Policia e Shtetit vijon me intensitet operacionin policor të koduar “Operacionalja”, të shtrirë në disa qytete të vendit për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Brenda 12 orëve të fundit, janë finalizuar dy faza të tjera të operacionit nga Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Policisë Kriminale, duke çuar në arrestimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për vepra të rënda penale si trafikim droge, shfrytëzim prostitucioni dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Njëri u kap në Dibër dhe tjetri në Fushë Krujë.
Përkatësisht, janë arrestuar shtetasit Klodian Llomi (Mazari), 34 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër, si dhe Roland Ibrahimi, alias Ali Meci, 40 vjeç, banues në Laç.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Vijon operacioni policor i koduar “Operacionalja”, i shtrirë në disa qytete të vendit, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.
Kapen në Fushë-Krujë dhe Dibër, dy persona me rrezikshmëri shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafikim të lëndëve narkotike, shfrytëzim prostitucioni dhe vjedhje të rëndë.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, brenda 12 orëve të fundit janë finalizuar edhe dy faza të tjera të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, konkretisht:
1 – Operacionalja 39, në kuadër të të cilit forcat operacionale bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit Klodian Llomi (Mazari), 34 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër. Gjykata e Apelit Romë/Itali, në vitin 2023, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet, 7 muaj e 2 ditë burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
2 – Ndërsa në kuadër të fazës Operacionalja 40, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit Roland Ibrahimi, alias Ali Meci, 40 vjeç, banues në Laç. Gjykata e Torinos/Itali, në vitin 2024, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 3 muaj burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Grup kriminal”, dhe “Vjedhje e rëndë”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
Operacioni vijon për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.