Fondacioni UET PRESS, në bashkëpunim me Hotel Princ, Bashkinë Lezhë, Universitetin Europian të Tiranës, Institutin Liberal Pashko dhe Akademinë e Studimeve Shqiptare, po organizon edicionin e parë të Festivalit Shqiptar të Letërsisë – një ngjarje e re kulturore në peizazhin letrar shqiptar.
Gjatë ditës së parë, autorë të njohur, kritikë letrarë, studiues dhe nxënës të shkollave të mesme nga rrethet letrare të vendit u mblodhën për të festuar letërsinë shqipe dhe për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në këtë fushë.
Të ftuarit specialë përfshijnë disa nga emrat më të njohur të letrësisë dhe të mendimit publik shqiptar:
Vera Bekteshi, Natasha Lako, Virgjil Muçi, Preç Zogaj, Gani Mehmetaj dhe Dionis Prifti.
Në ditën e dytë të Festivalit Shqiptar të Letërsisë në fokus ishte workshop-i me temë: “Think Outside the Box: Edukimi & Industria Kreative – Skenari, Filmi, Letërsia, Reklama dhe Public Speaking”, mentoruar nga Dr. Elsida Sinaj, Psikologe dhe Pedagoge në UET; dhe Dr. Ermir Nika, kritik letrar, pedagog në UET.
Ky aktivitet solli së bashku profesionistë dhe krijues nga fusha të ndryshme të industrisë kreative, të cilët ndanë përvoja dhe reflektime mbi mënyrat sesi letërsia ndërthuret dhe komunikon me format të tjera shprehjeje artistike dhe profesionale.
U diskutua mbi rolin e edukimit në formësimin e mendimit kritik dhe kreativ, si dhe mbi potencialin që ofrojnë skenari, filmi, reklama dhe të folurit në publik si mjete të fuqishme për të shprehur ide dhe për të ndërtuar rrëfime me ndikim.
Gjithashtu të ftuar në këtë ditë ishin disa nga figurat më të njohura të letrësisë, mendimit dhe artit shqiptar si Besnik Mustafaj, Vera Bekteshi, Ilir Ikonomi, Natasha Lako, Mimoza Ahmeti, Virgjil Muçi, Preç Zogaj, Luljeta Dano, Gani Mehmetaj dhe Dionis Prifti.
Përmes pranisë së tyre, diskutimi mori dimensione të thelluara mbi lidhjet mes fjalës së shkruar dhe formave të reja të komunikimit në një realitet gjithnjë e më të ndërlidhur dhe kërkues. /QKLL/