Ballina Bota Papa Francesku foli dhe për Afrikën! Ishte një zë për të varfrit...

Papa Francesku foli dhe për Afrikën! Ishte një zë për të varfrit dhe shtresat e margjinalizuara

25
0

Miliona katolikë afrikanë, si dhe udhëheqës të kontinentit, po vajtojnë një njeri që ata e ndjenin si zërin e tyre – një Papë që foli për Afrikën. Afrika, që është vendi i origjinës për afro një të pestën e ndjekësve të Kishës Katolike, ose rreth 272 milionë njerëz, po fiton rëndësi gjithnjë e më të madhe në botën katolike. Vëzhguesit thonë se Papa Françesku bëri shumë për të ngritur profilin e kontinentit brenda institucionit të Kishës.

Krerët e shteteve kanë pasqyruar ndjenjat e shumëkujt, duke përshkruar Papën e ndjerë si një zë që ngrihej për të margjinalizuarit. Presidenti i Nigerisë, Bola Tinubu, e quajti atë një “kampion të palodhur të të varfërve”, ndërsa homologu i tij nga Afrika e Jugut, Cyril Ramaphosa, theksoi “botëkuptimin e tij për përfshirje dhe barazi”. Sipas Vatikanit, gjatë vitit të kaluar, shtatë milionë afrikanë janë konvertuar në katolicizëm, duke e bërë kontinentin një nga rajonet me rritjen më të shpejtë për Kishën. “Ky Papë ka bërë shumë për ta bërë fenë tonë më gjithëpërfshirëse… e kujtoj me gëzim,” tha për BBC-në katolikja ganiane, Aba Amissah Quainoo, nga kryeqyteti Accra.

“Ai ishte me të vërtetë i dashur nga të gjithë për qëndrimin e tij ndaj të varfërve dhe të margjinalizuarve,” shtoi famullitari George Obeng Appah.

Në Bazilikën e Familjes së Shenjtë në kryeqytetin kenian, Nairobi, besimtarja Rosemary Muthui tha se do ta kujtojnë Papën si një njeri që solli ndryshime në Kishë, veçanërisht në promovimin e barazisë. “Dashuria e tij për Kishën afrikane ishte e madhe, dhe do të na mungojë,” i tha ajo BBC-së.

Ajo rrëfen se e kishte takuar Papën gjatë vizitës së tij në Kenia një dekadë më parë – vizita e parë nga pesë gjithsej që ai realizoi në Afrikë, duke përfshirë gjithsej dhjetë shtete afrikane. Vizita e fundit e tij, në vitin 2023, ishte në Sudanin e Jugut dhe në Republikën Demokratike të Kongos. Në kryeqytetin kongolez, Kinshasa, Kitsita Ndongo Rachel nuk ngurroi të thyejë protokollin për ta takuar personalisht Papën. “Zemra po më rrihte fort, isha më pak se 100 metra larg. U futa mes rojeve të sigurisë, u gjunjëzova dhe i kërkova Papës bekimin,” kujton gazetarja.

“Ai më bekoi dhe bekoi edhe rruzaren time.” Ajo thotë se veprimet e saj u ndikuan nga mësimet e Papës, të cilat i flisnin drejtpërdrejt për sfidat në vendin e saj të përfshirë nga konfliktet. “Kur e dëgjonim, ndjenim se ai kërkonte drejtësi për Republikën Demokratike të Kongos – ai e dinte se miliona njerëz kishin humbur jetën.”

Në gjithë kontinentin, zëri i Papës ishte një shpresë, një thirrje për paqe dhe drejtësi – dhe tani, shumë zemra afrikane po ‘ziejnë’ për një Papë që i donte sinqerisht./BBC/