Një konflikt i ashpër mes anëtarëve të një familjeje shqiptare në qytetin Rethymno të Kretës përfundoi me katër persona të arrestuar dhe dy të plagosur, pasditen e së shtunës. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në komunitetin lokal dhe ka kërkuar ndërhyrjen urgjente të forcave të policisë greke për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Sipas mediave greke, sherri nisi pas një përplasjeje mes çiftit të familjes, por situata u përkeqësua kur në konflikt ndërhynë edhe të afërm të të dyja palëve. Përplasja u bë fizike dhe eskaloi në dhunë të rëndë.
Si pasojë, dy persona mbetën të plagosur, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje më të rëndë, ndërsa tjetri është jashtë rrezikut për jetën. Katër persona të përfshirë në incident janë vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga autoritetet.
“Po hetojmë shkaqet e konfliktit dhe përplasjen mes familjarëve, duke nisur nga mosmarrëveshjet mes çiftit që duket se kanë qenë zanafilla e incidentit,” thanë autoritetet greke për mediat.
Hetimet janë në vijim për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e secilit të përfshirë në ngjarje.