Ballina Aktualitet 6500 policë kundër krimit zgjedhor, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në terren

6500 policë kundër krimit zgjedhor, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në terren

31
0

6500 efektivë të Policisë së Shtetit nga niveli bazë deri te strukturat më të larta të saj janë trajtuar për rreth një muaj për mënyrën si do të procedohet me krimet zgjedhore dhe si do të garantohet rendi gjatë procesit të 11 majit.

Detajet i zbuloi për A2 CNN, Agron Çeli, i cili mban postin e drejtorit të Rendit Publik në Policinë e Shtetit. Çeli tha se 6500 efektivët e policisë do të angazhohen në terren për të mbarëvajtur rendin dhe sigurinë, ndërsa aktualisht jemi në fazën e dytë, atë të fushatës zgjedhore.

“Prej disa muajsh policia e shtetit është angazhuar me trajnimet e personave që do të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor. Në zbatim të detyrimeve, përgjegjësive ligjore që ka Policia e Shtetit për  garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt, kemi hartuar një program pune që ka shkuar deri në drejtoritë vendore në bazë. Janë kryer trajnime në bashkëpunim me SPAK, OSBE, KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Trajnimet janë organizuar sipas niveleve dhe kanë nisur në muajin shkurt, duke përfunduar në muajin mars për 6500 policë të strukturave të ndryshme që janë trajnuar. Po ashtu janë trajnuar 1500 policë të Strukturave të Hetimeve të Krimeve, që janë bërë trajnime më vete në bashkëpunim me Prokuroritë të Gjykatave të Juridiksionit të Përgjithshëm në të gjitha drejtoritë vendore. Punonjësit e policisë kanë marrë njohuri të përgjithshme për ruajtjen e objekteve si për angazhimin gjatë fushatës zgjedhore për aktivitetet elektorale dhe detyrimet deri në fund të numërimit të votave”, sqaroi Çeli.

I pyetur nga gazetarja e A2 CNN, Xhensila Kodra nëse janë evidentuar deri më tani raste të krimeve zgjedhore, Çeli pranoi se janë trajtuar nga policia dhe struktura e ngritur nga SPAK, KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme, disa prej tyre.

“Sipas parashikimeve të Kodit Penal për krimet zgjedhore ne në bashkëpunim me SPAK dhe Prokuroritë e rretheve jemi duke i zbatuar çdo ditë në të gjithë strukturat vendore të policisë. Ka pasur raste. Në të gjitha rastet janë njoftuar strukturat dhe është goditur çdo paligjshmëri që është evidentuar në terren. Tashmë jemi në fazën e dytë, në fazën e fushatës zgjedhore dhe jemi çdo ditë në garantimin e rendit dhe sigurisë në aktivitetet elektorale të subjekteve politike”, deklaroi ai.