Ballina Editorial Taktikat e gabuara elektorale!

Taktikat e gabuara elektorale!

19
0

Nga Denis Dyrnjaja

Formula e re e kombinuar e një pjese të mbyllur të listës me kandidatë që thuajse e kanë të siguruar mandatin për deputet, me pjesën tjetër të listës së hapur në të cilën do të ketë një garë të ashpër si brenda llojit, pra brenda forcave politike por edhe ndërmjet tyre, ka çuar në një ekspansion elektoral drejt zgjedhësve. Publiku po bombardohet me propagandë premtimesh, që shpërthyen dy muajt e fundit para datës së zgjedhjeve.

Po ashtu ka një tendencë të fortë për të treguar se të gjithë kandidatët janë pranë njerëzve për të dëgjuar dhe zgjidhur hallet, problemet apo pretendimet e tyre.

Deri këtu nëse e sheh në përgjithësi tablonë, nuk ka asgjë të gabuar, por problemi është që e gjithë kjo mësymje e ngjashme me një “mizori” politike marrafrymëse, është totalisht false, sepse në përgjithësi publiku e di që kjo është një hipokrizi nga e cila ca zgjedhin të gënjehen me koshiencë e ca të ta injorojnë po me koshiencë, duke bojkotuar zgjedhjet. Po cilat janë metodat e gabuara elektorale? Psh të gjithë kandidatët kanë zbritur në terren dhe po takojnë njerëz.

Mendoni për një çast që një tregtari të biznesit të vogël i shkon në dyqan edhe kandidati i PS, edhe i PD, edhe i Kolacini Shqipëria Bëhet, edhe Partisë së Lirisë, edhe Lëvizjes Bashkë edhe partisë Mundësia, Pamundësia, pra i shkon me kuç e maç si i thonë asaj shprehjes popullore dhe ai vetëm duhet të dëgjojë prrallisjet e tyre pambarim. Tani të gjithë me fletushka u japin qytetarëve programin e premtimeve që kurrë nuk mbahen dhe kjo është e provuar me kohë. Mendoni një tregtar të lexojë të paktën mbi 10 programe politike me premtime. Lloqe e rrena të bukura me ngjyra e fjalë të bukura. Nuk ndodh! Pra është mënyrë e gabuar dhe e padobishme për të bindur njerëzit. Të gjithë po përpiqen të tregohen të afërt dhe shumë social

Pra i takojnë qytetarët nga afër, u japin dorën përpiqen të bashkëbisedojnë me ta kur kjo nuk ka ndodhur psh lër 4 vitet që lamë pas. Pas zgjedhjeve të vitit 2021 u dhanë premtimet u morën votat dhe premtuesit u zhdukën në luksin e zyrave të parlamentit për t’u rikthyer vetëm tani me të njëjtat premtime ose me ca premtime të reja që sërish do jenë të parealizueshme.

Pra dhe kësaj skeme i ka dalë boja dhe është e gabuar nga të gjitha palët në vazhdimësi dhe bëhet vetëm për të marrë votat. Përjashto disa individë politikë që kanë krijuar një afrimitet me të hershëm me komunitetin, të tjerët harxhojnë kohën e tyre dhe të njerëzve me këto takime të kota. Nuk kanë asnjë efekt elektoral përveç se mund të ndikojnë edhe në të kundërt.

Përdorim masiv i rrjeteve sociale me skeda apo kartolina elektorale të ngjashme. Ndryshon vetëm emri i personit dhe subjekti politik, forma dhe përmbajtja thuajse identike. Edhe kjo formë është e padobishme, pasi është bërë e lodhshme dhe jo frytdhënëse. Rrjetet sociale gëlojnë me këto prezantime shabllon që nuk ngjallin asnjë kuriozitet. Premtimet e përsëritura, ose premtimet nuk lidhen fare me statusin e deputetit. Ligjvënësi pra i zgjedhuri si deputet, shkon në Parlament për të bërë ligje, jo për t’i kërkuar rregullimin e gropave te rruga e lagjes, mungesë uji, dritash, marrëdheniesh problematike administrative etj.

Pra angazhimi i kandidatëve për të zgjidhur këto probleme tjetërson rolin e deputetit për të cilin shkon në Parlament, pra angazhimi është spekulativ dhe i gënjeshtër dhe nëse është i sinqertë është i gabuar. Deputeti nuk është punonjës bashkie. Pra është ndërtuar sterotip i gabuar dhe orientim i gabuar por rolin dhe funksionin e tij. Ndaj ka një masivizim të kandidatëve që premtojnë idiotësi në këmbim të votave.

Së fundi roli i medias. Në gjithë këtë turbullirë dhe çorientim, media ka humbur qëllimin e saj funksional për zgjedhjet. Të ballafaqojë ofertat reale, çfarë është e mundur të bëhet, çfarë jo, dhe cila forcë politike apo kandidat ka qartësinë dhe objektivitetin e duhur, për të merituar mandatitn e përfaqësimit në parlament. Kur kanë mbetur me pak se 3 javë nga zgjedhjet mungojnë tërësisht debatet me vlera për interesin publik.

Programet televizive janë kthyer në mejhane muhabetesh pa asnjë interes për publikun dhe pa asnjë objektiv të qartë. Thuajse çdo TV po nxjerr një sondazh, dhe ky inflacion sondazhesh po ua humbet edhe vlerën edhe besueshmërinë këtyre anketimeve, përtej faktit cilat kompani janë kontaktuar lër t’i kryer këto sondime. Së fundi në fushata ka një foklorizëm dhe improvizime të tepruara të cilat duke tentuar origjinalitetin, po nxjerrin në pah mediokritetin. Është trishtuese që mungon cilësia objektive profesionale në media përtej pozicionimit të tyre në krah të mazhorancës apo opozitës.

Tanimë ato nuk ndikojnë dot askënd me shumë sesa elektorati fiks i forcave politike krah të cilave janë pozicionuar. Në zgjedhje qëllimi është t’iu ndryshosh mendjen atyre që ke kundër ose janë asnjanës, jo të sigurosh ata që ke në bllokun tënd elektoral.

Ndaj nëse e sheh panoramën elektorale përtej kapelës të importuar republikane amerikane të Sali Berishës, Noc Rrokut të Ramës në Google apo supermarketit politik “Mundësia” të Agron Shehajt, të mbeten pak alternativa të besueshme për të provuar apo tentuar ndryshimin.

Të shohim a do të dinë shqiptarët të mos trajtohen si idiotë të dobishëm që nevojiten një herë në 4 vjet sa herë ka një betejë se kush do të qëndrojë apo kush do të vijë në pushtet?!