Ballina Ekonomia Gara për Milot Balldren/ A.N.K ofron tarifën 1.6 euro, Salillari dhe Gener...

Gara për Milot Balldren/ A.N.K ofron tarifën 1.6 euro, Salillari dhe Gener nga 1.9 euro

28
0

Ofertat për koncesionin e autostradës Milot-Balldrenë kanë rezultuar në tarifa kalimi që variojnë nga 1.6 deri në 1.9 euro.

Kapitali ka mësuar se kompania A.N.K ka ofruar si çmim kalimi për automjetet e thjeshta tarifën 1.6 euro. Ndërkohë dy kompani të tjera, Gener 2 dhe Salillari kanë ofruar tarifën e kalimit 1.9 euro.

Tre ditë më parë, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se qeveria do të shpallte brenda dy-tre ditësh fituesin e koncesionit. Por deri më tani, qeveria nuk ka zyrtarizuar asnjë fitues.

Në tenderin për koncesionin 35 vjeçar të rrugës Milot-Balldrenë garojnë 4 kompani. Gener 2, Salillari, A.N.K dhe 4 A-M janë kompanitë që po përplasen të shtien në dorë kontratën e majme koncesionare, e cila për 35 vite pritet të arkëtojë plot 1 miliardë euro.

Segmenti Milot Balldrenë është pjesë e të ashtuquajturit Korridori Adriatiko-Jonian ose siç njihet ndryshe Korridori Blu.

Ky segment ka një gjatësi 17 kilometër dhe do të kushtojë 182.5 milionë euro vetëm si kosto ndërtimi.

Nëse përfshihen dhe kostot e projektimit, ato të mirëmbajtjes dhe të operimit, investimi total i privatit është parashikuar 365 milionë euro për të gjithë periudhën 35 vjeçare të koncesionit.

Kjo është hera e dytë që qeveria shqiptare tenton të japë me koncesion ndërtimin e autostradës Milot-Balldrene. Hera e parë ishte në vitin 2018, kur qeveria zgjodhi fituese të koncesionit kompaninë A.N.K, por me një tjetër model, atë të Partneritetit Publik Privat, sipas të cilit kompania do të ndërtonte rrugën me paratë e veta dhe do të paguhej për 13 vjet nga buxheti i shtetit deri në shlyerjen e investimit dhe fitimin e saj.

Por A.N.K nuk arriti ta ndërtonte rrugën pasi nuk gjeti paratë për ta financuar atë. Rrjedhimit qeveria e anulloi koncesionin për ta tenderuar sërish, por këtë herë me formulën e tarifës së kalimit për qytetarët, jo përmes shlyerjes nga buxheti.