Nga Prof. Dr. Elmas Leci
Enver Hoxha, nga tregimet më të sinqerta të të gjithë jetës së tij, ka deklarimet në “Katër ditët e Beratit”, në atë plenum nga 23 deri në 17 nëntor 1944, ku ai rrëfen gjatë Luftës edhe për vijën terroriste të ndjekur nga ai vetë dhe shokët e tij bashkëpunëtorë të afërt në veprimtaritë e Luftës dhe të partisë. Madje ai atje edhe thotë apo denoncon se çfar ishte terrorizmim si është zhvilluar ai gjatë viteve të Luftës dhe kush e futi atë frymë?! Ja si zbërthehet ai në Plenumin e Beratit: “Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe tek Aliu (pseudonimi i jugosllavit Miladin Popoviç)…Në këtë pikë unë isha pasqyra e Aliut. Kur vinte ndonjë nga fronti, ku thuhej se ky apo ai po vepronte keq, ne vendosnim ta vrisnim…Vjen raporti nga Gogoja për Sotir Kondin dhe ne i themi atij që ta vriste. Vjen një raport për Anastas Plasarin e për Zef Malën, ne japim udhëzime, të vriten! Vjen raport nga Shulja, i cili kërkon të vejë e të piqet me Gani Kryeziun, gjoja për punën e Fundos, ne marrim masa ekstreme. Sa për çështjen e Mustafa Gjinishit,… Unë kam qenë ai që kam vendosur për këtë çështje”, dmth per ta vrare.77)
Siç deklaron se “unë kam qenë ai që kam vendosur për këtë çështje”, (për vrasjen e Mustafa Gjinishit) Enver Hoxha po atje në Plenumin e Beratit, me paturpësinë më të madhe, po aty ai thotë se nuk di gjë “Vetëm di që më erdhi telegrami…që thoshte: Puna doli me sukses”!78) Më tej në diskutimet e tij ndërhyrëse gjatë mbledhjes se plenumit Enver Hoxha po vetë pranon e analizon se “terrorizmi si në popull, si në Ushtri, si në parti, tregon së pari; dobësinë e vijës sonë politike, së dyti; tregon mosbesimin në popull, së treti; tregon se ne nuk kemi lidhje me masat”.79)
Për terrorizmin e majtistëve d.m.th. të komunistëve të Enver Hoxhës, tregojnë vetë diskutimet e delegatëve në “Katër ditët e Beratit”, të cilat bazohen në fakte e ngjarje konkrete. Mes shumë figurave të Luftës të asgjësuara me firmën e Enver Hoxhës, siç e theksuam edhe më sipër ishte ajo e Mustafa Gjinishit. Njoftimi i Liri Gegës direkt për Enver Hoxhën se “urdhëri u ekzekutua”80), u zbulua në vitin 1956, kur vetë Liri Gega e dekonspiroi, por që këtë formalisht e nxorrën para trupit gjykues dhe më pas e vranë edhe atë edhe bashkëshortin e saj gjeneralin Dali Ndreun, ish anëtarin themelues të Shtabit të Përgjithshëm, po me firmën e Enver Hoxhës. Si për të (që Liri Gega ishte edhe shtatzënë), edhe për bashkëshortin e saj gjeneralin Dali Ndreu, Enver Hoxha e dha vetë masën e pushkatimit. Po kush ishte Liri Gega?!.81) Edhe kjo në vitin 1944 ishte anëtare e Shtabit të Përgjithshëm dhe gjatë Luftës Antifashiste kishte mbajtur mjaft detyra të rëndësishme, megjithatë Enver Hoxha e pushkatoi.
Le të bëjmë edhe një degresion për Mustafa Gjinishin. Vendimi për ekzekutimin e tij ishte i hershëm, po i Enver Hoxhës, madje që nga Konferenca e Mukjes. Se si ishte çështja e mbledhjes së Mukjes, do ta spjegojmë por le të flasim për ekzekutimin e Mustafa Gjinishit. Ishte 23 gushti i vitit 1944 kur në atë ditë në Peshkopi inaugurohej Brigada e 18 -të Sulmuese. Pikërisht në atë inaugurim ishte “ngarkuar” të përshëndeste dhe përshëndeti si anëtari i Shtabit të Përgjithshëm Mustafa Gjinishi. Tek po kthehej, nga një pritë në Qafën e Çenokut e qëllojnë dhe e vrasin. Për këtë vrasje, Enver Hoxhën e pyesin në Plenumin e Beratit dhe ai qtje do të jepte këtë përgjigje shprehej se “vrasja e Mustafa Gjinishit duhej bërë…”.82)
Thënia e sipërcituar e Enver Hoxhës lidhej me Mukjen. Menjëherë pas saj, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi e urdhërojnë Enver Hoxhën për t’u mbledhur në Vithkuq e “për të analizuar qëndrimin e Mustafa Gjinishit dhe të Ymer Dishnicës në Mukje, lidhur me të ashtuquajturin kompromis që ata kishin bërë në atë mbledhje-marrëveshje. Ende pa u kthyer Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica nga Mukja, Enver Hoxha me një fonogram mbledh urgjent në Vithkuq drejtuesit kryesorë të Ushtrisë dhe të partisë. Konkluzioni i Enver Hoxhës në atë takim ishte se “ata (Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica) -duhen pushkatuar”.83)
Por nuk i ekzekutuan menjëhërë. Dhe kur ai vendim në opinion pothuajse ishte sfumuar, nuk shkoi shumë dhe Enver Hoxha e ekzekutoi Mustafa Gjinishin me dorën e Liri Gegës. Këto i ka deklaruar vetë Liri Gega para pushkatimit. Ndërsa vendimi i marrë për Ymer Dishnicën, mbeti i pa zbatuar. Ndofta sepse e shoqja e Dishnices, Flora ishte shifrante e Shtabit të Përgjithshëm dhe për disa kohë edhe sekretare personale e Enver Hoxhës. Gjithsesi, Ymer Dishnica i shpëtoi vendimit të Vidhkuqit për ekzekutim, por jo arrestimit dhe burgimit të mëvonshëm.
Po perse Enver Hoxha e “vrau” Gjinishin?! Dokumentet na tregojne se
Gjinishi i bënte “karshillëk” Enver Hoxhës, veçanërisht me mendimet e tij të pavarura properëndimore, posaçërisht ndaj Misionit aleat britanik, tek i cili për kulturën dhe diapazonin e tij këta kishin vlerësimin më të madh. Këto e shqetësonin Enver Hoxhën dhe kjo del edhe në të gjitha hamendjet, që bën Enver Hoxha në librat e tij me kujtime, ku ka ngjyresa të mëdha smire e xhelozie kundrejt lidhjeve dhe zhdërvjelltësisë së komunikimit pse jo edhe të vlerësimit të Mustafa Gjinishit nga anglezët. Më shumë ishin mendimet e Mustafa Gjinishit properendimore e vizioni i tij për ndërtimin e Shqipërisë së demokratike se sa ishte prania e tij si përkthyes pranë oficerëve e misioneve angleze, ajo që do të bënte që figura e tij të dënohej nga Enver Hoxha dhe historiografia komuniste ta cilësonte si agjent anglo-amerikan.84)
Se si e dënuan Mustafa Gjinishin në Vidhkuq, por së bashku me të edhe Ymer Dishnicën, kemi tregimin e Xhelal Staraveckës, ish-komandant batalioni në Brigadën e parë Sulmuese, ish vetë pjesmarrës në atë takim. Pas largimit të tij nga Brigada, Xhelal Staravecka ka shkruar ne gazetën “Balli i Kombit” një artikull për veprimtaritë antikombëtare të partisë e të partizanëve ku trajton edhe analizën e Vidhkuqit për mbledhjen e Mukjes dhe vendimet e saj . “Para se të fillonte mbledhja në Vidhkuq, -shkruan Staraveçka- pashë të tërhiqen veçan Miladini, Dushani dhe Enveri. Më pas ata vijnë në 85) mbledhje, të cilën e hapi Dushan Mugosha, i cili pasi foli për rolin e madh që po luante në këtë luftë të përbashkët mareshalli Tito dhe Enver Hoxha, nuk nguroi që me cinizmin që e karakterizonte të sulmonte figurat nacionaliste shqiptare dhe vendimet e fundit të Konferencës së Mukjes. “Mustafa Gjinishi, ju e dini se është agjent anglez -iu drejtua Dushan Mugosha të pranishmëve. Unë propozoj që për Mukjen, ta dënojmë (Mustafa Gjinishin) me vdekje. Për Ymer Dishnicën?!… Edhe ai është element shumë i rrezikshëm për ne dhe për partinë, ndaj edhe këtë duhet ta dënojmë me vdekje”.86) Menjëherë nis një replikë, “që e bën Nako Spiru me Dushanin në lidhje me vendimin që komunikoi. Ndërhyn përsëri dhe e merr fjalën Enver Hoxha duke i u drejtuar të pranishmëve me pyetjet se “Si mundën, që këta ta tradhtojnë Partinë, udhëheqjen e saj, dhe këta shokë Mustafa Gjinishi e Ymer Dishnica të bien viktimë e propagandës balliste”?87) “Si mund të biem dakord ne për ta marrë pushtetin pas çlirimit së bashku me nacionalistët”?! -pyeti retorikisht Enver Hoxha. “Unë mendoj që vendimin që e dhanë shokët Dushan dhe Miladin për Mustafanë dhe ate duhet ta realizojmë,… ata duhen pushkatuar! E theksoj se duhen pushkatuar””!88) Dhe e pushkatoi Gjinishin 3 muaj me pas ne te dale te Peshkopise.
Ajo që e thellon akoma më shumë krimin është se menjëherë sapo merr fonogramin e vrasjes Enver Hoxha si Komandant i Përgjithshëm nxjerr Urdhrin dhe e shpall Mustafa Gjinishin dëshmor, duke shpallur edhe tri zi kombëtare. Nuk ka fjalë tjetër veçse vrasës dhe kameleon.
Vrasja e Mustafa Gjinishit asnjëherë nuk u besua nga shokët për trajtimin se si u sajua, ashtu si edhe për nga trajtimi zyrtar se si u popullarizua, por ajo i shqetësoi gjithnjë ato. Një nga shokët e tij, Sejfulla Malëshova, kur e mori vesh vrasjen e Mustafa Gjinishit tronditet jashtë mase dhe në një bisedë që u zhvillua në ato momente midis tij dhe Spiro Moisiut, ku prezent ishte Xhelal Staravecka, ky i fundit me rastin e 40 ditëve të vrasjes së Mustafa Gjinishit, në gazetën “Balli i Kombit” shkruan për dialogun e meposhtem që bën Spiro Moisiu me Sejfulla Malëshovën.
Spiro Moisiu: “Ne të gjithë në Vithkuq bëmë “amin o hoxhë!” E vranë Mustafanë! Doktor Ymeri, mendoj se e ka radhën më vonë”.
Sejfulla Malëshova: “S’më besohet ta kenë realizuar me të vërtetë vendimin e Vithkuqit?! Megjithatë Spiro, nuk i dihet kësaj pune, duhen hapur sytë”!
Spiro Moisiu: “Sejfulla, duhet mbledhur vetja, t’i kundërshtojmë vendimet, që janë kundra vijës sonë…”!⁹
Xhelal Staravecka, që aso kohe ishte ende komandant batalioni në Brigadën e parë dhe kishte një lidhje të veçantë miqësore me shumë ushtarakë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, përveç dialogut të mësipërm tepër kuptimplotë, na ka lënë të shkruara edhe hollësira të tjera. Ai përshkruan edhe skenarin se si do të veprohej për vrasjen e Ymer Dishnicës pas atij të Sejfulla Malëshovës. Në atë kohë tregojnë se edhe në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare u fol shumë për këta skenarë.
Po përse nuk u realizua vrasja e Ymer Dishnicës siç ishte vendosur në Vidhkuq? E para, sepse Ymer Dishnica, pas vrasjes së Mustafa Gjinishit, filloi të tregohet tepër vigjilent. E dyta, plani për vrasjen e tij u përhap në të gjithë shtypin antikomunist e si të thuash realizimi i vrasjes u zbeh për shkak se u sulmua qysh në fillim plani serbo-sllav. Por duhet thënë se Enver Hoxha nuk e harroi atë vendim. E treta, Ymer Dishnica ishte një personalitet me një reputacion të lartë në popull dhe në shtresat e inteligjencies. E katërta, siç e thamë më sipër, bashkëshortja e Ymer Dishnicës Flora, gjatë Luftës, në Labinot etj. ishte sekretare personale e Enver Hoxhës dhe shifrante e Shtabit të Përgjithshëm dhe kjo mund të ketë luajtur një farë roli te Enver Hoxha.
Megjithatë duhet thënë se për vrasjen e Mustafa Gjinishit, në mënyra të ndryshme reagojnë edhe shokët e ngushtë të Enver Hoxhës si Gogo Nushi, i cili aso kohe ndodhej në Pezë, nga ku e informon Enver Hoxhën me një letër mbi reagimin e Myslim Pezës për vrasjen e Mustafa Gjinishit. Në letrën dërguar Enver Hoxhës ai shkruante se “…vrasjen e Mustafa Gjinishit, ia njoftuam Myslymit, i cili u hidhërua shumë, por nuk tha asnjë fjalë. Mbas disa orësh, në mes të shumë fjalëve të tjera tha edhe këto se “Mustafanë e kanë vrarë shokët, pse ky qe më i zoti se ata. Këtij nuk i dhanë vendin që meritonte. E kërkova të vinte në Pezë si Mustafën ashtu edhe Hasan Reçin, por nuk më la Ramadan Çitaku me shokë, të cilit i dhjes mustaqet. Mustafa, përpara se të largohej nga Përmeti, më tha se po më dërgojnë andej nga Dibra dhe atje do të më zhdukin. Të mos qemë unë dhe Mustafai, nuk do të kishte asgjë në Shqipëri. Ne kemi luftuar. I dhamë komandën e Divizionit të parë Daliut, i cili gjatë Operacionit të Dimrit nuk qe i zoti të mbante në këmbë as 20 veta, por erdhi dhe u përplas në Pezë”. Urrejtje të madhe shfaqi kundër Daliut, Bacës dhe Haxhiut. Unë në fillim nuk i thashë gjë, por e pashë se në çfarë gjendje qe, mbasi i përsëriti disa herë këto fjalë dhe aty qenë shumë veta, si i vëllai i Xhemal Herrit, Enver Sazani, Muharrem Vllamasi etj. Unë i thashë që këto fjalë të mos bëhen përpara të gjithëve, por t’i bësh me shokët e Shtabit të Përgjithshëm. Ky e përsëriti shumë herë se këto i interesojnë të gjithë popullit, prandaj duhet t’i dinë, se kësaj pune do t’i japë rëndësi të madhe dhe do ta denoncojë të vërtetën. Më mori mënjanë dhe m’i përsëriti të gjitha prapë… Mbasi fjeti disa orë, më mori prapë mënjanë, por këtë radhë e kishte zbutur shumë gjuhën. Më tha se dyshonte shumë dhe se i kishin ardhur lajme nga Tirana se Mustafën e vranë shokët”.96)
Dyshimi i Myslym Pezës apo i shokëve të tjerë të luftës, bazohej në qëndrimin e dyzuar të Enver Hoxhës, i cili në Vidhkuq e kishte dënuar me vdekje Mustafa Gjinishin, nga ana tjetër me rastin e “vrasjes” në Peshkopi e shpall “dëshmor”. Nga një anë Enver Hoxha e vrau Mustafa Gjinishin nga ana tjetër e bëri hero. Me këto oshilacione të dyzuara, Enver Hoxha veproi nëpër vite me figurën e Mustafa Gjinishit, herë duke e shpallur hero e herë tradhtar, herë e varrosi e herë e ç’varrosi! 97)
Çështja e vrasjes së Mustafa Gjinishit nga Enver Hoxha dhe faktit që ai e shpall atë dëshmor, doli edhe në Plenumin e Beratit, ku Sejfulla Malëshova për të do të deklaronte: “… për herë të parë këtu unë mora vesh se si u vra Mustafa Gjinishi dhe nuk e kuptoj përsenë?! Një nga të dyja: Ose ai ka qenë tradhtar i partisë dhe i popullit dhe si i tillë ai duhej të dënohej hapur, ose ai ka bërë vetëm gabime, për të cilat nuk mund të vritej. Nga njëra anë ne e vrasim Mustafa Gjinishin, në anën tjetër e paraqesim atë si Hero përpara popullit dhe partisë. Këto metoda janë jezuite dhe nuk kanë të bëjnë fare me një parti komuniste”.98)
Ndërsa tablonë e plotëson Liri Gega, e cila në “Katër ditët e Beratit” e çon më tej këtë tezë, tezën e vrasjeve dhe se si ato komandoheshin. “Partinë tonë e ka udhëhequr Aliu (jugosllavi Miladin Popoviçi), kurse dora e djathtë (e vrasjeve) ka qenë Enveri”, (Enver Hoxha) – është shprehur në diskutimin e saj në Berat Liri Gega.99)
Enver Hoxha është mishërimi më i madh i aplikimit të vrasjeve dhe i vijës terroriste, e cila nën dirigjimin e jugosllavëve qe gjate luftes mori përmasa. Të gjithë “kundërshtarët” apo ata që kishin ndonjë mendim të ndryshëm, shpalleshin tradhëtarë dhe ndiqeshin direkt me urdhërin e Enver Hoxhes për tu asgjesuar. Ka në Arkivin Qenddor te Shtetit dokumenta të tëra që flasin direkt për Enver Hoxhën se si ai i ndiqte apo i ekzekutonte kundërshtarët.
Pas daljes nga rrethimi gjerman i dimërit të vitit 1943-1944, nga zonat e Korcës, Enver Hoxha i shkruan “Detit” (pseudonim i Nako Spiru) se “shokët që vinë nga Italia a gjetkë nga vënde të huaja, të na raportohen emërat e tyre dhe çdo informatë që mund të keni mbi ta… Shokët t’i hapin sytë dhe t’i bëjnë katër kundër armiqëve, të cilët pa tjetër po punojnë nënë rogoz. Kujdes në Kristo Frashëri, Nasi Mariani, Shureti, Ilo Panduku, Peçe, Isuf Keçi, Agron Çorati e vëllaj i tij, kujdes në lidhjet e tyre të vjetra, kujdes i madh se një mëngjes do të na bjerë ndonjë tullë në kokë. Për këtë çështje, që më preokupon shumë pse kam disa gjëra që kam mësue, do të të shkruaj më gjatë dhe më me hollësi pasi të çlodhem disa ditë…Këtë letër ja jap per ju “delikates” (Nexhmije Xhuglini)…unë të përqafoj me madh o ish shoku im i mizeries”.
Dihet se ç’historian i shquar u bë nën shantazh e nën ndjekje të vazhdueshme Kristo Frashëri, i cili Enver Hoxhës i shpëtoi për qime se do e kishte pësuar edhe akademiku Kristo Frashëri si ish shokët e tij “Xhepi” dhe “Qorri” e me pas edhe ata qe i permend ne letren per Nakon, “Nasi Mariani, Shureti, Ilo Panduku, Peçe, Isuf Keçi, Agron Çorati e vëllaj i tij., qe te gjithe i denoi e pushkatoi.
Terrorizmi i partisë e i shtetit komunist, vijoi gjatë gjithë regjimit të Enver Hoxhës. Po tregojmë me pak fjalë për terrorizmin komunist në vitin 1949 në Mirditë. Sebep, vrasja e Bardhok Bibës, vrasje që ishte po vepër direkt e vetë Enver Hoxhës. Qëllimi ishte që “vrasja” e Bardhok Bibës të bëhej preçedenti për të ndërhyrë në aksionin e gjerë për nënshtrimin e plotë të Mirditës, e cila po ngrihej në këmbë kundër regjimit komunist. Ndaj “kokë turku” Enver Hoxha bëri Bardhok Bibën, figurë me reputacion të madh në Mirditë. Megjithatë faktet e mëposhtëme do të hedhin dritë mbi vrasjen e Bardhok Bibës nga Enver Hoxha.
Për vrasjen shkoi në kryeqendrën e Mirditës në Rrëshen, më 9 gusht të vitit 1949, zv.Kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe Mehmet Shehu. Nga Rrësheni ai i telegrafonte drejtorit të Sigurimit të Shtetit Beqir Ndou, duke i thene atij të njoftojë menjëherë Enver Hoxhën se “në të 44 fshatrat e Mirditës, për dy ditë do ndërmerrej nje operacion në 33 prej tyre. Do arrestojmë 31 persona të kategorisë së parë (për dënim me vdekje) dhe 84 persona të kategorisë së dytë (për dënim me burgim), ndërsa 17 persona të kategorisë së tretë (për internim në kampin e Tepelenës)”.
Por edhe rezultati i kësaj masakre të madhe, nuk dha asgje veç vrasje e dhunimeve, sepse skenën e vrasjes se Bardhok Bibes e kishte kurdisur vetë Enver Hoxha. Bardhok Bibën e “vrau” vetë Enver Hoxha, po për ato arsye që përmendëm, ndërhyrjen dhe nënshrimin e popullit mirditor. Sipas Enver Hoxhës duhej eliminuar Bardhok Biba për të nënshtruar Mirditën. Të gjithë ata që u ndëshkuan se vranë Bardhok Bibën, vrasje që nuk u vërtetua kurrë, ishte vepër që u bë vetëm për nënshtrim, operacion të cilin e drejtoi Mehmet Shehu, ku pas tij qëndronin këshilltarë sovjetikë, ndaj që edhe terrori ishte terror i tipit stalinist.