Ballina Kulturë Ibrahim Kodra, postkubisti i fundit i Evropës

Ibrahim Kodra, postkubisti i fundit i Evropës

18
0

Më 22 prill të vitit 1918 lindi në Ishëm, Ibrahim Kodra, një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë, i njohur ndërkombëtarisht si “postkubisti i fundit në Evropë”.

Ndonëse u largua i ri nga Shqipëria, Ibrahim Kodra e ruajti dashurinë për vendlindjen të shprehur përmes penelatave shumëngjyrëshe, ku vepra e tij e mirënjohur “Shqipëria fantastike” e realizuar në vitin e trazuar 1997, portretizonte Shqipërinë si një parajsë mesdhetare.

Ibrahim Kodra pati një fëmijëri të vështirë. Ai arriti të merrte një bursë nga Mbretëria e Shqipërisë, e të studionte në Milano, në një nga akademitë më të mira të kohës, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brera-s.

Në 1944 hapi studion e tij të parë në Milano. Në 1948, çeli ekspozitë personale dhe në grup, në “Klubin e Artit”, në Romë, ku takoi dhe u bë mik me Pablo Pikason.

Ai pikturoi afreske në muzetë dhe ndërtesat më të rëndësishme të Milanos si dhe vendosi raporte të ngushta me Henri Matis, Modiljanin e të tjerë emra që kanë bërë historinë e pikturës botërore.

Kodra ka lënë më shumë se 6 mijë piktura, të cilat gjenden në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve, në Parlamentin Italian, në Muzeun Kodra në Lugano (Zvicër), në Muzeun Kodra në Milano (Itali), në muzeume të tjera si dhe koleksione private anembanë botës.

U vlerësua me titullin “Konsull Nderi” dhe iu dha pasaporta diplomatike e Republikës së Shqipërisë.