Ballina Kosovë Kriza institucionale në Kosovë, ambasadorët e Britanisë dhe Gjermanisë bëjnë thirrje për...

Kriza institucionale në Kosovë, ambasadorët e Britanisë dhe Gjermanisë bëjnë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak

19
0

Ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Kosovë kanë reaguar pas dështimit të dytë radhazi për konstituimin e Kuvendit të ri, duke u bërë thirrje partive politike që të lënë mënjanë përplasjet dhe të punojnë bashkë për formimin e institucioneve të reja.

Përmes një reagimi në Facebook, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves theksoi se qytetarët kanë të drejtë të presin që udhëheqësit e tyre të vënë interesin e vendit mbi interesat partiake.

Kosova ka nevojë urgjente për formimin e institucioneve të reja. Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga zgjedhjet dhe qytetarët presin përfaqësim dhe veprim”, u shpreh ai.

Një reagim të ngjashëm pati edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili përmes rrjetit social Bluesky u shpreh i shqetësuar për, siç i quajti ai, “taktikat penguese” që po vonojnë krijimin e institucioneve.

“Qytetarët meritojnë politikanë që vendosin Kosovën para interesave partiake. Bashkëpunimi i mirëfilltë është urgjent për të garantuar institucione funksionale dhe një qeveri të qëndrueshme”, shkroi Rohde.

Për të dytën herë brenda javës, seanca për konstituimin e Kuvendit ka dështuar si pasojë e mosmarrëveshjeve procedurale mes partive që siguruan ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK refuzojnë të votojnë për verifikimin e mandateve të deputetëve, duke kërkuar që anëtarët e qeverisë aktuale, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin paraprakisht dorëheqje nga pozitat ekzekutive.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë dhe lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka theksuar se dorëheqjet janë të panevojshme, pasi qeveria aktuale është në detyrë që nga 23 marsi dhe funksionon vetëm në kapacitet të përkohshëm.

Kriza ka nxitur shqetësime për zvarritjen e procesit demokratik dhe funksionimit institucional në vend, ndërsa pritet që të shtunën, më 19 prill, të mbahet vazhdimi i seancës së ndërprerë. Ende nuk është e qartë nëse palët do të arrijnë marrëveshje deri atëherë, apo nëse kriza do të thellohet më tej.

Diplomatët ndërkombëtarë kanë shtuar thirrjet për dialog dhe kompromis politik, duke theksuar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale për të përballuar sfidat e brendshme dhe ato të politikës së jashtme, përfshirë dialogun me Serbinë dhe integrimin euroatlantik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu