Ballina Kosovë Betohen deputetët e legjislaturës së re – Albulena Haxhiu nuk arrin të...

Betohen deputetët e legjislaturës së re – Albulena Haxhiu nuk arrin të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës

19
0

Pas votimit unanim për raportin e mandatit të deputetëve, deputetët e zgjedhur kanë bërë betimin në Kuvendin e Kosovës.

Ata u ngritën të gjithë në këmbë për të lexuar tekstin e betimit.

Teksti i deklaratës së betimit

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit.
Betohem!”

Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Me 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime, Albulena Haxhiu nuk arriti të zgjidhej kryetare e re e Kuvendit të Kosovës.

Në votimin për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare, tre deputetët e Nismës abstenuan, ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë në votim.