Duka dhe Dukesha e Sussex-it po kërkojnë mbrojtje më të forta për fëmijët nga rreziqet e mediave sociale, duke thënë se “nuk po bëhet mjaftueshëm”, njofton BBC News. Ata po prezantojnë një memorial në New York, dedikuar fëmijëve që humbën jetën për shkak të dëmeve nga interneti.
Princi Harry theksoi se duan të sigurohen që “nuk do të humbasim më fëmijë për shkak të mediave sociale”, duke shtuar se “jeta është më e mirë pa to”.
Memoriali, i quajtur “Memoriali i Ekranit të Humbur”, është krijuar nga 50 telefona që shfaqin fotografinë e fëmijëve të humbur për shkak të mediave sociale. Imzheti i fëmijëve u ndanë nga prindërit që janë pjesë e Rrjetit të Prindërve, krijuar nga Fondacioni Archewell. Princi Harry dhe Meghan mbështesin familjet që kanë humbur fëmijë për shkak të mediave sociale dhe kërkojnë që prindërit të kenë mundësinë të kenë qasje në informacionin në telefonat e fëmijëve të tyre pas vdekjes, pavarësisht shqetësimeve për privatësinë.
Princi tha se teknologjitë janë duke “shfrytëzuar” privatësinë për të mos zbuluar informacionin e nevojshëm. Meghan theksoi se kjo është një çështje globale dhe lavdëroi prindërit që po flasin për të parandaluar vdekjet e tjera. Po ashtu, Ellen Roome, një prind nga Britania, foli për humbjen e djalit të saj 14-vjeçar, Jools, duke kërkuar që të merren masa të forta për të mbrojtur fëmijët në internet. Meta ka thënë se ndan qëllimin për të mbrojtur adoleshentët dhe ka prezantuar llogari me mbrojtje të përmirësuara për ta.