Ballina Kronika Shfrytëzonin 26-vjeçaren për prostitucion, arrestohen dy të rinjtë

Shfrytëzonin 26-vjeçaren për prostitucion, arrestohen dy të rinjtë

32
0

Policia e Gjirokastrës ka finalizuar me sukses një operacion kundër shfrytëzimit të prostitucionit, të koduar “Last Night”, duke arrestuar dy persona dhe proceduar penalisht dy të tjerë për moskallëzim krimi.

Në pranga ranë shtetasit Roberto Leka, 27 vjeç, banues në Tiranë, dhe Kristo Duraku, 31 vjeç, banues në Grabjan, Divjakë, të dy të akuzuar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni”, kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve paraprake, ata shfrytëzonin për prostitucion një 26-vjeçare nga Berati, e cila e ushtronte aktivitetin në qytete të ndryshme të vendit.

Operacioni u zhvillua nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj dhe nën drejtimin e Prokurorisë.

Në kuadër të hetimeve, janë proceduar penalisht edhe shtetasit H. I., 40 vjeç, banues në Tropojë, dhe R. N., 36 vjeç, nga Libofsha e Fierit, të cilët dyshohet se kishin dijeni për aktivitetin e paligjshëm, por nuk e kallëzuan pranë autoriteteve, duke shkelur ligjin për moskallëzim krimi.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi një shumë parash dhe gjashtë celularë, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për vijimin e hetimeve dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë.