Nga Gani I.Mehmeti
Edhe herë të tjera kemi shkruar për kërkesën e Ligjit për mbrojtjen e Gjuhës shqipe, por shumë kërkesa nuk shkojnë deri në veshët e atyre që mund t’i bëjnë.
Kështu, më gëzoi fakti i një bisede që po zhvillohej në TVSH 1 më 21. 4. 2025, nga ora 14:00, nëse nuk gaboj, nën drejtimin e gazetares Vanesa Ymeri, në emisionin MES NESH dhe me temën:
“A po deformohet Gjuha shqipe në komunikimin publik”?
Nuk munda të marrë emrat e bashkëbiseduesëve në televizion, por përmes fotografive,ata që i njohin, mund t’i deshifrojnë. Më në fund, nuk është aq e rëndësishme nganjëherë të dihet se kush ishte, por e rëndësushme është që të fokusohemi në atë çka u bisedua. Edhe këta nuk e di se sa do mund të ndikojnë tek njerëzit e thirrur për mbrojtjen e Gjuhës shqipe, por mua më interesoi fakti se këta ishin për mbrojtjen e gjuhës shqipe me ligj.
Emisioni ishte mjaft i gjatë dhe të gjithë këta ishin për mbrojtjen e Gjuhës shqipe me ligj.
Se, në Francë Gjuha frenge mbrohet me ligj, e kam pasur të dëgjuar gjatë bisedimeve mes profesorëve të shquar, tani të ndjerë Shefki Sejdiu dhe Gjyltekin Shehu, të dy profesorë të nderuar në Universitetin e Kosovës, më vonë i Prishtinës. Ata, të cilët e admironin një ligj të tillë, ishin edhe për një Ligj që mbron Gjuhën shqipe, por koha ishte e pakohë aso kohe dhe ata nuk jetojnë më.
Si do që të jetë, mua më gëzoi fakti se po dëgjoja biseduesit në TVSH dhe ishin për mbrojtjen e Gjuhës shqipe me ligj në diskutimin publik. Këtu merrnin edhe shembuj të tjerë edhe rreth fjalorëve të shqipes se ku e çka ka hyrë nga fjalët e shqipes dhe se ishin për hyrjen dhe përdorimin e fjalëve shqipe në vend të fjalëve të huaja që sot po përdoren me të madhe në komunikimet publike edhe kur nuk është nevoja, apo edhe kur ne kemi fjalë tonat, me të cilat mundemi dhe duhet të shprehemi.
Shqipëria shtet që prej 113 vitesh dhe të mos ketë një ligj ku do të mbronte Gjuhën shqipe, është për t’u gjykuar. Ndërkaq, Maqedonia Veriore, e formuar si shtet tek në vitin 1991, pra para vetëm 34 vitesh dhe të ketë ligjin për mbrojtjen e Gjuhës maqedone, e Shqipëra afër 100 vite shtet më heret se Maqedonia e të mos ketë ligjin për mbrojtjen e Gjuhës shqipe, është edhe më shumë se turp, ku shihet mosinteresimi për gjuhën, ashtu sikur në shumë fusha të tjera.
Shteti siç ka të gjitha ministritë, pastaj në kuadër të ministrive kanë sektorët e ndryshëm për funksionimin e shtetit, ashtu duhet të ketë edhe një KOMISION apo quaje si të duash, që të merret me mbrojtjen e Gjuhës shqipe.
Sot kemi kuadër të mjaftueshëm, vetëm se duhet të formohet komisioni, të zgjedhen njerëzit profesionalistë që duhet të merren me atë punë dhe të jetë vullneti i mirë, të formohet Ligji për Mbrojtjen e Gjuhës Shqipe dhe të ecet përpara.
E themi këtë sepse, me zhvillimin teknologjik dhe me globalizimin gjuhësor, gjuha shqipe është në rrezik të zhveshet nga fjalët e veta.
Gjuha letrare shqipe duhet të mbrohet!
Janë shumë zëra sot që e luftojnë Gjuhën letrare apo standarde.
Gjuha shqipe duhet të ketë GJUHË LETRARE, me të cilën duhet të bëhet komunikimi publik, në shkolla, televizione, teksteve të shkruara, gazetave e revistave, si dhe nëpër organet shtetërore të të gjitha niveleve.
Më në fund, Ligji do mbronte gjuhën vetëm nga futja e pavend e fjalëve të huaja në të. Të tjerat janë punë e profesionalistëve të gjihës shqipe.
Më mirë të vilen fjalë të shqipes nga të gjitha të folmet e saj, se sa të hyjnë fjalë të huaja të panevojshme në Gjuhën shqipe. Me këtë vetëm se do të pasurohej gjuha, nuk është me rëndësi se cila fjalë nga cili dialekt epo nëndialekt vjen, vetëm të jenë fjalë të shqipes.
Pa e zgjatur më shumë, ne thërrasim kompetentët që të bëjnë diçka sa më shpejt në futjen e Gjuhës shqipe në mbrojtje të ligjit, duke u formuar një komision i përbashkët gjuhëtarësh nga të gjtiha trevat ku flitet Gjuha shqipe, pra në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Greqi, Mal të Zi, Serbi e Turqi ku ndoshta është ruajtur trajta më e vjetër e disa fjalëve, që në viset tjera kanë dalë nga përdorimi.
Mbrojtja e gjuhës shqipe me ligfj është nevojë dhe detyrë.