika, të nënshkruar midis Perandorisë pushtuese Turke me përfaqësuesin e Principatës së Mirditës pinjollin e denjë të Derës së Gjomarkut – Kapidanin Gjon Marku I-rë. Sipas shumë burimeve arkivore të hulumtuara deri në ditët tona, del se marrëveshja në fjalë ka qëndruar në fuqi për afro 3 shekujve, duke respektuar me besnikëri çdo pikë të rëndësishme të saj.

Ndërsa më vonë historiani Freng Poqeville (albanolog), Konsull i Napoleonit I-rë në Janinë (1806 – 1816) përmend për herë të parë, se: “Mirdita në vjetin 1550 ka zgjedhë Dinastin princore në personin e Gjon Marku I…”, e cila ka mbërritur 82 vjet pas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit.

Historikisht Dera e Gjomarkut, mundi që të trajtojë me mjeshtëri të rrallë gjithçka që ishte me ligjin tradicional të Kanunit, ku siguroi paqen, bashkimin, vëllazërimin dhe nivelin e admirueshëm të mirëkuptimit të popullit të Mirditës. Edhe albanologu tjetër Dometrio Camarda, në veprën e vet të titulluar: “Gramatologia Comparata” (1866), shkruan se malësorët qëndruan të bashkuar përballë pushtimit otoman, duke respektuar gjithnjë Princin e Mirditës me seli në Orosh, duke mos e ulë kurrë Bajrakun dhe Fenë e të parëve.

Gjomarkajt kanë qenë shumë të kujdesshëm dhe të përpiktë në të gjitha lidhjet martesore që kanë bërë, duke mos u martuar asnjëherë me tre bajraqet e fisit, që gjithnjë konsideroheshin si vëllezër, si: Orosh, Spaç e Kushne, duke krijuar një dinasti në pastërtinë e gjakut dhe forcuar e zgjeruar edhe më shumë influencën e prestigjin e saj zëmadh edhe në krahina të tjera të Shqipërisë Veriore.

Mirdita dhe Principata e Derës së Gjomarkut, ishte pararoja e qëndresës kundër Portës së Lartë Turke asokohe, rrugë në të cilën vijuan edhe Dukagjini dhe Kelmendi në Malësi të Madhe, si një dritë e pashuar në të mirën e të drejtave kombëtare. Ajo ishte e përgatitur për sfida të reja. Dera e Kapidanit të Mirditës, kishte një fuqi të fortë ushtarake në përbërje të të cilit bënin pjesë mbi 1500 luftëtarë shumë të zot dhe besnikë të Kanunit dhe Derës që përfaqësonin, duke iu përgjigjur çdo thirrje me armë në dorë.

Respektin ndaj Kapidanit e kanë shpreh gjithnjë në kuvende burrash, delegacione shqiptarësh për çështje të ndryshme sociale dhe kombëtare, apo kur ka qenë çështja e parisë së maleve në Shqipërinë e Veriut. Midis shumë personaliteteve që kanë lënë emër të mirë në historinë e popullit shqiptar janë edhe figura të njohura të atdhedashurisë, sikurse është trimi i maleve Dedë Gjo’ Luli etj.

Një shembull klasik i besnikërisë ndaj Principatës së Mirditës – Dera e Gjomarkut – Kapidani, ka mbetur historia e lavdishme dhe e rëndësishme e skalitur në figurën e paharruar të Lleshit të Zi, një pinjoll i përkushtuar i Dinastisë së Derës së Gjomarkut. Trimëria e tij veçohet më së shumti në planin e thekshëm atdhetar. Nga burimet historike dhe përmes veprës së Kapidanit të Mirditës Ndue Gjon Marku, me titull: “Mirdita Dera e Gjomarkut, Kanuni” (New York, 2002), ndër të tjera mësojmë, se ishte koha kur Turqia kërkonte që të dorëzoheshin të gjithë luftëtarët mirditorë, që kishin marrë pjesë aktive më armë në dorë e ndërgjegje atdhetare në Luftën e Kalasë (Rozafa) së Shkodrës ose në të kundërt do të fillonte ndëshkimin fizik me ekspedita ushtarake në të gjithë krahinën, duke vrarë, djegur shtëpi, sipas zakonit të përhershëm si pushtues në shekuj.

Mirëpo Lleshi i Zi, falë zgjuarsisë së trashëguar e kuptoi veprimin dinak të çallmave të Bosforit, që nga çasti në çast po i kërcënohej Mirditës, prandaj lajmëroi Stambollin se: “përgjegjësia ishte e tij, se vetëm ai (Lleshi i Zi) duhej të dorëzohej, me kusht që Mirdita të mos prekej”.

Nga ana e tjetër Perandoria Otomane, nuk e njihte mirë Lleshin e Zi, emrin dhe burrërinë e madhe të tij. Turqia e befasuar nga trimëria dhe përgjegjësia për të marrë mbi vete të gjithë barrën e rëndë të sakrificës, deri në flijim që po bënte Lleshi i Zi, pranoi kushtet, i vuri prangat Lleshit të Zi dhe e plandosi për 9 vjet me radhë në burg dhe sugjerime të njohura të Janinës.

E vlerësuar sot pas shumë shekujve, Mirdita i është shumë mirënjohëse përpara historisë birit të saj të flaktë për gjestin e sakrificës që mori përsipër, ku me burrëri të pashoq u vetësakrifikua në emër të gjithë krahinës, që e donte si dritën e syve të ballit. Por nga ana e tjetër Zoti i gjithëpushtetshëm me mrekullinë e Tij, e ruajti me përkujdesje Kapidanin e Mirditës dhe dëshminë historike për brezat që do të vijnë si shembull pozitiv.

Pas shumë kalvareve e peripecive që iu desht të kalonte nëpër burgjet e ftohta anadollake, Lleshi i Zi u rikthye nga internimi. Një fatkeqësi kishte pllakosur Derën e Principatës së Gjomarkajve. Vrasja e tre djemve të tij, nga nipi i vet (djali i vëllait), i nxitur drejtpërdrejtë nga djallëzitë e pushtuesve turq, përmes politikes “përça e sundo”, e ligështoi në zemër humbja e djemve, por nuk e mposhti urrejtjen ndaj pushtuesve që jo vetëm e syrgjynosën, por i futën në shtëpi vrasjen brenda gjakut.

Ky akt e lëndoi rëndë Mirditën dhe Lleshin e Zi, të cilin Turqia e liroi nga burgu, për të “pajtuar” gjakrat nga konfliktet e të cilave ishin vrarë 22 vetë, vetëm prej dy lagjeve. Kjo mbetet tragjedia më e madhe e gjakmarrjes së kobshme në Derën e Gjomarkut, e shkaktuar nga fitilat e pushtuesve turq. Në këtë mënyrë, pushtuesi mundi të jetë më në brendësi të të gjithë intrigave që gatuante vetë, për të dobësuar dhe çoroditur sa të jetë e mundur Derën më me influencë të Kapidanit të Mirditës në Orosh.

Politika e intrigave të kurdisur e luajtur me një skenar të parapërgatitur shumë mirë, kishte mundur të depërtonte dhe të shkaktonte plagë të rënda në Derën e Madhe të Principatës në fjalë. Me gjithë këtë fatkeqësi, gjatë kohës së sundimit të Lleshit të Zi, ai mundi të ri-shëronte plagët e thella, zgjeroi dhe shtriu emrin, respektin dhe prestigjin e Derës së Gjomarkut dhe tek njerëzit me influencë në Shqipërinë e Veriut dhe Jugut. I tillë ka qenë Ali Pashë Tepelena. Memorie.al Nga Tomë MRIJAJ