Kandidati për deputet i Qarkut të Vlorës Ardit Bido ka devijuar papritur trajektoren e fushatës së tij elektorale duke sulmuar pikërisht partinë që e zgjodhi ta përfshijë në lista, Partinë Socialiste. Në takimet e tij të fundit elektorale Bido ka akuzuar Partinë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama për gllabërim pronash në vijën bregdetare.
“Krorëza e Shën Vasilit është një faj i të gjitha partive dhe interesave të mëdha dhe është një faj i veçantë nga interesat e pronave të tjera. Krorëza dhe Kakomeja janë një gllabërim i veçantë nga zonat e tjera”, u shpreh Bido duke harruar ndoshta që tanimë nuk përfaqëson ngjyrat e PDIU-së së Shpëtim Idrizit por kandidon nën siglën e Partisë Socialiste që mban pushtetin prej 12 vitesh.
Më tej, Bido vijoi sulmet ndaj institucioneve të qeverisë teksa i akuzoi për gjobëvënie në këmbim të votave.
“Këtu në Lukovë ka probleme sepse taksidarët që vijnë dhe godasin bizneset çdo verë, çdo verë, prodhojnë atë votën që nuk ka të bëjë fare me ato budallallëqet që dëgjojmë në Tiranë”, akuzoi Bido duke lënë në pikëpyetje se deklaratave të kujt i referohet me përcaktimin ‘..në Tiranë..”, vendi ku në fakt ushtron aktivitetin qeveria që drejton punën e atyre që kandidati i cilëson si ‘taksidarë’.
Por sulmet e Bidos ndaj Partisë Socialiste nuk u ndalën me kaq sepse ai nuk kurseu as ish deputetët e kësaj force politike për rrethin e Sarandës.
“Shumë deputetë kanë kaluar nga kjo zonë. Nuk kam dëgjuar në Parlament të flitet për këtë zonë, as për Sarandën, as për Delvinën, as për Konispolin. Nuk kam dëgjuar të flitet për probleme por kam dëgjuar të flitet për ato për të cilat nuk ja vlen të flitet”, theksoi Bido.
Përpara se të kalonte drejt Partisë Socialiste, Bido ka milituar në PDIU dhe ka mbajtur prej 9 vitesh postin e drejtorit në Arkivin Qendror të Shtetit nga 2016 deri ne 2025.