Fundjava është shoqëruar me mot me diell dhe, natyrisht, kur ka ditë të zgjatura pushimi, shoqërohet gjithnjë me një rritje të fluksit në Rrugën e Kombit, kryesisht me shtetas të Kosovës që zgjedhin bregdetin shqiptar.
Por duke pasur parasysh që një fluks i ngjashëm pritet të jetë thuajse i përditshëm me ngrohjen e motit dhe afrimin e sezonit veror, patrullat e policisë së njësisë së autostradave kanë nisur monitorimin e trafikut me pajisje përkatëse, për të garantuar një udhëtim sa më të sigurt.
Gjatë monitorimeve është konstatuar një numër i konsiderueshëm shkeljesh, që kanë të bëjnë kryesisht me tejkalimin e normave të shpejtësisë. Për disa raste, policia rrugore ka këshilluar drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë rregullat në përputhje me sinjalistikën rrugore.
Rruga e Kombit mbetet një nga akset më të rëndësishme dhe më të frekuentuara, veçanërisht gjatë sezonit turistik, ku, përveç shqiptarëve të Kosovës, përdoret edhe nga një numër i konsiderueshëm turistësh që vijnë nga Europa me mjetet e tyre.