Nga Prof. Dr. Elmas Leci*
Një nga bëmat në mes të të shumtave të Sigurimit të Shtetit komunist, ishte edhe hartimi i listave me emra njerëzish, që do të eliminoheshin në raste trazirash antiregjim në Shqipëri. Edhe këto lloj parashikimesh i bënte ai regjim antinjerëzor.
Arkivat flasin, ndërsa politikanët tanë dhe aktet ligjore në demokraci, tregojnë se për sigurimsat e bëmat e tyre ose është folur e vendosur pak ose aspak dhe ata ende livadhisën në 30 vjetët e fundit me radhë, derisa u është sosur jeta nga perëndia, por jo ama nga ligjshmëria. Oficerët e Sigurimit të Shtetit, për raste trazirash, sipas arkivave të vetë regjimit, kishin hartuar paraprakisht për çdo rreth nga dy lista me nga rreth 300 emra: E para kishte ata që duheshin zhdukur fizikisht sapo të fillonin trazirat, dhe e dyta ata që duhej të internoheshin po në raste trazirash. E vërteta që thonë arkivat është se ato lista rifreskoheshin periodikisht gjatë mbledhjeve të partisë e të Degëve të Brendshme të rretheve. Dhe listat me emrat e njerëzve, që konsideroheshin antiregjim, ishin ato për të deklasuarit me cilësime të ndryshme, për kulakët me sojin e tyre, me të pakënaqurit që ata i kishin të evidentuar, me njerëz të tjerë, që nuk i donte oborri Byroist dhe me të… dhe të gjitha këto lista i nxirrte dhe i sanksiononte Sigurimi i Shtetit me bashkëpunëtorët e tij, ato që populli u thoshte 80 leksha që ishin spiunë të dukshëm siç ishin AGBV-të apo të padukshëm, që mbanin lloj-lloj pseudonimesh siç përdoren patronazhistët e sotëm.
Jo vetëm kaq, por çdo vit në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, rezultat i punës së Sigurimit të Shtetit, ndaloheshin apo arrestoheshin nga 4500 deri në 5000 njerëz. Këto që them nuk janë shpikje të miat, por arkivat e vetë regjimit komunist shqiptar. Dhe njerëzit sot, jo vetëm duhet t’i dinë pasi duket se jo vetëm të rinjtë nuk i dinë e nuk i konceptojnë, por edhe të vjetrit sikur po i harrojnë apo i kanë harruar. Mirëpo një personalitet i madh siç ishte Kundera, thoshte se “e keqja më e madhe, që mund t’i ndodhë një njeriu apo një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e të kaluarës së vet”.
Dëshmitë e të burgosurve të arratisur, bëjnë të ditur se para vitit 1970 “pranimin” e krimit e lehtësonte përdorimi i torturave. Për të nxjerrë gjithë “të vërtetën rreth çështjeve kriminale”, ndihmonin ditët në dhomat e izolimit, ku njerëzit e akuzuar zhyteshin në cisterna mbushur me ujë të ftohtë, vezët e ziera nën sqetull apo spicat futur nën thonj. Ka raporte interesante të instancave ndërkombëtare për torturat dhe dënimet në Shqipëri.
Sipas një raporti të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, nga viti 1944 deri në vitin 1954, janë futur në kamp pune apo në burgje në Shqipëri 80.000 vetë, prej të cilëve 10.000 vdiqën. Caku i moshës për përgjegjësi penale, në rastin “krim kundër shtetit” ishte caktuar në 12 vjeç. Të burgosurit e kësaj moshe, caktoheshin në punime drenazhimi dhe ujitjeje, në ndërtimin e rrugëve, të hekurudhave, të aeroporteve dhe uzinave. Të burgosurit politikë të dorës së parë, izoloheshin në burgun e Burrelit. Në veri të vendit, kampet e punës me regjim shumë të ashpër, thyenin çdo lloj qëndrese. Më famëkeqi ishte ai i Spaçit në Mirditë. Për të drejtuar Sigurimin në qendër e për të ndjekur llogaritë për këto persekutime që përmendëm, partia punëkeqe, kishte ngarkuar një anëtar të Byrosë Politike.
Mjerimi dhe vetizolimi i kushtoi shtrenjtë Shqipërisë si në aspektin politik, ekonomik, kulturor etj., sepse shqiptarët u ndanë nga bota.
Ndonëse për Enver Hoxhën përplaseshin duar në kongrese e mitingje, fenomen i njohur tashmë për diktatorët, vetizolimi i kushtoi Shqipërisë 5.557 burra dhe 450 gra të ekzekutuara, sepse ishin kundër diktaturës e nuk u pajtuan me të në aspekte të ndryshme të jetës. Bilanci i krimeve të vetizolimit është tepër i madh, sepse tërë populli shqiptar ishte i rrethuar në tela me gjemba dhe punonte skllav i kohës moderne për “familjen e byrosë politike”. Komunizmi kishte premtuar të ndërtonte parajsën e punëtorëve “për të plotësuar çdo nevojë të tyre”, por që nuk bëri as plotësimin e nevojës më elementare me ushqimin e mjaftueshëm, veçse preku edhe të paprekshmen, besimin në zot. Enver Hoxha u ngrit dhe eliminoi edhe fenë, sepse sipas tij “ajo përdorte sloganin për parajsën qiellore”, ndërsa ky do “të krijonte në tokë njeriun e ri të socializmit-ateist, i mbështetur në forcat e veta, i kolektivizuar dhe plot sukses”! Por, punët shkuan tmerrësisht keq dhe pas 45 vjetësh në fuqi, regjimi i Enver Hoxhës, ende sundonte mbi popullin më të varfër të Evropës, kur vendi që kishte ritmin më të madh të lindjeve në Evropë, kishte të ardhurat më të ulëta për frymë të popullsisë në planet.
Pavarësisht nga fakti që regjimi që i thuhej “diktatura e proletariatit” ngrihej në qiell e vetëm katër për qind e popullsisë ishin anëtarë të partisë komuniste, ajo sundonte 96 % të pjesës tjetër por të papërfillshme. Bujqësia e veçanërisht industria ishin në pikë të hallit, pasi uzinat industriale ishin vjetruar pa masë apo ishin ngritur si ndërmarrje irrentabël dhe pjesët e këmbimit për to mungonin.
Nga ana tjetër, kontrolli burokratik ishte tepër i rënduar, ndërsa Sindikatat ishin të ndaluara me ligj. Tolloni dhe persekucioni, sundonin jetën shqiptare. Erdhi një moment që pas viteve ’80-të, fshatari në kooperativë të prodhonte shumë më pak sesa do të prodhonte në arën e vet. Në dyqanet shtetërore të ushqimeve, shiheshin radhë të gjata njerëzish me tollona në dorë, ndërkohë që vitrinat ishin bosh. Njerëzit nuk ishin të lirë të ndryshonin vendin e punës apo vendbanimin, e as të dilnin jashtë shtetit. Ata nuk ishin të lirë të zgjidhnin punën apo profesionin që dëshironin, të ngisnin makina në vend të biçikletave apo të zgjidheshin në poste të ndryshme. Ata nuk ishin të lirë të abonoheshin në gazeta apo revista të huaja, të shprehnin me zë të lartë kundërshtimin e tyre ndaj vijës partiake apo të ushtronin besimin që preferonin. Që para viteve ’80-të, shqiptarët kishin mbetur të izoluar krejtësisht si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, ata kishin mbetur fare vetëm. Kufizime të tilla kishin ngjallur pakënaqësi të madhe, veçanërisht në radhët e rinisë, që ishte mosha mbizotëruese në vend. Pakënaqësia e tyre ishte shtuar edhe më shumë nga kontaktet e fshehta, që kishin me Perëndimin nëpërmjet radios, televizionit, filmave, 8botimeve të ndryshme, korrespondencës me kushërinjtë e miqtë jashtë shtetit, studentëve dhe turistëve, afaristëve dhe gazetarëve të huaj.
Urrejtja ziente përbrenda. Tolloni dhe persekucioni sundonin ngado jetën shqiptare dhe kjo për Enver Hoxhën do të ndiqte edhe për vijimin, filozofinë e baba Çenit: “pakësojë tagjinë”! Shkallë-shkallë e vit pas viti, Enver Hoxha veproi me këtë politikën e tij, derisa e çoi vendin e popullin në një varfërim të plotë. Dhe këto ishin krime! Precedenti i krimeve, nisi qysh gjatë Luftës Antifashiste dhe u kurorëzua përfundimisht në gjysmën e dytë të viteve ’70 -të, madje kur populli pas viteve ’80-të kaloi masivisht në një mjerim të plotë e të gjithanshëm. Për argumentin se si u rrit precedenti i krimeve në regjimin e Enver Hoxhës, kanë shkruar me dhjetëra e dhjetëra analistë e historianë dhe komentet e disa prej tyre, duke mos pretenduar se bëjmë ndonjë zbulim po t’i rendisnim, padyshim do t’i japin sqarim më të plotë eksperimentit specifik të Enver Hoxhës, nivelit të ulët të jetesës në periudhën e mbretërimit të tij. Djallëzia e Enver Hoxhës shfaqej kryesisht në përpjekjen për ta bërë popullin bashkautor në krimin e madh të vëllavrasjes. Të gjithë kundër kujtdo, sipas Enver Hoxhës duhej të mbronin vijën e partisë. Enver Hoxha luftonte çdo gjë, që kultivonte ndjenjat e mira njerëzore dhe përkrahte ato që kishin frymën e logjikës kriminale të Josif Stalinit. Ndaloi shkrimtarët klasikë, filmat psikologjikë, komentet sociologjike, muzikën sentimentale, por edhe atë moderne. Enver Hoxha e nxori fytyrën e tij prej konservatori fanatik, i ngujuar në kullën e tij të “fildishtë” dhe ia mbylli dyert Shqipërisë, duke i dhënë popullit të ripërtypë gjysmë shekulli vetëm veprën e vet të mbushur me megalomaninë prej mediokri.
Pastaj ngriti shpatën e rëndë të Demokleut dhe u tha njerëzve se për të shpëtuar prej saj, duhej të rrëzonin njëri-tjetrin. Dhe ndonëse njerëzit të terrorizuar me atë shpatë, u therën dhe u gjakosën, dhe Enver Hoxha nuk u mbajti përsipër, të paktën as mëkatet. Nga Olimpi, ai sodiste vëllavrasjen dhe kujdesej që këtij krimi të mos i gjendej autori i vërtetë. Enver Hoxha fshihej prapa frazave të tij me dy kuptime dhe njerëzit mbeteshin fajtorë autentikë të krimeve, që kryheshin nga ai e në emër të tij dhe të klanit ogurzi. Kështu u detyrua populli t’ia shesë shpirtin djallit dhe të adhuronte Enver Hoxhën si perëndi. Aparati i dhunës, që realizonte veprën kriminale të Enver Hoxhës, nuk linte mjet pa përdorur, për t’u dukur ai i drejtë dhe i paanshëm. Pasi fuste me dhunë gladiatorët në arenë, Enver Hoxha tërhiqej për t’i soditur nga lozha para publikut. Viktimat, patjetër duhej të dilnin fajtorë… Vetëm mes klithma viktimash, shkaktuar prej “shpatës së tij”, Enver Hoxha siguroi duartrokitjet e një populli të terrorizuar, që jetonte i rrethuar nga kloni e tela ne gjemba anë e kënd kufirit shtetëror. Për shqiptarët gjithë kufiri, me përjashtim të vendeve me të vërteta të thepisura, ngrihej një mur me tela me gjemba e me korrent. “E kisha për detyrë të importoja çdo vit 12 mijë ton tela me gjemba që përdoreshin për klonet” – depononte në hetuesi një nga ish ministrat e Tregtisë së Jashtme të regjimit komunist.
Në Shqipëri, kishte edhe kufij të brendshëm, që ruheshin nga ushtria, si urat mbi Mat në Veri dhe mbi Vjosë në Jug, apo në qafën e Llogorasë pas Vlorës, ku kishte posta kontrolli. Askush nuk mund të qarkullonte lirisht dhe në rast se doje të udhëtoje, duhej të pajiseshe me një leje nga ndërmarrja ku punoje dhe e miratuar nga Dega e Punëve të Brendshme. Për argumentimin e mjerimit e të vetizolimit, që ishte precedenti i krimeve të diktaturës, po ia lë komentet analistëve e historianëve të ndryshëm. Për të siguruar mbarëvajtjen e revolucionit të trefishtë antikombëtar, antikulturor dhe antiekonomik, Enver Hoxha e izoloi plotësisht vendin nga pjesa tjetër e botës.
Shqipëria u bë Tibeti i Europës. Për argumentimin e mjerimit e të vetizolimit, që ishte precedenti i krimeve të diktaturës, po ia lë komentet analistëve e historianëve të ndryshëm. Për të siguruar mbarëvajtjen e revolucionit të trefishtë antikombëtar, antikulturor dhe antiekonomik, Enver Hoxha e izoloi plotësisht vendin nga pjesa tjetër e botës. Shqipëria u bë Tibeti i Europës. Rreth e rrotull vendit ekzistonte një “zonë kufitare” nga 1 deri në 2 kilometra, e ruajtur nga ushtria dhe e ndaluar për shqiptarët. Gjatë gjithë kufirit, me përjashtim të vendeve me të vërteta të thepisura, ngrihej një mur me tela me gjemba e me korrent. Në Shqipëri, kishte edhe kufij të brendshëm, që ruheshin nga ushtria, si urat mbi Mat në Veri dhe mbi Vjosë në Jug, apo në qafën e Llogorasë pas Vlorës, ku kishte posta kontrolli. Askush nuk mund të qarkullonte lirisht dhe në rast se doje të udhëtoje, duhej të pajiseshe me një leje nga ndërmarrja ku punoje dhe e miratuar nga Dega e Punëve të Brendshme.
Enver Hoxha i kishte caktuar popullit shqiptar detyrën e vështirë por “të lavdishme të ndërtonte socializmin”, së fundit edhe me forcat e veta. T’i shmangeshe këtij misioni, ishte një dezertim i dyfishtë: Çdo shqiptar që në kohën e Enver Hoxhës orvatej të largohej nga vendi, tradhtonte atdheun dhe idealet e socializmit, ai merrte një dënim që shkonte nga dhjetë vjet kamp pune, deri në vdekje.
Krijimi i ish-Sigurimit të Shtetit dhe promemoria e Vaskë Kolecit
Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, zakonisht quajtur Sigurimi, ishte shërbimi i sigurimit kombëtar, inteligjencës dhe i policisë sekrete të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
De jure detyra e tij ishte që të mbronte Shqipërinë nga rreziqet, por de fakto Sigurimi shërbeu për të shtypur veprimtarinë politike tek popullata dhe ruante qëndrimin e sistemit politik ekzistent në pushtet. Organet e Sigurimit të Shtetit u themeluan me datë 10 dhjetor 1944 sipas një promemorie të Vaskë Kolecit, u quajt në fillim Drejtoria e Mbrojtjes Popullore, përkthim direkt nga OZNA-s jugosllave. Si datë zyrtare e themelimit të Sigurimit të Shtetit është 14 dhjetori i 1944- ës, kur ngrihet Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, që kishte të njëjtën strukturë dhe veprimtari madje edhe të njëjtin emër si OZNA Jugosllave. Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit që njihet edhe si emërtesa e parë e Sigurimit të Shtetit, përbëhej në qendër nga 4-5 seksione të ndara sipas profileve dhe kishte në varësi tre seksione të mbrojtjes së popullit: seksioni i Tiranës (përfshinte dhe Durrësin dhe Elbasanin); Seksioni i Beratit (me Korçën Gjirokastrën dhe Vlorën); Seksion i Shkodrës (me Kukësin dhe Peshkopinë). Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit udhëhiqej nga drejtori Koçi Xoxe, zëvendësi i tij ishte Nesti Kerenxhi dhe pasohej nga figura e tretë drejtuese Vaskë Koleci. Në verën e 1946 Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit mori emërtesën Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Detyra e organeve të Sigurimit të Shtetit ishte kryesisht goditja e kundërshtarëve politikë por edhe mbrojtja e pushtetit.
Emërtesat
Emërtesat e organeve të pushtetit që ngritën komunistët ishin të kopjuara nga jugosllavët ose më mirë të themi të vëna prej tyre. Skemat e organizimit të institucioneve ndryshonin vazhdimisht sipas porosisë që merrnin nga orientimet që vinin nga Beogradi. Në organizimin e DMP-së një lloj “federalizmi” u vu re teksa ajo u nda në tre njësi territoriale të mëdha të quajtura SEMP-e (Seksioni i Mbrojtjes së Popullit). Skema e shërbimit informativ nën emrin Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare hyri në përdorim në një datë dimri, atë të 14 dhjetorit 1944. DMP përbëhej në qendër nga 4 – 5 seksioneve të ndarë sipas profileve. Nën këta vepronin tri SEMP-e si vijon: SEMP-i i Tiranës (me Durrësin e Elbasanin) me drejtues Bako Dervishin. SEMP-i i Beratit (me Korçën, Gjirokastrën e Vlorën) me drejtues Niko Cetën. SEMP-i i Shkodrës (me Kukësin e Peshkopinë) me drejtues Zoi Themelin. Organet e Sigurimit të Shtetit organizuan veprimtarinë e tyre bazuar në një platformë të ish-byrosë politike dhe të pambështetur në ligj, gjë që solli edhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Kjo anë e dhunshme e Sigurimit të Shtetit u forcua në periudhën kur drejtohej nga Koçi Xoxe, pas arrestimit të të cilit në 1948, pasoi një fushatë e hapur e denoncimit të saj. Qindra dokumente në arkivat shqiptare dëshmojnë forma çnjerëzore të torturave të ushtruara nga punonjësit e Sigurimit. Por me arrestimin më 1948 dhe pushkatimin e tij si tradhtar, vetë Koçi Xoxe bëhet viktimë e këtij sistemi.
Orientimet
Orientimet për krijimin e DMP-së erdhën nga jugosllavët nëpërmjet Velimir Stojniçit, ndërsa në fund të janarit 1945 pranë DMP-së mbërriti nënkoloneli i OZN-as Miat, i cili në fakt u kishte hapur derën të tjerëve që do e pasonin. Kur u krijua Sigurimi erdhi nënkoloneli Safet Filipoviçi. Kur ka ikur Safeti “me leje”, ka lënë në funksion majorin Mirko. Lidhjet me ta i mbante Nesti Kerenxhi. Në mars 1946, me formimin e qeverisë së re komuniste, u ndryshua edhe struktura e këtyre organeve. Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit ndryshoi emër, u quajt Drejtoria e Sigurimit të Shtetit dhe u zhvendos nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për skemën e parë të këtij shërbimi bëjnë fjalë telegramet që Nesti Kerenxhi dërgonte në Tiranë. Pushoi së ekzistuari verën e 1991 dhe u zëvendësua nga Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK) me ligjin nr. 7495, datë 02.07.1991.
Organizimi
Sigurimi i Shtetit kishte një drejtori qendrore në kryeqytet dhe drejtoritë e rretheve në secilin prej njëzet e gjashtë rrethet e Shqipërisë. Ai u organizua më tej në seksione që mbulonin kontrollin politik, censurën, të dhënat publike, burgjet, trupat e sigurisë së brendshme, trupat e sigurisë fizike, kundër-spiunazhin, dhe zbulimin e huaj. Funksioni kryesor i Seksionit të kontrollit politik vëzhgonte korrektësinë ideologjike të anëtarëve të partisë dhe qytetarëve të tjerë. Deri në shkurt 1945 kishin arrestuar 4.500 kundërshtarë të regjimit që i akuzonin për krime kundër shtetit. Lufta e forcave të mbrojtjes së popullit e më vonë Sigurimit të Shtetit ishte fokusuar më shumë në veri të vendit. Sipas raporteve zyrtare në vitin 1945 Sigurimi kishte vrarë drejtpërdrejt 70 persona, në 1946 kishte vrarë 65, më 1947 kishte vrarë 44 persona dhe më 1948 kishte vrarë 21 të tjerë. Realisht viktimat jo zyrtare kanë qenë patjetër më shumë.
Ekzekutimet
Rreth 170 anëtarë të Komitetit Qendror ose të Byrosë Politike të Partisë Komuniste u ekzekutuan si rezultat i hetimeve të Sigurimi të Shtetit. Seksioni i kontrollit politik ishte, gjithashtu, i përfshirë në një program të gjerë të përgjimit të bisedave telefonike private. Seksioni i censurës vepronte në brenda shtypit, radios, gazetave, mediave dhe komunikimeve të tjera, si brenda shoqërive kulturore, shkollave dhe organizatave të tjera. Seksioni i të dhënave publike administronte dokumentet dhe statistikat qeveritare, kryesisht statistikat sociale dhe ekonomike që trajtoheshin si sekrete shtetërore. Seksioni i burgjeve dhe internimeve ishte i ngarkuar me përgjimin e të burgosurve dhe internuarve politikë dhe vlerësimin e shkallës së rrezikut që ata e paraqisnin për pushtetin. Policia lokale siguronte rojet për burgjet në të gjithë vendin. Seksioni i sigurisë fizike siguronte rojet për zyrtarët e rëndësishëm të partisë dhe qeverisë. Seksioni i kundërspiunazhit ishte përgjegjës për neutralizimin e operacioneve të zbulimit të huaj në Shqipëri, si dhe parandalimin e krijimit të lëvizjeve dhe partive politike brena vendit. Së fundi, seksioni i zbulimit të huaj me personel brenda dhe jashtë vendit për të marrë informata rreth aftësive dhe synimeve të huaja që preknin sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe të regjimit, si dhe informata rreth shqiptarëve që jetonin jashtë Shqipërisë. Shumica e zyrtarëve të misioneve diplomatike, zyrave tregtare, dhe qendrave kulturore të Shqipërisë në vendet e tjera ishin punonjës të Sigurimit të Shtetit.
*Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes