Ballina Bota Të paktën 148 pasagjerë vdiqën në një aksident me varkë në Kongo

Të paktën 148 pasagjerë vdiqën në një aksident me varkë në Kongo

24
0

Janë gjetur trupat e të paktën 148 personave në Republikën Demokratike të Kongos pasi një varkë motorike prej druri mori flakë dhe u përmbys të martën, raportuan mediat të premten duke iu referuar zyrtarëve lokalë.

Varka po transportonte 500 pasagjerë, përfshirë gra dhe fëmijë, kur u përmbys të martën në lumin Kongo, në rajonin veriperëndimor të vendit, sipas raportimeve mediatike.

Varka “HB Kongolo” mori flakë pranë qytetit Mbandaka, pasi ishte nisur nga porti Matankumu dhe kishte për destinacion zonën Bolomba.

Rreth njëqind të mbijetuar janë strehuar në një vend të improvizuar në ndërtesën e këshillit bashkiak lokal, ndërsa pasagjerët me djegie janë dërguar në spitalet lokale.

Qindra pasagjerë të tjerë konsiderohen ende të zhdukur, sipas vlerësimeve të zyrtarëve, shkruan reuters.

Zjarri shpërtheu teksa një grua po gatuante në bord, tha për Associated Press zyrtari i transportit, Compétent Loyoko.

Aksidentet detare janë të zakonshme në Kongo, ku varkat e vjetra prej druri janë forma kryesore e transportit midis fshatrave dhe shpesh janë të mbingarkuara përtej kapacitetit të tyre.

Vitin e kaluar, të paktën 78 persona u mbytën kur një varkë me 278 pasagjerë u përmbys në liqenin Kivu, në lindje të Kongos.