Një ditë, një mik shqiptar i cili prej disa vitesh ishte larguar nga Athina ku kishte punuar prej më shumë se dy dekadash, më ftoi në restorantin e tij që sapo e kishte hapur në Rue Mouffetard, një rrugë shumë turistike ku shpesh bashkë me Omer Kaleshin shkonim në restorantin e mikut të tij Claude Der’ven “Verre à pied”.
Adrian Boçi e kishte hapur restorantin e tij diku më sipër, pranë Place de Contrescarpe, pikërisht në cepin e rrugës Rue du Pot-de-Fer, në atë rrugë kur dikur kishte banuar romancieri im i parapëlqyer George Orwell. Ishte një lokal me trarë të hershëm ku dikur kishte punuar si kamarier Coluche, një nga komikët më të mëdhenj francezë të shekullit XX. Ishte rasti të risillja në kujtesë shkrimet mbi Orwell që i kisha botuar më parë në një libër publicistik Metamorfoza e fjalës, me një parathënie të presidentit të “Reporterëve pa Kufij”. Por jeta e Orwell-it në Paris kishte qenë një jetë e vërtetë bohemësh.
Duke pirë verë me mikun tim shqiptar, me vështrimin nga ajo rrugë historike m’u kujtua historia e atij njeriu të revoltuar kundër kapitalizmit dhe shfrytëzimit të punëtorëve, i cili do të bëhej për ne një nga shkrimtarët më të parapëlqyer të viteve ’80, kohë kur lexonim fshehurazi librat Viti 1984 dhe Ferma e kafshëve, duke gjetur paralelizma me botën imagjinare të Orwell mbi botën tonë totalitare.
Autori i këtyre romaneve, para se të quhej George Orwell emrin e tij të vërtetë e kishte pasur Eric Blair. Aventura parisiane e londineze, më pas pjesëmarrja në Luftën Civile të Spanjës e në brigadat vullnetare internacionale, do ta bënte atë një nga shkrimtarët më të angazhuar politikisht në epokën e vet dhe një moralist të njohur.
Ai kishte lindur më 1903, në Bengal të Indisë ku jetonte familja e tij angleze. I ati merrej me tregtinë e opiumit në tregjet kineze, për llogari të qeverisë indiane. Në rininë e tij ai u angazhua në policinë koloniale në Birmani por sjelljet e ashpra ndaj njerëzve të thjeshtë dhe masës popullore, gjyqet, dënimet e njerëzve të varfër pse kishin vjedhur një copë bukë, burgosja e tyre, e tronditën shumë dhe shpejt ai dha dorëheqjen.
Imazhet e të mjeruarve birmanë nuk do t’i shqiteshin nga sytë, tablo drithëruese këto që do t’i gjejmë të përshkruara në librin e tij Quai de Wigan, një akuzë e fuqishme kundër kolonializmit britanik dhe imperalizmit në përgjithësi. Atëherë Orwell shkruante: “Unë doja t’i shpëtoja jo vetëm imperializmit në përgjithësi por çdo forme të sundimit të njeriut mbi njeiun.Doja të zhytesha në gjirin e njerëzve të shtypur, të isha mes tyre dhe të luftoja kundër tiranëve të tyre. Urrejtja ime ndaj shtypjes kishte marrë dimensione të jashtëzakonshme.” Tetë vjet në policinë britanike birmane dhe dorëheqja, kishin krijuar tek ai një bindje të patundur.
Ëndrra e tij ishte të bëhej shkrimtar dhe këtë e shikonte të realizuar veçse në Europë, në Francë apo në Angli. Atëherë shumë shkrimtarë anglosaksonë kishin zbarkuar në Paris për t’i shpëtuar puritanizmit amerikan apo atij anglez. Nga Birmania ai kaloi në Londër dhe shumë shpejt u nis drejt Parisit, ku mbërriti në vitin 1928.Eksperienca e aventurës parisiane do të jetë e mbarsur aq shumë me ngjarje e karaktere, sa me largimin e tij dhe mbërritjen në Londër, ai shkroi menjëherë një libër thuajse dokumentar, çka do t’i shtonte më pas dhe vuajtjet e tij të para në Londër. Titulli i librit që do të botohej ishte Down and Out in Paris and London, përkthyer në frëngjisht me titullin Në skamjen e Parisit dhe të Londrës. Në fakt ai i kishte propozuar botuesit një titull tjetër: Lady poverty!
Për lexuesin e sotëm dhe padyshim dhe për mikun shqiptar që kishte hapur restorantin në cepin e asaj rruge, ishte e paimagjinueshme që shkrimtari George Orwell në rininë e tij të kishte bërë jetën e basifondeve parisiane, të flinte në rrugë, në bangot e bulevardeve, të mblidhte bishtat e cigareve në rrugë meqë nuk mund të blinte cigare, të qëndronte pa ngrënë me ditë të tëra, të vishej si lypës apo të bënte jetë me prostitutat, të cilat i vidhnin dhe qindarkat e fundit.
Në fakt, kur zbarkoi në Paris ai u vendos tek halla e tij që banonte pranë Jardin des Plantes. Në fillim ai botoi disa shkrime publicistike si në gazetën “Le Monde”, me artikullin Progresi qytetar – Progrès civique, apo Censura në Angli, në revistën e drejtuar nga Henri Barbusse, etj, por që në fillim e kuptoi se s’mund të jetonte dot me ato të ardhura dhe se duhej të punonte.
Të gjente një punë si pjatalarës në hotelet parisiane, për 25 vjeçarin Blair u kthye në një makth të madh. Në librin që do të botonte më pas, ai shkruante mbresat e ardhjes së tij në Paris, në një lagje të varfër të masave popullore ku kishte lëkurëpunues, marangozë, pastrues rrugësh, shitës rrobash të vjetra; shkruan për lagjen Contrescape dhe Rue Mouffetard ku kishte jetuar pak kohë më parë Hemingway dhe amerikanë të tjerë. Edhe Hemingway kishte provuar torturën e urisë.
Ja çfarë shkruante Blair në librin e tij: “Rue du Coq d’or, Paris, ora 7 e mëngjesit. Një vazhdimësi klithjesh që të shpojnë veshët e që vijnë nga rruga. Zonja Monce, padronia e hotelit të vogël ballë hotelit ku jam, i bërtet qiraxheshës së katit të tretë duke qëndruar me këmbët e hapura, ashtu me nallane në trotuar dhe gati për luftë: – Qelbësirë! Sa herë të kam thënë, o kurvë, që mos t’i shtypësh pleshtat mbi tapet. Nuk mund t’i hedhësh në rrugë si gjithë bota? – Ik moj lopë plakë! – i përgjigjet tjetra nga dritarja… Ishte një rrugë e ngushtë me shtëpi të larta anash dhe fasada të qelbura, të përkulura, të cilat qëndronin në mënyrë të çuditshme, sikur koha të kishte ndaluar një çast. Ato ngjanin se gati po binin mbi njëra-tjetrën.Vetëm hotele plot qiraxhinj: polakë, arabë, shumica italianë.Unë banoja në hotelin “Les Trois Moineaux” (Tre harabelët), një lloj foleje e zymtë dhe e shkatërruar me pesë kate dhe 40 dhoma të vogla gjithë pisllëk, të ndara me dërrasa… Mes tyre formoheshin pleshtat që vazhdimisht ndiqnin konturet e mureve gjer në tavan, si të ishin kolona ushtarësh. Natën, ato zbrisnin të etura e gjithë bulimi, aq sa mund të rrije në shtrat veç disa orë, sepse ndryshe masakroheshe nga to…”
*Shkëputur nga libri “Bohemë anglosaksonë në Paris”, i autorit Luan Rama, botuar në vitin 2020 nga shtëpia botuese UETPRESS /liberale/