Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë.
Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Përgjithësisht qëndrimi i qytetarëve shkodranë ndaj regjimit komunist në ditët e tij të para!
Po ndërkaq, edhe mbas çlirimi, si dikur lufta, do të kishte mbështetësit e vet besnike e entuziastë, sado që të paktë në numër. Do të kishte kështu nji kategori njerëzish që pushtetin e ri ta konsiderojshin e ndjejshin si të vetin, kategori njerëzish kjo, që mbasi kishte kalue dy-tri vjet e përndjekun gjatë Luftës, po e shikonte veten të shpëtueme e të lirë, si edhe krenare për luftën që kishte ba. Këta njerëz, do t’u ndjejshin gjithashtu të gëzuem për të ardhmen që u buzëqeshte gjithë hir. Kësaj mase njerëzish do t’iu dukte se qielli u ishte ulë në tokë, se çdo gja ndrinte gjithandej, pa ditë e pa dashtë me ditë, në se gjithnji të kishte të tjerë njerëz, që si dikur ata vetë, tu ndiqshin nga qeveria, t’u burgosshin pa pasë qenë spiunë e as tradhtarë, që të kishte familje që t’iu shkonte makina te shtëpia për t’i degdisë diku në internim, që të tjerë t’u pushkatojshin pa pasë lye duaret me gjak dhe pa pasë kërkue me rrëzue pushtetin e tyne me dhunë, siç do t’u akuzojshin me të padrejtë nga prokurorët e tyne të porositun.
Pra ishte edhe kjo masë e vogël populli, që në kundërshtim me masën tjetër të madhe, u ndjente e lumtun se po u zbardhte e u errte me ditë të nji ngazëllimi të papamë. Nuk do të kishte as edhe nji gja që asaj mase njerëzish t’ia zbehte sadopak imazhin e besimin e atij pushteti të fituem me gjak.
Pjesëtarë të këtyne familjeve do t’i kishe të pranishëm kudo ku të kishte nji ngjarje, nji manifestim, nji inaugurim të çfarëdo vepre të parëndësishme, ose kur në rrugë të kalonte i lidhun duarsh nji njeri i konsideruem prej tyne “kriminel”. Këta njerëz do t’i shifshe kudo ku të kishte ndonji aktivitet, i cili mund të ishte nji koncert i randomtë vetëm me kangë partizane, a nji skeç gjysë oret, si gjithmonë me tematikë partizane E do t’i shifshe sidomos, kur t’u hapshin “gjyqet e popullit”, në lozhet e rezervueme për ta.
Po ndërkaq, duhet thanë se ka pasë edhe familje dëshmorësh që gëzimin e lirisë ta shfaqshin të përmbajtuna. Rinia nga ana e saj, e aktivizueme dikur gjanësisht brenda Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ishte rrudhë e tkurrë në dy momente deri në atë kohë: së parit me Mukjen, kur imazhi i Nacionalçlirimtares ishte prishë prej pranisë autoritare të jugosllavëve në përcaktimin e fateve të Shqipnisë, si dhe prej vetë luftës që s’kishte pasë pasë karakter çlirimtar, siç ishte propagandue, por social e me theks të fortë ideologjik; dhe së dyti, periudha mbas çlirimit, e cila në vend të lirisë e të së drejtës së premtueme me aq bujë, kishte sjellë shtypje e mjerim.
Nga e gjithë ajo masë e gjanë rinie antifashiste e kohës së Luftës, nuk kishte mbetë veçse nji pjesë e vogël e organizueme në “B. R. A. SH.” (Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare), me seli në godinën e bukur të ish-konsullatës italiane. Aty binte në sy entuziazmi i kësaj pjese të rijsh e të rejash që u dukshin shumë të miqësuem në shoqninë e tyne mikste e të lirë.
Shpeshherë do t’i shifshe tue këndue kangë partizane e ma shpesh tue bashkëbisedue mes tyne me shumë gjallni, tue qeshë gjithashtu, e disa herë tue provue të mësojshin me vallëzue. Ndrysh nga sa kishim vërejt ma parë të do partizane “fshatarka”, këto të reja për të cilat po flasim, që ishin qytetare e me veshje civile, u dukshin shumë simpatike për nji çiltërsi e zhdërvjelltësi që manifestojshin, për nji “portament” të tyne krenar e të çiltër, si pasojë e nji emancipimi të fituem nga lufta e liria, me ç’rast, që jo vetëm se kishin shpëtue prej paragjykimesh shoqnore të ma parshëm e do rregullave të ngurta që kishte pasë koha, po edhe se po mësojshin gë të jetonshin si mbas ndjenjave e bindjeve ma të fundit gë kishin fitue me siguri që ky ansambël të rinjsh e të rejash, numerikisht i pakët, po kalonte ditë të papërsëritshme lumnije.
Përfundimisht, ndërsa pjesa ma e madhe e popullit kishte nisë të vuante diktaturën, nji pjesë tjetër populli, ndonëse modeste në numër, po shijonte ditë gëzimi të vërtetë, tue ba që shqiptarët, edhe pse vëllazën e motra mes tyne e nën nji copë të vogël qielli, për herë të parë po jetojshin të ndamë e me fate të ndryshëm, për t’u kthye mbas do kohe edhe në anmiq për shoqi shojn. Kështu janë 117 emna tregtarësh, që me vëllazën e ortakë, shkojshin rreth dyqind e ma shumë familje tregtarësh të mëdhaj, shumë prej të cilave të vjetra e që Shkodrës i kishin shërbye me breza. Goditja që pushteti komunist u pat ba me këtë rast tregtarëve, do t’u pasqyronte shumë edhe në masën e popullit, e sidomos në elitën e qytetit, pjesë e së cilës ata ishin.
Me vite do të vazhdojshin me u marrë hetuesit e Sigurimit me tregtarë e sengsere, lidhun me arin që ua kërkojshin pa da. Per punë ari do të vdiste ne burg tregtari i nderuem, Ibrahim Hoxha, si dhe sengserët e mirënjohun në Shkodër, Kel Jerdha, Muhamet Spahia, Gaspër Doda e ndonji tjetër. Lidhun me të ashtuquejtunin “detyrime të pashlyeme”, ndaj shtetit, disa tregtarë do të vuejshin vite burgu dhe sorollatjet e tyne, me qellim që t’ua këputshin shpeshherë çdo mundësi komunikimi me familjet, do të ishin të shumta e djallëzore. Kështu p.sh., tregtarit të nderuem Zef Muzhani, mbasi t’i kishin marrë ç’kishte pasë, hetuesit e Sigurimit do t’i kërkojshin edhe arin.
Fillimisht me të, për punë ari, do t’u merrte hetuesia e Sigurimit Shkodër. Për të shmangë çdo mundësi komunikimi me familjen, atë do ta transferojshin për t’u hetue në Ministri të Punëve të Brendshme Tiranë, ndërkohë që familja e tij, e painformueme për atë transferim, do të vazhdonte t’i sillte ushqim atij ditë për ditë, në burgun pranë Sigurimit Shkodër. Kur mbas disa ditësh familja e tij ta kuptonte lëvizjen djallëzore të Sigurimit, do të vraponte për Tiranë me ushqime e ndërresa, por Zef Muzhanin qysh të nesërmen do ta transferojshin në hetuesi të Durrësit, e përsëri kur mbas disa ditësh të tjera familja të kishte ra në gjurmë të lëvizjes së tij të fundit, Zef Muzhanin do ta dërgojshin në hetuesi të Lushnjës, për ta mbyllë përfundimisht lojën mbas disa ditësh të tjera në Shkodër.
Pushteti në qytet, përmes “këshillave të lagjeve”, here mbas here do të organizonte kontrolle ndër shtëpia qytetarësh të dyshuem se mos kishin mshehë ndonji ushqim mbi normën e përcaktueme me ligi. Ndër raste të tillë, në shënjestër do t’ishin shtëpitë e ish-tregtarëve. Do të mjaftonte që në nji prej shtëpive të tyne të gjejshin, qoftë edhe 2 kg misër, e kryetarit të asaj shtëpie t’iu merrte fytyra publikisht në mënyrën ma poshtnuese, tamam si të kishte krye nji krim të vërtetë. Për sasina të tilla qesharake, të gjetuna gjatë kontrolleve, do të lexojshim në shtyp emnat e ish-familjeve tregtare, si Karemani, Ulqinaku, Deda, Ljaria, Negri etj., etj.
Kështu shtypi, do të reklamonte me bujë, si p.sh. rastet kur në familjen e F. Veselit, të ishin gjetë të mshehun 30 kg. grunë; në shtëpinë e M. Tiranës 2 kg grunë, e 4 kg miell; në shtëpi të Q. Dërgutit 6 kg miell e 3 kg grunë, etj. Kur Kareman agës t’i zejshin të mshehun 7 kg miell, shtypi mezi ç’do të priste që fjalë për fjalë, të shkruente: “Ky element i pandërgjegjshëm, që desht me i mshehë pushtetit 7 kg. miell, vetëm e vetëm për t’mos ia dhanë popullit të vorfën, në kundërshtim me urdhnesën, për këtë dënohet me tre vjet burg”!
Të këtilla ishin ato kohë, kur mjerimi ma i thellë e ligjet dragoniane të pushtetit komunist, sundojshin me terror jetën e tanë nji populli nën zgjedhë të plotë.
Bërdiciani
Në se ka pasë në Shqipni nji qytet, ku lajmi për nji ngjarje të ndodhun, sidomos për raste burgosjesh e vrasjesh t’u përhapte gojë më gojë me shpejtësi në mbarë lagjet e t’u përjetonte pak a shumë me të njajtin emocion, ky qytet ka qenë Shkodra jonë.
Nji ditë kah fillimi i shkurtit të 1945-ës, nji makinë me tetë burra sipër të lidhun dorë për dorë me litarë, ishte nisë prej burgut të madh të Shkodrës me drejtim Zallin e Kirit. Drita sa kishte nisë me zbardhë. Në kohën që ajo makinë kishte fillue të lëvizte, i lidhuni i fundit në radhë sa kishte nisë të çlironte pak nga pak atë dorë që kishte të lidhun me shoqin e tij përbri. Asnji prej partizanëve të ulun në spondën e mbrapme të makinës, fare pranë tij, nuk ia kishte vërejt lëvizjet. Në momentin kur makina ishte fute në kthesën para Bashkisë, bërdiciani që deri atëherë e kishte zgjidhë dorën krejtësisht, kishte fluturue prej makinës e në tokë, dhe me nji vrap si vetima përmes plumbave të shumtë, kishte përshkue pa rrezik oborrin e gjatë të liceut e përfundimisht zhdukë pa lanë gjurmë.
Ngjarja e ndodhun ishte marrë vesh menjiherë e përhapë në të gjithë Shkodrën. Edhe na si të rinj që ishim, për atë ngjarje do të flitshim atë ditë. Po kështu, edhe kur në drekë t’u kthejshim ndër shtëpia, këtë lajm do të gjejshim. E gjithë Shkodra brenda pak kohe kishte marrë e përcjellë me kënaqësi lajmin e gëzueshëm të shpëtimit të nji të dënuemi me vdekje prej Bërdicet, për ta pagëzue qysh atë ditë me emnin “bërdiciani”. Kalimin e disa ditëve, do t’u bante e dijtun se ai “bërdiciani” po na ishte njifarë Haxhi Ahmeti, me moshë rreth të tridhet e tri vjetëve, i zhvilluem fizikisht e shumë energjik. Si shtëpi, origjinën e kishte pasë prej Kastratit, e të ramë në Bërdicë prej kohësh për punë gjaku.
Mbas çlirimit, Haxhiu e axha i tij Veli, si shtëpi me influencë në atë zonë, do t’u zgjidhshin kryetarë “Këshillash”, i pari në Bërdicë të Sipërme, e tjetri në atë të Mesme. Të përfshimë në ngjarjen e Bërdicës, ata të dy ishin arrestue e dënue me vdekje. Atë ditë që Haxhiu i pat rrëshqitë për pak vdekjes së sigurt, ishte pasë drejtue për në Dobraç e pikërisht në nji shtëpi me mbiemrin Kasemi, mike e shtëpisë së tij e cila, ndonëse e lidhun me pushtetin, si e luftës që kishte qenë, vazhdonte të ruente besë e t’ishte shqiptare e mirë. Edhe pse i zoti i asaj shtëpie atë ditë kishte nji grumbull partizanësh brenda, ai jo vetëm që djalit të mikut do t’i jepte bukë e strehë, por edhe do ta pajiste me armë e si mbas zakonit, ta përcillte deri në Vukatanë, prej ku besnikë të tjerë të shtëpisë së tij do ta nxirrshin me nji lundër përtej Drinit, në zonën e tij të tri Bërdicave, të Malihebajt e Beltojës, të cilat për sa kohë që ai të qëndronte i arratisun, ata do ta ushqejshin e ruejshin si birin e tyne.
Për reprezalje, shtëpinë e Haxhiut e patën djegë e gruan e tij të re me dy vajza të mituna, internue në Berat.
Shtatë-tetë muej mbrapa, në nji ditë vjeshte me shi, Haxhiu u ndodhte përjashta në katundin Derragjat të Bregut të Bunës. Për t’i shpëtue shiut që po shtonte prej çastit në çast, ai drejtohet për te nji kasolle që e kishte vërejtë në mes të nji are. Për koinçidencë e për fatin e tij ma të keq, drejt asaj kasollje në të njajtën kohë ishte nisë me vrap nga nji drejtim tjetër edhe nji skuadër partizanësh të Mbrojtjes Popullore. Haxhiut të zanë ngusht, s’i mbetej tjetër veç t’u largonte sa ma parë, ndërkohë që forcat e Mbrojtjes Popullore, të ndodhun në distancë të afërt, njohin Haxhiun e tentojnë ta kapin të gjallë, por Haxhiu hapë zjarr menjiherë, tue vra në vend komandantin e tyne, nji oficer me gradë nëntoger, dhe tue vrapue rrugë pa rrugë, ia del me shpëtue edhe kësaj here tue u pasë hedhë në shpinë të nji kali që po kulloste brenda nji livadhi. I hypun mbi të, katund mbas katundi, do të soste me nji frymë në Paçramin e largët, ku kishte të martueme nji motër.
Thuhet se ky kalë, të cilin e kërkonte i zoti pa ia da, kishte qenë ba shkak që në gjurmët e Haxhiut të binte Sigurimi, e me datë 18 maj 1946, mbas plot nji vjeti e gjysë arrati, Haxhi Ahmeti, ndërsa qëndronte i mshehun brenda nji are me grunë në katundin e tij të Bërdicës, forca të shumta të ndjekjes e kishin rrethue nga të gjitha anët. Thirrjes së tyne për t’u dorëzue, Haxhiu i ishte përgjegjë me grykën e pushkës, derisa mbas dy-tri orësh luftimi, fishekët e pushkës së tij të gjatë iu mbaruen, e ai, i vendosun deri në fund për nji vdekje me nderë, të nxirrte revolen, shpresën e tij të fundit, e me grykën e saj të drejtueme në krye, të vriste veten.
Vdekjen e Haxhi Ahmetit – bërdicianit – Shkodra do ta vuente si për nji njeri që ta kishte njohë e dashtë mësysh ma parë. Ndër ato tre-katër ditë mbas vrasjes së Haxhi Ahmetit, unë nuk isha në Shkodër, por kujtoj se ditën që unë u ktheva në shtëpi, më duel para motra e ime e madhe dhe se fjalët e saj ma të para, të shqiptueme me shumë mallëngjim, qenë: “Ahmet, e kanë vra atë bërdicianin. I asht dhimbtë gjithkujt.”
Kryengritja e Postrribës
Postrriba e lidhun me Shkodrën gjithë jetën, kishte qenë e pranishme në të gjitha ngjarjet e saj të randësishme. Tue mos u thellue në histori, gjatë së cilës postrribsit dëshmojnë vazhdimisht se shquhen për besë, trimni e atdhe, mjafton të kujtojmë vetëm disa prej momenteve nga historia e vonë e saj, për të provue sa ma sipër, kanë qenë postrribësit ata që më 1835, të udhëhequn prej Hamz Kazazit, patën mbështetë kryengritjen kundër turqve, ngjarje për të cilën vargjet e nji kange flasin:
“Dy sahat pa dalun drita
Ia mrrijti Postrriba
Postrriba si gjamë moti
Me urysh po shkon te topi.”,
vargje këto, që tingllojnë si nji refren i përhershëm i saj, sepse sa herë që Shkodra t’ishte përfshi në ngjarje me randësi, Postrriba do t’iu gjindte pranë. Kështu me 1913, kur Shkodra ishte e rrethueme nga të gjitha anët për gjashtë muaj rresht prej forcave serbo-malazeze që e sulmojshin pa pushim ditën e natën, postrribsit nën udhëheqien e trimit të tyne, Adem Haxhisë, do të zhvillojshin beteja të vërteta, midis të cilave ajo e Bardhajve, si shumë e përgjakshme që kishte qenë. Po ashtu e përsëri me në krye Adem Haxhinë, në vitin 1920, në luftë të Koplikut e pikërisht në atë të Moksetit, postrribësit do të kryejshin akte të rralla trimnije, sikurse kishin kenë postrribsit ata që në ndonji rast, me praninë e tyne në Shkodër, të kishin shmangë ndoshta plackitjen e saj. Edhe në javën e parë të prillit të 1939-ës, në atë vigjilje të zezë të pushtimit të Shqipnisë, Adem Haxhia në krye të treqind postrribsëve, do t’i zinte pritë ushtrisë italiane në kodrat e Bërdicës.
Gjatë luftës së fundit, e gjithë zona e Postrribës kishte qenë strehë e sigurt për çdo të arratisun e sidomos për partizanët që luftën e kishin nisë ma në kohë se të tjerët. Sa herë që partizanët nën hijet e fiqve, të tandave me rrush, apo edhe rreth sofrave të tyne, të prallisshin për Shqipninë e ” mrekullive” të mbas luftet, postrribsit nga ana e tyne, asgja nuk do t’ua merrshin për të keq, për moshën e re e qëllimin e mirë që kishin ata partizanë të rinj e naivë, si edhe përderisa të mbajshin mbi supe pushkët e gjata të luftës.
Kur mbas dy vjetësh që kishte mbarue lufta e Postrriba po u pregatiste për kryengritje, gjurmët e partizanëve vazhdojshin me qenë ende të freskëta kudo nëpër Postrribë, dhe kur ajo kryengritje të dështonte dhe e gjithë zona të merrte flakë, e kur edhe pse shumë burra të saj t’u pushkatojshin e të tjerë të mbushshin burgjet, ish-partizanët “engjëllore” që dikur kishin derdhë mjaltë prej gojet, as që do t’u bajshin të gjallë, makar që barbaria e pushtetit të tyne mbi atë popull patriot e bujar – që deri dy vjet ma parë i kishte pritë e qitë si bijt e vet – t’ ishte disi ma pak mizore.
Katundet e Postrribës, shpërnda aty-këtu rranzë bogave shkambore përfund Maranajt krenar, nuk po bajshin ma durim e u vunë në kërkim të shoqi-shojt. Oda të mëdha shtëpish të moçme e hera-herë edhe shpella të mshehta, do të ishin ata mjedise ku krenë të Postrribës do t’u mblidhshin disa herë mes tyne. Shkodrani Murat Haxhia, si organizatori kryesor i kryengritjes së ardhshme, prej ditësh kishte braktisë Shkodrën e shpërngulë në Postrribe, tue mbajtë në çdo mbledhje vendin e tij të nderuem. Kuvend mbas kuvendi, e nji ditë edhe fjala e tyne e fundit kishte qenë: “Me i ra Shkodrës, e me i ra sa të jenë pa na i marrë djelmët ushtarë”!
Në kohë që u pregatiste kryengritja e Postrribës, të arratisunit ndër male ishin të shumtë. Siç e kemi thanë edhe ma sipër, vetëm në malet e Dukagjinit ata u numrojshin me qinda në atë kohë. Zona e Mirditës kishte shumë të arratisun me në krye Mark Gjomarkun. Ndër malet e Pukës, përveç Mirakajve, kishte edhe shumë të tjerë të arratisun, sikurse kishte edhe ma tej, në Lumë e Tropojë. Në takimet që kishin ba krenët e këtyne të arratisunve, ishte ra dakord për nji sulm të përbashkët të tyne në nji kohë të caktueme, me synim çlirimin e gjithë veriut, përfshi edhe Shëngjinin, si mundësi për zbarkim të aleatëve.
Postrriba nga ana e saj, ose nuk u tregue e durueshme në këtë rast, ose ose nuk qe në dijeni të nji plani të masipërm. Ndoshta gabimi i postrribësve qe se fatin e kryengritjes e patën lidhë domosdoshmërisht me faktin se me 9 shtator djelmët e tyne do t’u shkojshin ushtarë, tue i mungue ashtu kryengritjes. Për të vendosë përfundimisht për kruengrijtje ose jo, paria e Postrribës la nji mbledhje për me 8 shtator, për të cilën gja nji korrier i besueshëm lajmoi krenët katund për katund.
Kështu në ditën e caktueme, me 8 shtator, mbledhja e tre bajrakëve të Postrribës u mbajt në “Kodër Boks” e pikërisht në vendin e quejtun “Shegat e Ibros”. Mbledhjen e kryesoi Osman Haxhia, vëlla i Adem Haxhisë së dekun gjashtë vjet ma parë. Në të morën pjesë përfaqësuesit e të tre bajrakëve, si Abdulla Seiti, Selim Rraci, Smajl Duli, Muho Dyli, Emin Zyberi, si dhe me fjalën e marrë prej Myrto Danit, bajraktarit të Drishtit, që atë ditë mungonte. Mbledhja vendosi që të nesërmen me 9 shtator, drita pa dal, me u grumbullue të gjithë luftarët në Fushë të Shtojit për t’i ra Shkodrës.
Nuk ishte ba ende ditë kur treqind burra ishin mbledhë në vendin e caktuem qysh nji ditë ma parë. Shumica e tyne kishin armë, e nji pjesë e vogël ishte pajisë me mjete rrethanore, që gjithsesi shprehte vendosmëninë e madhe të Postrribës për luftë. Si këputën lidhjen telefonike me Shkodrën, u nisën drejt saj me besimin se pushkës së tyne Shkodra do t’iu përgjigjte me pushkë. Familjarë të shumtë të Fushës së Shtojit kishin dalë para shtëpive të tyne e shiqojshin me kureshtje e emocion ata luftarë të vendosun e krenarë që përshkojshin me shpejtësi fushën e tyne, me ç’rast pat edhe prej tyne që u bashkuen me ta.
Nisun nga qëllimi e serioziteti i misionit në prag të luftës, na ban me besue për nji gjendje shpirtnore të veçantë që ata luftëtarë të kenë provue e për nji atmosferë, që sa ma shumë t’i jenë afrue Shkodrës, aq ma solemne e nxitëse t’u jetë ba ajo. Sidoqoftë, na dimë se kur ata patën mbrrijtë në periferi të Shkodrës e pikërisht te kazermat në hymje të saj, dielli në tokë ende pa ra, nën sinjalin e fuqishëm “Bini bre burra”! ata kaluen me shpejtësi rrethime kazermash e shtëpish rrotull tyne e nisën pushkën nga shumë anë. Ushtria nga ana e saj, e ngrijtun në kambë qysh në pushkët e para, por e befasueme prej sulmit të papritun, për do kohë s’do të kërkonte tjetër veç si të mbrohej. Banorë të zonës përreth, do të na tregojshin qysh atë ditë se si postrribasit kishin kalue muret me armë ndër duer e tue thirrë “Hë, ju këlyshët e Stalinit….”! Memorie.al