Ballina Dossier “Të fundit që erdhën pranë shpellës në Vukel, qenë Zoi Themeli dhe...

“Të fundit që erdhën pranë shpellës në Vukel, qenë Zoi Themeli dhe Sulë Domi, të cilëve Prenk Cali iu kërkoi që…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

34
0

Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Shkodra në vitet e para nën komunizëm

Prap në Vukel, pushkatuan Dedë Fran Bracin, Ujk Nikë Mirashin, Ndue Nikë Stakën e Zef Lul Mirashin, e bashkë me ta, edhe Gjergj Ndue Mirashin nga Tamara e Gjon Loc Pëllumbin prej Nikçit. Po tjetër, ç’u kishte mbet partizanëve barbarë pa ba?! Po, kishin për të ba edhe çfarë s’kishte ndodhë ndonjiherë në tokën shqiptare: të pritshin në fyt, “alla sllavçe”, pra për së gjalli e të sjellun me fytyrë kah shoqishoj, të rinjtë në shenj, siç ishin, Nikë Lucë Bajraktari, djali i Lucë Bajraktarit të pushkatuem dhe Llesh Fran Braci, vëlla i Dedë Fran Bracit, gjithashtu të pushkatuem.

Egërsia dhe shpërfytyrimi i atyne partizanëve, si shqiptarë e si njerëz, nuk do të njihte ma asnji kufi. Shqiptarët historikisht kishin qenë përmendë si i vetmi popull në të gjithë Perandorinë Bizantine, që kishte trajtue në mënyrë njerëzore viktimën, gja që do t’u ruente deri në ditët tona, por jo nga ata partizanë që patën ardhë prej jugut, të regjun me vrasje vëllazënsh të tyne të pafajshëm. Ata partizanë do të ishin shqiptarët e parë, që mbasi të kishin ba të vetat metodat ma mizore të tutorëve të tyne sllavë, të keq trajtojshin viktimat e tyne, edhe pse të nji gjaku me ta, tue i mundue për së gjalli si asnji anmik, disa herë, edhe t’u tallshin me ta edhe për s’dekni.

Qysh kurse ishin shpërnda forcat malsorë, Preng Cali, – në atë kohë shtatëdhetëtetevjeçar – qe ngujue brenda nji shpelle në Vukël. Ishte zakon ndër ato kohë, që në raste fatkeqësie e rreziku të nji miku, e sidomos të nji parie, miq e të afërm me iu gjetë pranë e, me nda bashkë fatin me të. Kështu me Prenk Calin u ngujuen me atë rast katërmbëdhetë burra e djelm të rinj, mes të cilëve, – siç e kemi tregue edhe ma nalt – dhe nji vajzë me emnin Tone, që aty kishte të vëllanë, Gjeloshin.

Prej Vuklit aty u ndodhshin vëllaznit Ndue e Zef Rapuka, vëllazën gjithashtu edhe me të pushkatuemit pak ditë ma parë, Lucë e Gjon Rapukën. Me ta edhe nipi i tyne, tashma jetim, Maçi shtatëmbëdhetvjeçar. Aty Fran Dashi me të birin, Dodën, si dhe Marka Vuksani me djalin Pal e, me vëllaun Ndue. Aty edhe trup-azgani Dedë Gjon Deda, me torturimin e të cilit do t’u merrshin disa partizanë gjatë gjithë natës në Rapshë të Hotit, derisa ai të jepte shpirt ndër duart e tyne.

Prej Nikçit aty do t’u ndodhte Fran Zef Pllumbi, Kolë Preng Pllumbi e ma i riu i të gjithëve, Prelë Tomë Pëllumbi. Me ta, sikurse e kemi përmendë edhe ma sipër, bija e Katrina Tomës së pushkatueme, Tonia, që ndonëse e re, kishte vendosë mos me u martue. U veshte si burrë me çakçir e xhamadan, mbante mbi krye kësulën e bardhë të malsorit, e u thirrte ndër dasma e raste tjerë gëzimi, ndër miq e të afërm të shtëpisë, sepse ajo këndonte, kërcente e i binte fyellit, si askush tjetër. Si shumë e shkathët e trime që ishte, për të kishte vend edhe te shpella e burrave. Pranë saj, si gjithmonë, i vllau, Gjeloshi.

Ofertën e përsëritun për t’u dorëzue, të ngujuemit e shpellës gjatë disa ditëve e patën refuzue me përbuzje, por kur në ditën e tetë municioni dhe ushqimi ishin në të sosun, vetë Prenk Cali, si qe mendue gjatë, muer vendimin, të cilin ua bani të njohun trimave të tij me këto fjalë: “Unë e di se komunistët edhe pse napin besë, besë nuk mbajnë. Unë e di mirë se mue kanë me më prishë, por du me ju pshtu ju, që jeni edhe të rinj”.

Po atë ditë, të dërguem prej partizanëve, ia mbërritën te shpella frati David Pici e, malsori prej Selcet, Gjon Caka, që thanë: “Dikush prej jush dënohet, por shumica falen”. Të fundit që erdhën pranë shpellës, qenë famëkeqi Zoi Themeli dhe Sulë Domi prej Matit, komandant brigade, të cilëve Preng Cali iu kërkoi garanci për tre kushte që iu vu: e para, t’u lirojshin të rinjt, sepse s’kishin asnji faj; e dyta, ata që do t’u mbajshin, mos me u lëshue në dorë ushtrisë, d.m.th., që partizanët t’mos i keqtrajtojshin; dhe e treta, u tha ai, na burrat jem gati me dalë para gjyqit.

Zoi Themeli e Sulë Domi në atë rast, do t’u betojshin e stërbetojshin njiqind herë në “flamur” e “besë të shqiptarit”, tue e sigurue Prenk Calin, se kushtet e vume prej tij do t’u respektojshin deri në fund. Po ç’ndodhi në të vërtetë? Porsa të ngujuemit dolën prej shpellës, pabesia komuniste do ta tregonte menjiherë veten: i lidhën me tela e të kapun shoq me shoq për litar, i vunë para për rrugë.

Mbas nji rrugëtimi të mundimshëm e disi poshtnues, nata i zu në Rapshë të Hotit, ku edhe i ndaluen. Ka qenë ajo natë, që siç kemi tregue pak ma sipër, kur partizanët do të mbytshin në dru Dedë Gjon Dedën e, të pritshin si bagëtitë në fyt, të rinjtë Nikë Lucë Bajraktarin dhe Llesh Fran Bracin.

Të tjerët të nesërmen i hypën në nji makinë tue i nisë për Shkodër dhe, si zakonisht në kësi rastesh, në hymje të qytetit, i zbritën nga makina, për t’u gjetë në çast nën çirrjet ma të padurueshme të nji turme të organizueme horash, që atyne fatkeqëve do t’iu hynte deri ndër turinj, tue u thirr me sa za që të kishin: “Hakmarrje, hakmarrje”, “Plumbin ballit, plumbin ballit”! etj. kërcënime e fyemje, që ata malsorë të urtë e trima, do t’ ishin të detyruem me i përballue pa krenari e me vuajtje të mëdha shpirtnore.

“Deka, kapak florini”, do të na thonte ndonjeni prej tyne, vite ma vonë në burg, kur të kujtonte me mundim atë rast. Me qëllim që ata malsorë t’u demoralizojshin dhe që vetë populli t’u frikësonte, do t’i detyrojshin që atë ditë të përshkojshin në kambë gjithë rrugën, deri në burgun e quejtun “Burgu i Gestapos”, i ndodhun diku në të djathtë të rrugës që nga lagja “Serreq” të çon në “Perash”.

Po a mos drama e Kelmendit kishte marrë fund me kaq?! Jo, kurrsesi!

Ajo do të vazhdonte si gërmadhat e mjerimi që vijnë si pasojë e nji tërmeti të ramë pak ma parë. Natyrisht, brenda nji punimi të tillë, nuk mund t’u bahet vend shumë prej atyne ngjarjeve të ndodhuna. Drama e Kelmendit, si përmbledhje e dramave të shumë e shumë familjeve të tij, nuk mund të pasqyrohet në të gjithë vërtetësinë e në përmasat e saj të pësimit e dhimbjes, për pa u pasë përshkrue në veçanti, drama e s’pakut disa prej familjeve të tij.

Sa për ilustrim, po marrim vetëm familjen e vëllazënve Dedaj, së cilës me atë rast i qenë vra njeni mbas tjetrit të tre djelmt e saj, e natyrisht pa pasë qenë edhe ky rasti ma tragjik për nji shtëpi kelmendase në atë kohë. Vllaznit Gjergj, Dedë e Nikë Gjon Deda, pak vite ma parë, kishin lëshue trojet e të parëve të tyne në Nikç e dalë në Guci, në kërkim të nji jete ma të mirë, ku edhe kishin ble nji copë tokë e ndërtue nji shtëpi të re. Me të ndigjuem se Kelmendi i tyne ishte futë në luftë me komunistët, të tre ata kishin vrapue, për t’u gjetë sa ma parë përkrah vëllazënve të tyne kelmendas.

Përfundimisht, Gjergji do t’ishte ai që e kishin mbytë në dru në Rapshë të Hotit, Deda që ishte vra në përpjekje me nji patrullë partizane diku tej Tamarës, kurse Nika, mbas nji lëngimi prej disa ditësh prej plagëve të marra në luftimet e Tamarës e, në vetminë e nji shpelle të Vermoshit ku kishte kenë mshehë, ishte pasë zanë nji ditë prej forcave partizane, të cilët menjiherë ia kishin dorëzue atyne malazeze, e këta të fundit, me gjyq, e kishin dënue me vdekje.

Milka Plashin, komuniste me post e influencë në Mal të Zi, që i kishte njohë e vlerësue qysh ma parë Nikën me vëllazën, kishte ndërhy e ba të mundun, lirimin e tij prej burgut. Malazezë të tjerë, të pakënaqun nga përkrahja që po iu bante nji shqiptari, do ta vritshin atë me atentat, pak ditë mbrapa.

Viktima të pabesisë komuniste, do të bijshin edhe trimat Gjekë Selca e Gjergi Lula, të dy prej Selcet e, të rritun bashkë si vëllazën, e që në luftimet e Tamarës kishin qenë dallue si njeni, ashtu edhe tjetri. Ishin qenë dorëzue, jo tue i besue amnistisë së shpallun publikisht, sa besës që atyne ua kishte dhanë vetë Abas Fejzo, komandant brigade. Si edhe në rastet e tjera, porsa ata ishin dorëzue, mbi duarët e tyne ishin hedhë prangat, e për disa ditë do të qëndrojshin të mbyllun në nji burg të Shkodrës.

Në krye të tre muejve, në nji ditë të bukur prilli, ata do t’i nxirrshin në Koplik, ku me detyrim, për atë rast, kishin mbledhë popull prej gjithë Malsisë. Të dënuem me vdekje siç ishin, do t’i lejshin gjatë gjithë ditës të lidhun për shoqishojn, që t’i shikonte populli e që edhe vetë ata t’u ligshtojshin. Qëndresa e tyne prej trimash të rallë, do t’u përhapte gjithandej nëpër Malci e të mbushte me dhimbje gjithë banorët e saj. Dëshmitarë të asaj skenë makabre, do të thojshin se ata s’e kishin marrë vdekjen fare në sy.

Për fjalët që ata kishin nxjerrë gjatë gjithë kohës në drejtim të partizanëve e të Enver Hoxhës, që kishte tradhtue vendin, tue qenë lidhë me Titon e Stalinin, si dhe përgjithësisht qëndrimi i tyne tepër i qetë e krenar, kishin ba që ata t’u ndajshin nga jeta e nga ata vëllazën të tyne malsore, si edhe nga ata male, mes të cilëve ishin rritë e trimnue, njashtu si motit heronjt e kangëve kreshnike, prej të cilëve ata ishin frymëzue, kur pranë votrave të tyne të ngrohta, të kishin ndigjue tue u këndue n’ fille t’lahutës prej ma të ritunvet.

Për Gjekë Selcën, tregojnë se ka pasë trup e pamje të thatë, po shkathtësia e trimnia e tij, kishin qenë njohë prej të gjithëve, kurse Gjergi Lula, përveç se trim, kishte pasë trup të zhvilluem dhe nji fytyrë brune me trajtë e tipare shumë të hijshme mashkulli. Kur ata para se t’u pushkatojshin, t’u pyetshin nëse kishin ndoj fjalë për të thanë, Gjergji kishte folë: “Nuk kam gajle se më vritni, por mos më prishni në fytyrë”. Donte pra, që edhe për s’dekni, t’u shifte e t’u mbante mend mbrapa prej të tjerëve, ashtu si kishte qenë në jetë.

Tridhet vjet para tij, Themistokli Gërmenji, luftar i shquem për pavarësi, francezëve qe do ta pushkatojshin, në momentin e fundit, a s’do t’u kërkonte që ta vritshin me sy të zgjidhun e, të veshun kombëtarisht? E Vasil Laçi i ri gjithashtu, italianëve që tentoi t’u a vriste Mretin Vitor Emanuel i III-të, para se të varej, a s’do të kishte si kërkesë të fundit; “vetëm nji krahën”?!

Këto raste, e shumë e shumë të tjerë të ngjashëm me to që na afron historia, a nuk provojnë se shqiptarët e vërtetë, përballë vdekjes, veç gjestit heroik, kërkojnë edhe që në dhë të futen si për festë? Në se akte të tillë lavdijet, siç dihet, kishin gjetë respekt edhe nga shumë të huej, nuk ishte e thanë që ashtu të ndodhte edhe nga ana e atyne që vendit të tyne, po i sillshin absolutisht ma të keqen e tij historike.

Si ranë të dy nën breshnitë e automatikëve, nji kapter prej jugut, do t’i afrohej me revole në dorë kufomës së Gjergjit, dhe tue kërkue që t’ia vriste edhe amanetin që sapo kishte lanë vetëm nji minut ma parë, do t’i derdhte mbi fytyrë plot tetë plumba të tjerë. Kësi shqiptarësh e ksi trimash, ishin ata partizanë, e ksi shpirti edhe kishin, sidomos kriminelët e të ashtuquejtunës; “Mbrojtje Popullore”.

Shpejt mbas ngjarjeve të Kelmendit, nji gjykatë ushtarake me kryetar majorin Tonin Jakova e me anëtar kriminelin numër nji të Shkodrës, Zoi Themelin e togerin kurriz-kërrusun, Mustafa Iliazin, si dhe me prokuror Jonuz Mersinin, dënoi me vdekje Prenk Calin e Dedë Lulash Smajlin, kurse të tjerët, prej dhetë vejt burg, deri në të përjetshëm.

Tonia, ndonëse e vlefshme sa nji burrë, u lirue si femen që ishte dhe si e vetme që mbet, pa nanë e pa babë e, veç me nji vëlla, edhe atë të burgosun, e veshun si burrë duel në Kelmend, e priti derisa Gjeloshi të plotësonte të dhetë vjetët e burgut të tij, për t’u arratisë mandej, motër e vëlla së bashku, në Jugosllavi. Ndue Gjon Rapuka, i dënuem me burg të përjetshëm, do t’u verbonte mbas disa vjetësh e të vdiste në të gjashtmbëdhetin vjet, në burg të Burrelit.

Edhe vëllau i tij Gjoni, mbas shumë vitesh, atje në burg të Burrelit, do të vdiste. Në atë burg nji ditë do të vdiste edhe Fran Zef Pllumbi e djali i tij, Gjeloshi, që në vjetin 1948, do t’u masakronte me dru në kampin e Bedenit, mbasi që nji ditë, prej sipër çatisë se nji kapanoni ku ai ishte ngjitë, kishte pasë thirr me forcë disa herë: “Poshtë Stalini, he, atij ia bajsha…”! Maçi i shtëpisë Rapukaj të Vuklit, bashkë me kushërinjtë, Gjelosh e Prele Toma, do të bajshin shej në burg të Shkodrës, si model i të rinjve malësorë, që nga të parët e tyne kishin pasë trashigue vërtetë cilësitë ma të mira. Malet tona gjithji kanë pasë të përbashkët jetën e luftën, nderin e gjakun.

Nji ndër disa shtëpi që i qenë kushtue mbrojtjes së Kelmendit e që atë rezistencë ta paguente me sakrificën e të gjithë meshkujve të saj, që ajo e Rapukajve të Vuklit, e cila brenda tridhetë vjetëve, ishte pasë djegë tri herë: më 1911 prej turqve, me ç’rast edhe qe vra nji mashkull i saj; më 1913 e porsa ndërtueme, ishte djegë nga malazezët, e përsëri tue iu pasë vra me të pabesë nji mashkull i saj e, pikërisht nga nji probatin i tij malazias; e për së treti, do t’ishin partizanët që ta digjshin shtëpinë e të gjithë meshkujt e saj, t’i vritshin ose t’i burgosshin, nga të cilët do të shpëtonte vetëm Maçi, adoleshent në atë kohë, thuejse enkas që të mbeste pa u shue ajo shtëpi e madhe e fisnike, kala e përhershme ndaj anmiqve të Shipnisë, si vetë Malsia, kreshnike e me histori, shtëpi për shtëpi.

Nuk mund ta di se ç’vend do të zajë në histori kjo tabllo e përgjakun e Kelmendit, sikurse nuk e dij nëse ajo Malsi martire do të frymëzojë ma rapsodë e poetë, që t’u këndojë me mall e kreni atyne ngjarjeve e atyne trimave të saj, e ma shumë ndoshta, atyne viktimave të brishta, lotëve, brengave e trishtimit të sa e sa nanave të mbetuna pa djelm, të sa nuseve që vejuen shumë para kohe e fëmijëve të tyne, që u rritën jetimë, shumë prej të cilëve pa pasë njohe asnjiherë babë.

Nuk e di së fundi, nëse do t’i këndohet vetmisë së armëve të mbetuna pa zot, tokës që qe djegë e lahutës që ma s’pat këndue, jetës e luftave të shkueme, si dhe ringjalljes e shpresës, sepse malet janë përsëri aty, sikurse edhe njerëzit, po aty, me në gji mesazhin e sakrificës sẽ madhe të pesëdhete vjetëve të shkuem nën Komunizëm.

Sa kohë kishte kalue qysh prej ditës së parë të “çlirimit” e, deri kur Kelmendi qe shtrue? Shumë pak: vetëm dy muaj kohë që Shkodra q’prej Velipoje në breg të detit e, deri thellë në malci, kufi me Mal të Zi, si askush tjetër në Shqipni e jashta saj, ta kishte pritë komunizmin; “me pushkë për faqe”. Ky qëndrim i përbashkët i nji Shkodre me mal e fushë, a nuk flet për shpirtin liridashës e vitalitetin e tanë nji zone, si dhe për nji vetëdije kolektive të saj model, me të cilin ajo për gati pesëdhjetë vjet me radhë do të kundërshtonte komunizmin në nji formë a në nji tjetër, vetëdije që e tillë mbetet edhe në ditët e sotme kur ajo, si asnji pjesë tjetër e vendit, i bahet mbështetje e palëkundshme vlerave të traditës dhe vetë demokracisë. Memorie.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu