Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, përmes një mesazhi televiziv drejtuar qytetarëve, ka shpallur një paketë të re masash ekonomike të përhershme me vlerë 1.1 miliardë euro, për të mbështetur 2.7 milionë qytetarë. Ky vendim vjen pas regjistrimit të një suficiti rekord për vitin 2024.
Sipas Mitsotakis, paratë do të shkojnë kryesisht për tre sektorë: lehtësimin e qiramarrësve, mbështetjen e pensionistëve dhe shtimin e fondeve për investime publike. Ai theksoi se me përmirësimin e ekonomisë greke, duhet të ndihen edhe përfitime të drejtpërdrejta nga qytetarët.
“Unë e di se sa e vështirë është të kalojnë muajin bashkëqytetarët tanë që jetojnë me qira dhe lehtësimi i tyre është prioriteti im i parë. Prandaj vendosëm që çdo vit dhe konkretisht në muajin nëntor shteti t’u kthejë qiramarrësve një qira të plotë, për t’u lehtësuar shpenzimet”, u shpreh Mitsotakis.
Masa përfshin:
- Rikthimin e një qiraje në vit për rreth 950,000 qiramarrës, me shumën maksimale të rimbursimit deri në 800 euro, për çiftet me të ardhura deri në 28,000 euro në vit.
- Ndihmë prej 250 euro për pensionistët me të ardhura të ulëta, personat e pasiguruar dhe personat me aftësi të kufizuara.
- Shtesë prej 500 milionë euro për programin e investimeve publike, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e projekteve të reja.
Këto masa u shpallën menjëherë pas publikimit të të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave, i cili bëri të ditur se Greqia ka arritur një suficit primar prej 4.8% të PBB-së (11.4 miliardë euro) dhe një suficit fiskal përfundimtar prej 1.3%, çka e lejon përdorimin e suficitit shtesë këtë vit, sipas rregullave të reja të BE-së.
Ndaj kritikave të opozitës se ky suficit është rezultat i rritjes së barrës fiskale dhe çmimeve, qeveria greke reagoi duke deklaruar se ka ndërmarrë ulje taksash në mbi 72 raste, ka rritur vendet e punës përmes zhvillimit ekonomik, ka luftuar evazionin fiskal dhe ka kursyer fonde përmes kontrollit të shpërdorimeve në sektorin publik.